TIRANE- Një nga vendet e Bashkimit Europian, Italia është mbështetësja më e madhe për integrimin e Shqipërisë në union. Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, shprehet optimist që në qershor Këshilli Europian do t’i njohë vendit tonë progreset e bëra, ndaj e sheh këtë si çastin e duhur për hapjen e negociatave.

“Ne kemi besim. E dimë që jo të gjitha vendet europiane janë të bindura. Për ne është e rëndësishme që Europa të dallojë progresin që ka bërë Shqipëria. Të bësh progres nuk do të thotë të arrish synimin, dhe sigurisht të hapesh negociatat do të thotë të fillosh një rrugëtim që do të jetë i gjatë dhe i lodhshëm, por duhet t’i njihet Shqipërisë progresi që ka bërë. Ne mendojmë se ky është çasti i duhur”, u shpreh ambasadori Cutillo.

Sipas diplomatit italian ka ende një muaj kohë për vendimmarrjen e Këshillit Europian, ndaj edhe Shqipëria sipas tij gjatë kësaj periudhe duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të bindur edhe më skeptikët.

“Komisioni europian në prill e tha qartë se progreset janë realizuar, kështuqë është e drejtë që Këshilli Europian tani të mbështesë këtë rekomandim dhe të hapë negociatat. Keni ende një muaj kohë për të punuar, Shqipëria mund të bëjë në këtë muaj përpjekje për të bindur vendet që nuk janë bindur akoma për hapjen e negociatave”, tha ai.

I pyetur “A ka bërë përparime Shqipëria?”, ambasadori Cutillo thotë se Italia e ka lexuar me shumë kujdes progres-raportin, dhe çdo gjë e raportuar në të është e vërtetë. Ai thotë se raporti shpreh realitetin e Shqipërisë, ndaj edhe sipas tij tashmë është koha më e përshtatshme që Shqipërisë t’i hapet drita jeshile për në BE.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb