Ish-deputeti i PS-së Koço Kokëdhima i ka dërguar një letër ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu, pak ditë pasi ai e përmendi mes emrave të politikanëve me të kaluar të dyshimtë apo të inkriminuar.

Kokëdhima, aktualisht kreu i partisë “Zgjidhja”, i është drejtuar ambasadorit Lu me një letër ku e informon për aktivitetin politik të subjektit që drejton si dhe disa kundërshtime për deklaratat e tij.

Ka qenë pikërisht një njoftim për mediat i shpërndarë nga partia “Zgjidhja” që tregon disa detaje për letrën e ish-deputetit socialist drejtuar ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse nuk jepen hollësi për përmbajtjen e letrës, burime nga partia e tij bëjnë me dije se letra ka lidhje me deklaratën e pak ditëve më parë, kur ambasadori Lu, përmendi edhe emrin e Kokëdhimës mes ish-zyrtarëve dhe ish-deputetëve që u larguan nga detyra si rezultat i funksionimit të ligjit të dekriminalizimit dhe punës së gazetarëve .

“Për dekriminalizimin, gazetarë të guximshëm ishin të gatshëm të shkruanin për Arben Ndoka, Elvis Roshi, Mark Froku, Aqif Rakipi, Shukri Xhelilin, Koço Kokëdhimën dhe Dashamir Tahirin. Falë këtyre gazetarëve, këta politikanë nuk janë më në kuvend apo bashki”, deklaroi ambasadori Lu gjatë një aktiviteti me shoqërinë civile.

REAGIMI I KOKËDHIMËS
Zyra e shtypit e Partisë Zgjidhja
Kryetari i partisë “Zgjidhja”, z.Koço Kokëdhima, i ka dërguar sot një letër ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, z.Donald Lu. Në këtë letër z. Kokëdhima e informon z.Lu për zhvillimet dhe aktivitetin politik të partisë “Zgjidhja” dhe i parashtron shkëlqesisë së tij disa kundërshtime dhe kërkesa rreth rolit të tij si kryediplomat i SHBA-ve në Tiranë.

PRECEDENTI
Kjo është hera e dytë që ambasadori Lu adreson akuza ndaj ish-deputetit Kokëdhima. Në 4 nëntor 2016, pas akuzave të tilla, Kokëdhima, përmes një deklarate publike, akuzoi diplomatin përfaqësues të Uashingtonit se me deklaratën e tij duke e akuzuar si të korruptuar ka nëpërkëmbur etikën diplomatike. “Me deklaratën e tij ambasadori Donald Lu nëpërkëmbi etikën diplomatike. E bëri pa provë pa asnjë fakt. Gjithë jetën kam punuar në biznesin tim dhe mediat që kam drejtuar janë ndeshur me qeveritë e korruptuara. Kam paguar kostot e kësaj lufte. Kam qëndruar gjithmonë në anën e qytetarëve. Pasuritë i kam bërë me biznesmenë të ndershëm. Erdha në politikë i pasur për të punuar për vendin dhe për një karrierë të shëndetshme. Shumë të tjerë hynë në politikë të varfër dhe u pasuruan. Deklaratat e ambasadorit janë të pavërteta. Janë të ndikuar nga ata njerëz që goditën mandatin tim në Gjykatën Kushtetuese dhe nga ata njerëz e intriga që nxijnë sa një ambasadë në ambasadën tjetër. Intrigat dhe politikanët e ulët të Tiranës nuk mund të vendosin për mua në politikë e bëjnë vetëm qytetarët”, deklaronte Kokëdhima më 4 nëntor 2016.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb