Në fillim të vitit 2019, Rumania mori për herë të parë presidencën gjashtë mujore të Bashkimit Europian. Në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri që u transmetua në televizionin News24, Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Z. Mircea Perpelea, foli mbi prioritetet e kësaj presidence, që nga zgjerimi i familjes Europiane, hapja e negociatave me Shqipërinë, marrëdhëniet historike që Bukureshti ka me Tiranën dhe një sërë temash të tjera të cilat mund t’i lexoni si më poshtë.

Zoti Ambasador, duke nisur nga 1 janari, Rumania mori presidencën gjashtë mujore të Bashkimit Europian. A do jetë zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor prioritet i presidencës Rumune?
Në këtë kontekst të gjerë, sigurisht që Rumania, krahas prioriteteve madhore si emigracioni, Brexit, Buxheti Afatgjatë Evropian, prioritet do të ketë dhe situatën në Ballkan dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit. Ky është një subjekt kompleks. Rumania ka pohuar gjithmonë që, të paktën për Shqipërinë ofron gjithë mbështetjen por sigurisht dhe për vendet e tjera, por mund të them që me Shqipërinë, Rumania ka një numër të madh lidhjesh të vjetra dhe të qëndrueshme, kështu që mund te them se Shqipëria gëzon të gjithë mbështetjen e Rumanisë për këtë proces historik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Konkretisht cila do të ishte këshilla e Bukureshtit për një proces të suksesshëm të Shqipërisë në mënyrë që Tirana ta shfrytëzojë sa më mirë këtë moment duke qenë se Rumania ka qenë gjithmonë një vend aleat i Shqipërisë?
Ashtu është. Mund të themi gjëra shumë interesante për historinë e përbashkët dhe momentet e rëndësishme të historive të të dy vendeve, por në lidhje me pyetjen tuaj rreth këshillave të cilat mund t’i jepja unë ose vendi im është e vështirë për tu thëne sepse normalisht nuk ekziston një recetë, nuk ekziston një formë e caktuar e cila duhet ndjekur hap pas hapi. Në përgjithësi janë elementë madhorë të cilët duhen marrë parasysh lidhur me zhvillimin ekonomik, lidhur me legjislacionin, lidhur me korrupsionin, arsimimin, shëndetësinë, infrastrukturën. Ato janë pjesë e kapitujve të cilat Shqipëria dhe vendet e tjera të cilat duan të bëhen pjese e Bashkimit Evropian duhet t’i përmbushin. Në qoftë se më pyesni mua personalisht, unë nuk mund të thosha gjë tjetër përveçse, pas dy vjetësh përvoje në Shqipëri, vendi juaj duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm, sepse që kur kam ardhur këtu, kam parë shumë gjëra pozitive dhe ndryshime për mire. Ky ritëm duhet mbajtur dhe sigurisht duhet të kihet parasysh dhe përvoja e vendeve të tjera, ndoshta dhe e Rumanisë, sepse dhe ne kemi pasur një periudhë të ngjashme para anëtarësimi, kur na u desh të plotësonim kushtet e nevojshme. Ndoshta dhe tani duhet të vazhdojmë me disa rregullime, as tek ne nuk është gjithçka perfekte. Unë kam shkruar një libër i cili u përkthye dhe në gjuhën shqipe dhe i cili shpreh disa këndvështrime, por dhe një evolucion ekonomik. Ky libër është trajtuar nga ana ekonomike dhe tregon rrjedhën e ngjarjeve, për të konkretizuar ecurinë tone, gjë e cila mund të ketë jehonë pozitive dhe për Shqipërinë.

Zoti Ambasador, që pas anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007, procesi i zgjerimit ka qenë thuajse inekzistent duke përjashtuar Kroacinë në vitin 2013. Sipas jush, përse ka qenë kaq i ngadaltë procesi i zgjerimit dhe a mendoni se ka një alternativë tjetër për vendet e Ballkanit përveç familjes Europiane?
Sërish do të filloj me fundin e pyetjes tuaj. Jam i bindur se nuk ka tjetër alternativë për Ballkanin Perëndimor përveç atij të të qenit pjesë e këtij klubi të vendeve të Bashkimit Evropian. Mund të shtoja faktin se Shqipëria, si i gjithë territori i Ballkanit Perëndimor është pjesë e Evropës. Pra, duke folur në mënyrë të logjikshme, Shqipëria është një vend Evropian. Problemet teknike të cilat shfaqen për t’u bërë realisht pjesë e Bashkimit Evropian, lidhen, ashtu siç po thosha, me përmbushjen e disa kushteve të cilat Bashkimi Evropian, dëshiron që vendet të cilat janë e pjesë e tij, t’i kenë të përmbushura në një formë sa më të afërt me normalitetin. Ju them se as në Rumani nuk kemi mbaruar, ndoshta ishte një fillim i fundit dhe jo fund i fillimit, në kuptimin që pas anëtarësimit gjërat vazhdojnë të zhvillohen, të harmonizohen. Ju më pyetët përse nuk pati momente të tjera që pas vitit 2007 kur Rumania dhe Bullgaria u anëtarësuan, më pas erdhi dhe Kroacia. Mund të them se kërkesat e Bashkimit Evropian, jo se janë shtuar, por në kuptimin e faktit se janë disa ndryshime të cilat duhen bërë. Domethënë, ashtu siç po thosha, është normale që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e Evropës, por, po aq normale është që ato ta ndjejnë veten në Evropë, sepse vendi i shtetasve të tyre është në vendin e tyre dhe në vendin e tyre, duhet të kenë kushte si në çdo vend të Evropës. Prandaj ka kaq shumë shqetësime, aq shumë ndryshime për të harmonizuar dhe barazuar kushtet e jetesës, ato ekonomike, politike, shoqërore, kulturore dhe të gjitha të tjerat që na referohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ju keni shkruar edhe një libër mbi ndryshimet që ka përjetuar Rumania. Sa ka përfituar vendi juaj nga anëtarësimi në strukturat europiane?
Në radhë të pare unë do t’i shmangesha fjalës përfitim. Është një term ekonomik. Të përfitosh do të thotë të fitosh në një mënyrë ose në një tjetër në një formë të themi ekonomike.

Le të flasim për përfitimin ekonomik.
Në qoftë se flasim ekonomikisht, shifrat janë të paktën interesante. Për shembull Rumania ka tërhequr shumë fonde nga Evropa, deri tani janë tërhequr rreth 35 miliard euro. Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me të paktën 100%. Në qoftë se në vitet ‘90 kjo shifër ishte 100 miliardë tani ka arritur në 200 miliardë euro dhe jemi ndër 6-7 vendet e para në Evropë nga fuqia ekonomike.  Shifrat janë shumë interesante, jo gjithmonë reflektohen, domethënë zhvillimi dhe dinamika e shifrave jo gjithmonë zhvillohen në evidentimin e nivelit të jetesës, por me siguri Rumania është diçka tjetër, duket ndryshe për gjeneratën e re, por dhe për ne që kemi kaluar dhe etapa të tjera, por më e rëndësishmja është që duke u bërë pjesë te ky klub i vendeve Evropiane, kemi sigurinë që Rumania mund të aspirojë jo vetëm në një vend në Evropë por dhe në një situatë dhe në një mënyrë jetese të njëjtë me çdo vend tjetër të Evropës.

Zoti Ambasador, duke qëndruar te raportet mes dy vendeve tona. Rumania ka qenë vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Shqipërisë. Pse pikërisht Bukureshti?
Pyetja është interesante, por edhe përgjigjja është interesante, sidomos që Shqipëria nuk është një vend kufitar me Rumaninë. Besoj se ka përgjigje të sakta, mund të niseshim nga historia, mund të niseshim nga periudha e arsimimit francez të cilin intelektualët shqiptarë dhe rumunë e morën ne Francë në shekullin e XIX-të, mund të mendojmë më tej te familja e shquar Gjika e cila në Rumani përfaqëson një pike orientimi nga të gjitha këndvështrimet. Përse jo, lidhjeve më të vonshme të miqësisë midis njerëzve të rëndësishëm, intelektualë të Rumanisë dhe Shqipërisë, të mos harrojmë dhe nuk ka si të neglizhohet fakti që Rilindja shqiptare nisi në Bukuresht, që himni u krijua në Bukuresht, që buxheti i parë i Shtetit shqiptar ishte dhuratë e Rumanisë, që mbështetja fondamentale për tu njohur në Londër pas Luftës së Parë Botërore, ishte e konsiderueshme dhe ka më shumë momente.

Pra të gjitha këto i dhanë kontur një lidhje të vjetër dhe të qëndrueshme, e cila disa here është më e rëndësishme se shifrat. Lidhja historike, emocionale, gjuhësore është shumë më e qëndrueshme, dhe do të shtoja diçka. Në të gjithë këtë lidhje nuk duhet të harrojmë në asnjë moment minoritetin arumun të pranishëm në Shqipëri, i cili është një faktor i vazhdueshëm lidhjeje në të tashmen dhe në të shkuarën midis dy vendeve dhe i cili bën që në vazhdim të kemi bashkërisht vlera të cilat i respektojmë në mënyrë të ndërsjellë.

Zoti ambasador, si janë raportet sot mes dy vendeve tona si nga aspekti politik ashtu edhe ekonomik?
Në radhë të parë mund të them se ato janë në një dinamikë rritje, domethënë shifrat jane ne rritje. Nuk mund të them se sasia, ose në qoftë se dëshironi madhësia e shifrave janë shumë-shumë interesante. Vitin e kaluar patëm një marrëdhënie ekonomike të pozicionuar në shifrën 120 milion euro. Sigurisht që Rumania eksporton më shumë sesa importon. 75% e asaj shifre e përfaqësojnë eksportet shqiptare në Rumani. Ideja është që disponibilitetet janë te mëdha. Kemi këtë mision të rritjes së marrëdhënieve ekonomike midis dy shteteve. Nuk mund të thosha se janë parësore por janë të rëndësishme. Kohët e fundit u bë një forum ekonomik rumuno-shqiptar, në muajin nëntor. Morën pjesë një numër i madh biznesmenësh nga Rumania, te shpresojmë se do të ketë momente të tjera, një reciprocitet, me biznesmenë shqiptare të cilët të shkojnë në Rumani. Ndoshta qeveria shqiptare do të marrë në konsideratë lehtësira për investitorët në përgjithësi, por dhe për këmbimet midis Rumanisë dhe Shqipërisë në veçanti. Pra jam optimist, edhe pse personalisht, nuk jam plotësisht i kënaqur, sepse potenciali është shumë me i madh, ndërsa ne, do të mundohemi të bëjmë çfarë të mundemi për të rritur këto shifra të lidhura me aspektin ekonomik.

Çfarë mund të themi për marrëdhëniet mes dy popujve tanë? Kam informacion se shumë të rinj shqiptarë kanë studiuar në universitetet Rumune?
Rumania ka pasur përveç prioriteteve të lidhura me marrëdhëniet e veçanta me Shqipërinë dhe dhënien e bursave të studimit. Mund të them se Rumania, çdo vit, të paktën nga viti 1992 jep një numër të rëndësishëm bursash, rreth 100, sipas kërkesave, pra rreth 100 studentë shqiptarë, kryesisht arumunë vijnë për të studiuar në Rumani dhe në këtë mënyrë bëhen dhe ata një urë lidhëse e miqësisë të cilën kemi dhe e respektojmë, sepse një pjesë të madhe e gjejmë në pozicione të rëndësishme, zyrtarë, në aktivitete specifike dhe me të cilët mund te punojmë bashkërisht në zhvillimin e marrëdhënieve tona. Është kënaqësi për mua si profesor universitar të konstatoj se Rumania është një vend tërheqës, e vërtetë që për disa specializime si mjekësia dhe inxhinieritë, por kam takuar shumë intelektualë në Shqipëri, shqiptarë qe janë krenarë dhe jo vetëm krenarë por dhe të lumtur që kanë studiuar në Rumani. Pra kjo mënyrë për të rritur marrëdhëniet e veçanta, specifike midis dy vendeve është e dobishme për të dyja palët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb