Nata e dytë e Festës së Birrës në Korçë ka sjellë një dyndje të vizitorëve në qytetin e serenatave. Performanca e këngëtarëve më të mirë shqiptarë, e DJ më në zë të kohës si dhe shija e pijes më të vjetër shqiptare “Birrës Korça” kanë joshur mijëra qytetarë për të kaluar një mbrëmje fantastike në këtë qytet.

Këtë radhë Korçën e kanë vizituar edhe qindra turistë si dhe diplomatë të huaj që kanë shijuar tingujt e muzikës shqiptare, gatimet tradicionale dhe birrën më të vjetër, atë Korça.

Pasi e ka provuar atë në sheshet e qytetit, ambasadori rumun në Tiranë Mircea Perpelea ka shprehur interesin për të parë nga afër vendin ku prodhohet birra e parë shqiptare. Investimet e kryera në fabrikë nga kompania e Birrës Korça, i kanë lënë mbresat më të mira diplomatit rumun, i cili i ka konsideruar ato shumë të vlefshme jo vetëm për qytetin por edhe më gjerë.

“Birra Korça është e mrekullueshme por fillimisht dua të ndaj përshtypjet për qytetin. Korça është një qytet mjaft i bukur po në një nivel edhe më të lartë është birra. Dua të përgëzoj presidentin për këtë investim në këtë fabrikë. Tani që vizitova edhe ambientet e fabrikës me pëlqen edhe më shumë Birra Korça. Një investim i këtyre përmasave është shumë i vlefshëm për qytetin, për qytetarët, por edhe më gjerë. Është kënaqësi të vizitosh këtë fabrikë në këtë stinë kur të gjithë e shijojnë një gotë birre. Edhe njëherë përgëzoj presidentin për investimet. Është verë, mua më pëlqen Birra Korça edhe më shume tani që e vizitova nga afër. Do ta pi më shpesh Birrën Korça, por me masë”, tha ambasadori rumun.

Atmosfera festive në qytetin e serenatave zgjat deri në orët e para të mëngjesit për të vijuar mbrëmjeve me një ritëm të ri, më shumë pjesëmarrës e pijedashës të birrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb