Ambasadori i Turqisë në Berlin, Ali Kemal Aydın, ka deklaruar se autoritetet gjermane po nënvlerësojnë kërcënimin që shfaqet nga Organizata Terroriste Fetullah (FETO).

Në një shkrim të publikuar në faqen e internetit të ambasadës, ambasadori Aydın tha se grupi që qëndron pas tentimit të dështuar për grusht shteti të vitit 2016 në Turqi është toleruar dhe akoma është aktiv në Gjermani, përskaj paralajmërimeve të fuqishme nga Ankaraja zyrtare.

“Shumë shkolla përgatitore, shkolla private, asociacione që lidhen me këtë organizatë terroriste përbëjnë një rrjet të zgjeruar nëpër Gjermani dhe këto institucione përdoren për indoktrinim dhe rekrutim të anëtarëve të rinj”, tha ai.

“Anëtarët e këtij (FETO) rrjeti mund të udhëzohen nga organizata në çdo kohë për të bërë akte të paligjshme këtu, ngjashëm siç bënë në Turqi tre vite më parë”, paralajmëroi ai.

Grusht shteti i dështuar, i orkestruar nga FETO dhe nga lideri i saj me seli në SHBA, Fetullah Gülen, martirizoi 251 persona dhe plagosi rreth 2.200 të tjerë.

Grupi terrorist gjithashtu qëndron prapa fushatës së gjatë të përmbysjes së shtetit përmes infiltrimit në institucionet e Turqisë, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Aktivitetet e FETO-s në Gjermani

Aydın nënvizoi se FETO ka humbur “shtyllën kurrizore” në Turqi si rezultat i veprimeve të fuqishme të ndërmarra në vitet e fundit, por ai gjithashtu tha se grupi terrorist po përpiqet të mbijetojë duke përdorur strukturat jashtë Turqisë.

Ai u bëri thirrje autoriteteve gjermane që të ndërmarrin masa për të frenuar aktivitetet e FETO-s në shtetin e tyre, i cili është shtëpi e më shumë se 3 milion turqve imigrantë.

“Nëse Zyra Federale e Gjermanisë për Mbrojtjen e Kushtetutës e vendos këtë organizatë kriminale dhe anëtarët e saj nën vëzhgim, ky do të ishte hapi i parë efektiv për të zbuluar fytyrën e vërtetë të FETO-s në shtet”, tha ai, duke shtuar se Turqia është e gatshme të bashkëpunojë me Gjermaninë për të luftuar kërcënimin që paraqitet nga ky grup.

Që nga vitet e 90-ta, grupi nën hije i Gülen-it arriti të ndërtojë një rrjet të gjerë në Gjermani, duke përfshirë disa shkolla private, organizata joqeveritare, asociacione të biznesit dhe media.

Autoritetet lokale e shohin me dyshim FETO-n, por grupi akoma nuk është shpallur i jashtëligjshëm në shtet, ndërsa autoritetet theksojnë se një veprim i tillë mund të vijë pas provave të fuqishme për akte kundër ligjeve gjermane dhe Kushtetutës.

Grupi qëmoti po tenton të shmang kritikat nga publiku në Gjermani duke u fokusuar në programet e “dialogut ndërfetar”, duke u përqëndruar në porositë “e moderuara”, me qëllim që të fitojë besimin e mediave, kishave me ndikim dhe institucioneve politike të shtetit.

Mirëpo, ish anëtarët e grupit që së fundmi kanë folur për mediat gjermane, theksojnë se grupi ka strukturë të dyfishtë, dhe përskaj imazhit “demokratik” dhe “të moderuar” në publik, ka një hierarki sekrete dhe të rreptë të kontrolluar nga udhëheqësit ideologjikë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb