NGA ERJOLA JATA*
Ambasadori i republikës turke në Shqipëri Hidayet Bayraktar në një intervistë për News24 dënon tentativën për grusht shteti në Turqi.


Teksa bën përgjegjës Fetullah Gylenin, ai thekson se qeveria turke prej kohësh është përpjekur t’i bëjë me dije vendet aleate për natyrën terroriste të organizatës Fetoh dhe të tregojë fytyrën e vërtetë të Gülenit.


Ndërsa për reagimin e autoriteteve shqiptare për ngjarjen e rëndë në Turqi, ambasadori turk vlerësoi mbështetjen e dhënë prej tyre.

Zoti Ambasador, a mund të quhet e mbyllur historia e grushtit të shtetit në Turqi. Bilanci është, rreth 300 viktima, gati 1.440 të plagosur, mbi 3 mijë të arrestuar, 2700 gjyqtarë të pezulluar. Kryeministri ka deklaruar situata është krejtësisht nën kontroll? Kush e organizoi grushtin e shtetit?
Në fakt duke filluar nga dita e djeshme jeta në Turqi është normalizuar. Në vijim do të hidhen hapat e duhur në mënyrë që çeta e cila organizoi këtë tentativë për grusht shteti të marrë dënimin e merituar. Nga ky këndvështrim mund te trajtohen zhvillimet me të cilat ka të bëjë pyetja juaj.


Është bërë e ditur në nivelet më të larta që tentativa për grusht shteti është realizuar nga Organizata Terroriste Güleniste/Struktura e Shtetit Paralel.

Në fakt qeveria jonë prej kohësh është përpjekur t’i bëjë me dije vendet mike dhe aleate për natyrën terroriste të kësaj organizate dhe t’i tregojë fytyrën e vërtetë të Fetullah Gülenit. Fatkeqësisht kjo ndjeshmëri e jona deri më sot nuk është kuptuar sa duhet.

Me realizimin e grushtit të shtetit kjo organizatë terroriste puçiste ka nxjerrë në pah fytyrën e saj të vërtetë.

Si rezultat i operacioneve të zhvilluara kundër këtij grupi terrorist janë arrestuar rreth 6000 puçistë, ndërkohë 100 prej tyre janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Gjatë përballjes me tentativën për grusht shteti kanë rënë 161 dëshmor mes të cilëve dhe qytetarë civilë. Janë përafërsisht dhe 1400 të plagosur.

Si është zhvilluar procesi i grushtit të shteti, a mund të nga jepni një informacion?
Dje 15 korrik ditën e premte në mbrëmje, në shumë qytete të Turqisë dhe kryesisht në Stamboll dhe Ankara është vënë re një lëvizje ushtarake jashtë hallkave të komandës qendrore. Nisur nga vlerësimi i shpejtë i situatës u bë e qartë se kjo lëvizje ishte një tentativë për grusht shteti, e cila iniciohej nga një grup ushtarakësh të gradave të ndryshme të përfshirë në Forcat e Armatosura të Turqisë.

Kjo tentativë për grusht shteti, në të cilën u pa se ishin të përfshirë kryesisht disa nga anëtarët e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, Forcave të Komandës Ajrore dhe disa nga njësitë e blinduara, është refuzuar që në fillesën e saj nga hallkat e komandës qendrore të Forcave të Armatosura të Turqisë.

Fatkeqësisht Turqia u bë dëshmitare e terrorit të një grupi tradhtarësh, të cilët bombarduan Kuvendin dhe institucionet e vendit të tyre, goditën me plumba bashkëqytetarët e tyre, si dhe goditën pas shpine komandantët dhe shokët e tyre të armëve. Për herë të parë në historinë e demokracisë në Turqi Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë, simbol i vullnetit popullor, u bë pre e goditjeve nga një çetë tradhtarësh e cila përdori për këtë qëllim avionët dhe helikopterët e shtetit.

A iu përgjigj populli thirrjeve të Presidentit Rexhep Taip Erdogan dhe ministrave të kabinetit në Turqi, për t’i dalë në mbrojtje demokracisë pas grushtit ushtarak. A mund të bëni një vlerësim në lidhje me këto zhvillime?
Presidenti, kryeministri, qeveria, anëtarët e Kuvendit, në mbështetje të plotë të njëri-tjetrit i kanë bërë ballë kësaj tentative për grusht shteti duke qëndruar në krah të demokracisë dhe të shtetit ligjor.

Si forcat e policisë ashtu edhe prokurorët tanë kanë marrë me shpejtësi masat e nevojshme kundër kësaj tentative për grusht shteti, duke parandaluar në këtë mënyrë këtë proces.
Gjithashtu i bashkuar me shtetin e tij edhe populli e ka penguar grushtin e shtetit të këtyre puçistëve, duke treguar një solidarizim historik me daljet në rrugë dhe qëndrimin me vendosmëri përballë tankeve.

Ashtu sikurse u pa edhe ne televizione u parandalua me shpejtësi tentativa e puçistëve për të marrë nën kontroll me forcën e armëve Televizionin Shtetëror TRT dhe ajo për të krijuar perceptime të caktuara duke përdorur mjetet e komunikimit.

Puçistët kanë tentuar të marrin nën kontroll dhe organe mediatike jo shtetërore si p.sh. CNN turk por përballja e shoqërisë civile ka bërë që edhe kjo tentativë të dështojë.

Gjatë këtij procesi populli turk dhe mediat kanë dhënë një leksion demokracie. Ne jemi shumë të kënaqur nga ky reagim i popullit dhe mediave tona. Të gjitha partitë politike parlamentare të vendit i kanë dalë për zot demokracisë, vullnetit mbarë popullor dhe simbolit të përfaqësimit të tij Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë. Gjithashtu Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme dje në orën 15:00 dhe ka bërë një deklaratë të përbashkët. Këtë deklaratë mund ta gjeni dhe në faqet e internetit të Ambasadës.

Cili është opinioni juaj për grupin e puçistëve të cilët kanë kërkuar azil politik në Greqi?
Po është e vërtetë. Një grup prej 8 personash nga anëtarët e çetës së puçistëve janë arratisur për në Greqi me një helikopter të rrëmbyer. Është bërë kërkesa përkatëse ndaj autoriteteve greke për riatdhesimin e tyre. Helikopteri do të rikthehet. Vazhdojnë përpjekjet tona për rikthimin e ushtarakëve.

Si e vlerësoni qëndrimin e qeverisë shqiptare për grushtin e shtetit; kryeministri Edi Rama u shpreh dje “i lumtur për popullin vëlla të Turqisë dhe mikun e çmuar Presidentin Erdogan për daljen me sukses të plotë nga një natë tejet e vështirë”?
Dëshirojmë të falënderojmë sërish vendet mike të cilat duke filluar që parmbrëmë kanë reaguar ndaj këtij grushti shteti duke dërguar mesazhe solidarizimi dhe mbështetëse për Turqinë, si dhe kanë telefonuar udhëheqësit tanë qeveritarë për t’i shprehur mbështetjen e tyre.

Puçistët nuk kanë gjetur mbështetje nga ndërkombëtarët. Gjithashtu janë marrë mesazhe, deklarata dhe telefonata kuptimplota solidarizimi me Turqinë nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare përfshirë dhe Shqipërinë. Falënderojmë autoritet shqiptare për mbështetjen e dhënë ndaj qeverisë tonë.
Autoritetet shtetërore në Shqipëri janë duke u informuar në lidhje me këtë çështje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb