TIRANË – “Shqipëria ka treguar vendosmëri në reformën e sistemit të drejtësisë, kjo është për t’u përgëzuar“- Kështu është shprehur sot, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, në konferencën “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, në të cilin merrnin pjesë Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Nacco, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, Shefi i Misionit Euralius IV, z. Rainer Deville, si dhe ekspertë vendas e të huaj të sistemit të drejtësisë.

“Vendimet e sistemit gjyqësor janë ende të ndikuara nga politika dhe korrupsioni, – tha Vlahutin në fjalën e saj përshëndetëse. – Për këtë arsye, një sistem gjyqësor eficent dhe i përgjegjshëm është tepër i rëndësishëm për investitorët e huaj. Shqipëria ka treguar vendosmëri në reformën e sistemit të drejtësisë, kjo është për t’u përgëzuar.

Shkalla e përfshirjes së të gjithë aktorëve në reformën e sistemit të drejtësisë është shumë e rëndësishme, por edhe shkalla e përfshirjes së ekspertëve dhe publikut, gjithashtu. Theksoj se është e nevojshme të ketë mbështetje më të madhe ndaj Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces të vështirë. Mendoj se është thelbësore të shohim ecurinë e Shqipërisë dhe faktin se ky vend ka institucione demokratike dhe që respektojnë të drejtat e njeriut,” theksoi Ambasadorja.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: