TIRANË

Ambasadorja gjermane në Tiranë Susanne Schütz e ka vlerësuar si një rrugë të gabuar bojkotin e opozitës dhe dorëzimin e mandateve.


Në një deklaratë për mediat, Schutz iu bën apel të gjitha forcave politike për dialog konstruktiv në parlament duke kujtuar vendimmarrjen e BE-së për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Ambasadorja gjermane thotë gjithashtu se dhuna është e papranueshme dhe bën thirrje për një protestë paqësore.


Schutz ndan të njëjtin qëndrim me Presidentin Ilir Meta për protestën, i cili tha se është e rëndësishme që çdo protestë të jetë paqësore dhe ata të cilët i organizojnë të marrin të gjitha përgjegjësitë e tyre, ashtu sikurse është e turpshme që protestat të provokohen për çdo lloj arsye.


“Unë po i ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale. Jam e bindur se bojkoti i parlamentit apo dorëzimi i mandateve janë një rrugë e gabuar. Gjithsesi çdo deputet e merr këtë vendim në mënyrë individuale dhe mban përgjegjësi për këtë para së gjithash përpara zgjedhësve të vet.
Por në interes të Shqipërisë unë u bëj thirrje të gjitha forcave politike që ndryshimet në opinione t’i përballin në formën e një dialogu konstruktiv në parlament.
Duke mbajtur në vëmendje vendimmarrjen e BE-së për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë, se nuk ka kohë për të humbur, në mënyrë që reformat të vijojnë dhe të arrihen rezultate konkrete.
Dhuna, sikurse e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Në këtë kontekst u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të japin kontributin e tyre, që protestat e ardhshme të zhvillohen në mënyrë paqësore. Edhe ata që organizojnë protestën mbajnë përgjegjësi, që situata të mos përshkallëzohet. Në këtë pikë ndaj të njëjtin qëndrim me Presidentin Meta në deklaratat pas bisedës së tij me Presidentin Federal Gjerman Steinmeier”, deklaron ambasadorja gjermane.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb