Atentatet e ditëve të fundit në Francë, tashmë të pagëzuara nga disa si “11 shtatori francez”, kanë tronditur të gjithë perëndimin.

Midis gazetarëve fiton dëshira të mos heshtin nga armët e fondamentalizmit dhe nga kërcënimet. Amerika reagon duke u derdhur në shesh në Los Angeles e New York dhe mbështet 12 gazetarët e masakruar në redaksinë e Charlie Hebdo. Posterat thonë “Je suis Charlie”. Dikush mban penat të ngritura në ajër. Presidenti Obama ofron ndihmën e mbështetjen e tij ndaj qeverisë franceze. Gazeta të ndryshme amerikane publikojnë karikaturat e diskutuara të Charli Hebdo.

Por nëse në fund të tre ditëve të rrethimit dhe bliceve që kanë prekur Europën ka një ndjenjë lehtësimi për fundin e një tmerri e ndërkohë qahen viktimat, mbetet sërish një tmerr i madh. Në Shtetet e Bashkuara shihen me shqetësim ngjarjet dhe bëhet pyetja nëse nuk kanë qënë vetëm një shije e asaj që mund të ndodhi edhe atje, ku tashmë në 2013-ën dy vëllezër çeçeno-amerikanë, islamistë të radikalizuar, bënë një atentat në Boston. Në këtë rast bëhej fjalë për vëllezërit Dzhokhar e Tamerlan Tsarnaev, nënshtetas amerikanë që shpërthyen dy bomba gjatë maratonës së Bostonit, duke vrarë tre persona e plagosur të paktën 264. Dy vëllezërit nuk vepruan për llogari të grupeve terrorriste, por Dzhokhar Tsarnaev, i vetmi i mbijetuar, deklaroi që kishin mësuar të ndërtonin bomba duke lexuar Inspire, revistaën online të grupit jemenit të Al Qaeda-s, e shkruar në anglisht. Duket si fillimi i një tipi të ri kërcënimi që u shmanget kontrolleve obsesive në aeroporte, “kontrolleve të imta të prapavijës”, për këdo të huaj që vjen në tokën amerikane.

Për muaj të tërë, autoritetet e Shteteve të Bashkuara shikojnë me shqetësim eksodin e një numri gjithnjë e më të madh të qytetarëve amerikanë, që hyjnë në kontakt me grupet islamike ekstremiste, radikalizohen e shpesh nisen për të shkuar në krah të Shtetit Islamik në Irak e Siri, Al Shabab në Somali e grupe të tjera ekstremiste. Shembujt janë të shumtë. Zakonisht ka të bëjë me djelmosha të rinj, të moshës së vëllezërve Tsarnaev, që ishin 19 e 26 vjeç kur kryen atentatin. Janë qytetarët amerikanë që janë tashmë të bashkuar me Xhihadin dhe kanë vdekur. Njëri ishte Douglas McAuthur McCain, i lindur në Chikago në vitin 1981, tifoz i Chicago Bulls-it, Michael Jordan-it dhe i Simpsonë-ve. Në 2004-ën u konvertua në Islam së bashku me një mikun e tij (më pas i vdekur në Somali midis xhihadistëve të Al Shababit) dhe qershorin e kaluar u nis për t’u bashkuar me Shtetin Islamik. “Jam me vëllezrit e mij tani”, shkruajti në Twitter. Dy muaj më vonë, McCain vdiq, duke u bërë qytetari i parë amerikan që vritet duke luftuar për Isis.

Ka që janë përpjekur të nisen, por janë bllokuar. Mohammed Hamzah Khan, për shembull. 19 vjeç, nga Bolingbrook, Illinois është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar O’hare të Çikagos në tetor, ku kishte qëllim të merrte një avion për në Vienë. Nga Viena kishte një biletë për në Stamboll, nga ku shpresonte t’ia dilte të hynte në Siri për të luftuar së bashku me militantët e shtetit Islamik.
Në një letër që u kishte lënë prindërve thoshte: “Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit që shoqëria perëndimore po bëhet çdo ditë e më shumë imorale. Nuk dua që fëmijët e mij të jenë të ekspozuar në këtë ndyrësi”. Khan tani rrezikon 15 vjet burg. Për t’iu kushtuar xhihadit së bashku me ekstremistët e shtetit Islamik janë gati madje edhe gratë. Gjithmonë në tetor, autoritetet amerikane në aeroportin e Frankfurtit, në Gjermani, kanë bllokuar tre vajza që vinin nga rrethinat e Denverit, Kolorados, e që ia kishin mbathur nga shtëpia për të shkuar për të luftuar në Irak e Siri. Të gjitha vajzat ishin qytetare amerikane, dy ishin motra me origjinë somaleze, 15 e 17 vjeçe. Vajza tjetër, mikja e tyre, ishte me origjinë sudaneze, 16 vjeçe. Kishin me vete pasaportat dhe 2000 dollarë. Një vajzë tjetër 19 vjeçe, gjithmonë nga Denver. Ishte arrestuar në aeroportin e Denverit, Shannon Conley donte të shkonte në Siri për t’u martuar me një xhihadist që e kishte njohur online e për të punuar si infermiere në Shtetin Islamik.

Është një realitet që është duke tronditur popullin amerikan e duke shqetësuar autoritetet, që kanë frikë që qytetarët amerikanë që shkojnë të luftojnë me ekstremistët islamikë mund të kthehen lirisht për të bërë një atentat. Tamam siç ndodhi në Francë, ku dy atentatorët në redaksinë e Charlie Hebdo, Said e Chérif Kouachi, ishin franko-algjerianë, të kthyer nga Siria verën e shkuar. Për këtë motiv, për t’u shqetësuar janë edhe qytetarët europianë, që me mijëra janë duke shkuar në Irak e Siri për të luftuar me shtetin Islamik. Falë një programi “Udhëtim pa vizë”, qytetarët europianë mund të udhëtojnë lirisht në Shtetet e Bashkuara. Duhet vetëm të përpilojnë të ashtuquajturën Esta online dhe kontrolli është minimal.

FBI e pranon që problemi po përkeqësohet dhe numri i amerikanëve në udhëtim drejt Sirisë është duke u shtuar. “Të gjthë ata që kujtojnë vitet ’80 e ’90 kanë parë një linjë që lidhte Afganistanin e viteve ’80 e ’90 me 11 shtatorin”, ka thënë James B. Comey, drejtori i FBI-së. “Shohim Sirinë në të njëjtën mënyrë, por edhe më keq madje, për shkaqe të ndryshme: Shumë persona janë duke shkuar atje. Është më e lehtë të udhëtosh e të kthehesh mbrapsht. Prandaj në të ardhmen do të ketë një diasporë njerëzish që do të ikin nga Siria e jemi të vendosur të bëjmë që linja të reja të mos e lidhin Sirinë e sotme me një 11 shtator të së nesërmes”.
/corriere.it/Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb