NGA FATOS LUBONJA

Më shumë sesa rezultati ajo që ka tërhequr vëmendjen në këtë fushatë në SHBA është suksesi i një figure shumë kontroverse si Trump, i cili, pavarësisht nëse Trump i fiton apo jo zgjedhjet, deri në fund, ka mbetur kërcënim për Clintonin. Pyetja kryesore që mund të ngrihet është se si mund të shpjegohet ky sukses.

Ky sukses i Trump-it duhet parë si një test i krizës së sistemit liberal të globalizimit. Pra Clintoni është venë në rrezik jo aq nga Trump por sepse ajo përfaqëson sistemin, establishmentin. Fakti që ai arriti, i vetëm, të shkatërrojë Partinë Republikane tregon po ashtu se sa i dobët është establishmeni i PR.

Trump-i, pra, është një test i krizës së sistemit, ka venë në krizë sistemin, por, sipas meje, nuk është zgjidhja e duhur për të dalë nga kjo krizë. Ndërsa Clintoni përfaqëson rezistencën e sistemit për të qëndruar në pushtet. Prandaj ka analistë, edhe të majtë, që thonë se rreziku i vërtetë është Clinntoni – në kuptimin se me Trump-in mund të turbullohen ujërat që të dalë një zgjidhje, kurse me Clintonin do të kemi të njëjtën gjë, të njëjtin sistem, establishment, që i ka lodhur amerikanët.

A ka lidhje Trumpi me atë që ndodh në Evropë?
Trumpi pa dyshim ka imituesit e vetë në të gjitha lëvizjet e djathta në Evropë. E shohim këtë tek Brexit, tek Marine Le Pain, tek të gjitha ato forca të djathta konservatore që kërkojnë të mbrohen nga sistemi global duke u strehuar në shtetin komb, tek proteksionizmi edhe tek një lloj racizmi apo mbrojtje ndaj emigracionit që e shohin si kërcënim, tek vlerat konservatore si ato të familjes, të fesë e të tjera gjëra që karakterizojnë të djathtën koservatore. Por paradoksalisht Trumpi bashkohet edhe me të majtën, siç ishte Sandersi në SHBA, por edhe lëvizje të tjera të majta në Evropë, kur sulmon establishmentin apo kastën neoliberale që ka krijuar në këta vende shumë pabarazi, polarizim të theksuar, pasiguri për një pjesë të mirë të shtresës së mesme dhe që premton më shumë mbrojtje nga ana e komunitetit, asistencë të shtetit etj. Në këtë kuptim kemi dy ekstreme që puqen kundër sistemit.
Është normale që të gjithë liderët evropianë që janë në pushtet ata të qendrës liberale, si dhe e majta e qendrës si Renzi, Merkeli Hollande të jenë me Clintonin, sepse janë pjesë e të njëjtit sistem që vihet në kërcënim. Po ashtu me Trumpin vihet në kërcënim edhe ideja e Evropës së Bashkuar ndërkohë që këta janë europeistë. Në Itali Trumpi mund të gjejë mbështetje tek Lega Nord e Salvinit. Përgjithësisht ai gjen mbështetje tek ato forca që janë kundër ekspansionit të SHBA dhe Evropës në kuptimin e globalizimit dhe neoliberalizmit veçanërisht.

Deklaratat sipas të cilave Trumpi është i mirëpritur nga Rusia dhe Kina duhet parë edhe si reflektim i politikave amerikane të “armikut të nevojshëm”. Pra akuzimi i Trump-it për lidhje me Putinin apo me Kinën, duke ditur se SHBA i ka këta shtete si “armiq të nevojshëm”, i forcon pozitat Clintonit. Se sa kjo mund të jetë e vërtetë mbetet për tu parë. Fakti është se demokratët në SHBA janë dalluar për pozicione më të moderuara edhe ndaj atyre shteteve që janë konsideruar si armiq të SHBA. Kanë qenë republikanët më agresivë sesa ata. Kurse këtu del Trumpi më afër tyre.

A mund të nisë Trumpi apo Clintoni luftë siç po thuhet në fushatë?
Nuk mendoj se mund të vijë një luftë nga Perëndimi, ndonëse çdo gjë mund të ndodh, kur kemi parasysh politikat e gabuara të George Bushit psh.; që destabilizoi një rajon të tërë me Irakun. Por edhe duke patur parasysh se Amerikanët kanë patur gjithnjë dëshirë për të qenë protagonistë dhe thirrja e Trumpit se do ta kthejë Amerikën në madhështinë e saj të dikurshme mund të na çojë në situata të rrezikshme. Por nga ana tjetër ai deklarohet për marrëdhënie të mira me Putinin. Prandaj them se duhet të ndajmë propagandën elektorale nga real politika.

Gjithsesi përmbi këto është i padiskutueshëm fakti se këto zgjedhje vunë në dukje faktin që bota po ka gjithnjë e më pak besim tek politika. Qoftë Trumpi qoftë Clinntoni janë kandidatë më pak popullorë që kanë njohur zgjedhjet amerikane. Kjo ka të bëjë me krizën e sistemit që reflekton edhe krizën e demokracisë. Personalisht kam simpatizuar Sunders-in dhe sikur të mund të votoja nuk do të votojë asnjërin nga këta të dy, por do të votoja kandidatin e gjelbër.

Efekti mbi Shqipërinë
Lidhur me efektin e këtyre zgjedhjeve për Shqipërinë them se implikimi më i madh që mund të ndodhte ka të bëjë me rritjen e mundësisë së prishjes së projektit evropian me fitoren e Trumpit. Me fitoren e tij do të merrnin hov lëvizjet konservatore siç ishte edhe Brexit, dhe për Shqipërinë një prishje e projektit evropian është më problematike se në vende të tjera sepse jo vetëm klasa politike, por edhe projekti i Shqipërisë është shumë i lidhur me këtë projekt. Shqipëria ka shumë më pak fuqi se vende të tjera europiane për t’u mbështetur në këmbët e veta pa patericën evropiane. Pra nëse vendet europiane do të hiqnin dorë nga projekti evropian atëherë një Shqipëri mbetur në fatin e vetë do të ishte më e rrezikuar se vendet e tjera ballkanike.

Analisti Fatos Lubonja ka folur mbi zgjedhjet presidenciale në SHBA, në rubrikën “Opinion” në “News 24”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb