Më 31 gusht 2019, Sekretari Amerikan i Shtetit (ministri i Jashtëm i SHBA-ve) Mike Pompeo emëroi Zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Aziatike, Matthew Palmer si Përfaqësues i Posaçëm i SHBA-ve për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që do vijojë të mbajë detyrën e deritanishme si përfaqësuesi i parë i diplomacisë amerikane në Evropë dhe Euroazi. Ky diplomat amerikan, për ne si qytetarë të thjeshtë erdhi në kohën e duhur në skenën tonë të turbullt politike, me protagonizmin e tij. Ai përfaqësoi garantuesin amerikan të mosderdhjes së gjakut më 30 qershor 2019, apo mospërshkallëzimit më të madh të dhunës në protestat e opozitës. Gjuha e tij e drejtpërdrejtë, e fortë dhe gati-gati e ashpër ishte frenuesi më efikas i papërgjegjësive ekstreme që politika e verbër e ditës po gatuante në Tiranë.


Edhe sikur të gjithë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë të ishin kapur dorë për dore dhe të përpiqeshin të bllokonin aktet e dhunës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë apo tek Parlamenti, gjatë protestave të opozitës, ky veprim ekstrem nuk do të bënte as edhe një të dhjetën e efektit që bënë paralajmërimet e rënda të zyrtarit të lartë amerikan. Ishte Palmer, që paralajmëroi me emër drejtuesit e opozitës sonë se SHBA do t’i mbante përgjegjës ata personalisht për aktet e dhunës në protestën më të madhe të opozitës në maj. Palmer i ndaloi ata t’i bënin keq vetes së tyre dhe vendit. Ideatorëve dhe ithtarëve të flaktë të dhunës për të arritur qëllime politike, pozicionimi i tij iu prishi shumë punë. Kështu që vluan në Tiranë skenarët konspirativë se Palmer do të largohej së shpejti nga detyra, për shkak të pozicioneve të tij tejet larg atyre të një diplomati të karrierës. Në të vërtetë u provua me promovimin e tij të katër ditëve më parë nga administrata Trump, se ai u kishte shërbyer më së miri interesave amerikane në rajon dhe në Shqipëri, pikërisht duke bërë diplomatin aktiv dhe kurajoz në deklarata dhe në qëndrime.


Nga ana tjetër, ai injektoi në atë kohë të vështirë më shumë kurajë tek drejtuesit e sotëm të ambasadës amerikane në Tiranë, për qëndrimet e tyre të forta gjatë protestave të opozitës në muajt shkurt-maj 2019. Pa dyshim, rikonfirmimi i tij në pozicionin e Zv.ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Aziatike i jep karburant të ri Ambasadës së SHBA-ve tek ne, për të mbështetur akoma dhe më fort reformën tonë në drejtësi dhe integrimin për në BE. Palmer njihet si një përkrahës i flaktë i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Për ne shqiptarët, hapja e bisedimeve për anëtarësim është biznesi i jetës. Të paktën për dy gjenerata tonat: ata që transformimi epokal i vitit 1990-të i kapi ende të rinj dhe ata që u lindën në atë kohë. Polonia që i hapi bisedimet e anëtarësimit për në BE në vitin 1998, nga kjo kohë e deri tani e ka parë Prodhimin e saj të Brendshëm Bruto të dyfishohet. Dhe bashkë me të, të dyfishohet edhe standardi i jetesës për polakët e thjeshtë. Bullgaria i hapi bisedimet e anëtarësimit në vitin 2000 dhe derisa u anëtarësua në vitin 2007, në më pak se tetë vjet standardi i jetesës i bullgarëve të thjeshtë u rrit me 40 për qind. As më shumë e as më pak, këtë duam edhe ne të ndodhë me Shqipërinë tonë. Mirëpo hapja e bisedimeve dhe rezultatet konkrete të reformës në drejtësi janë bërë si dy vëllezër siamezë. I ndihin njëra-tjetrës. Sidomos integrimi pret nga hapa të tjerë më zemërdhënës të reformës në drejtësi. Dhe këtu mbështetja dhe vendosmëria amerikane është përcaktuese. Prandaj na duhet personaliteti, karizma dhe kontributi më nga afër i Matthew Palmer, këtij zyrtari të lartë profesionist të Uashingtonit. Prandaj i ndjejmë SHBA-të më afër jo vetëm me kontributin e tij për rihapjen e dialogut Prishtine-Beograd, që duket si detyra parësore që ka marrë me emërimin e ri, por edhe për përshpejtimin e biznesit sonë të jetës, integrimit në BE./GazetaShqiptare/