KORE E VERIUT-Në prill të vitit 2014, amerikani Methju Miller udhëtoi drejt Koresë së Veriut si një turist. Ai e prishi vizën e tij gjatë udhëtimit dhe u përpoq të kërkonte azil dhe sipas fjalëve të tij, bëri të pamundurën që të arrestohej. Përse?

 

Ka një ritual që ndiqet kur Koreja e Veriut arreston qytetarë të Shteteve të Bashkuara. Sepse ata janë mbi të gjitha pas hekurave të një prej vendeve më despotike në planet ku metodat e ndëshkimit variojnë nga “tortura, vrasja, puna e detyruar, përdhunimi, abortimet e detyruara dhe dhunë tjetër seksuale”.

Çdo president amerikan do të duhej të bënte shumë punë për të nxjerrë nga burgu çdo të paraburgosur. Dërgohen përfaqësues të posaçëm për të sqaruar të tilla çështje.

Por çfarë ndodh nëse i paraburgosuri dëshiron të qëndrojë atje? Methju  (Matthew) Miller që u lirua më 8 nëntor, ishte një rast interesant. Ai kërkoi të burgosej edhe kur koreanët donin ta hipnin në një avion dhe ta dërgonin drejt e në shtëpi.

“NK News”, një uebsajt i respektuar që e intervistoi Millerin për disa ditë nëpërmjet e-mail-it, e përshkruan atë si një turist kureshtar që shkoi me pushime ekstreme. Ai i tha portalit në fjalë se donte të zbulonte se Koreja e Veriut ishte një vend shumë larg turizmit të zakonshëm.

“Doja vetëm që koreanoveriorët t’u përgjigjeshin pyetjeve të mia personalisht”, ka thënë ai. Ai nuk e shpjegoi sesi arrestimi do ta ndihmonte atë të takohej me koreanoveriorët.

Frika nga arrestimi

“Frika ime më e madhe, ishte se ata nuk do të më arrestonin kur të mbërrija”, tha ai. Jo vetëm që dëmtoi vizën e tij, por ai prodhoi edhe një numër shënimesh të ngatërrueshme. “E shkrova ditarin në Kinë përpara se të mbërrija në Korenë e Veriut”, tha Miller për “NK News”.

Shënimet thoshin se mes gjërave të tjera, ai ishte një haker që synonte të zhvendoste ushtrinë amerikane nga Koreja e Jugut.

“Ndoshta libri i shënimeve ishte shumë i dukshëm në fillim të valixhes, ndaj ata me kalimin e kohës filluan të dyshonin dhe donin ta dinin qëllimin e vërtetë të vizitës sime”.

Në intervistë, Miller tha gjithashtu se ai u tha zyrtarëve se kishte sekrete ushtarake dhe se koreanoveriorët e dinin se vëllai i tij ishte një pilot në forcat ajrore amerikane, por nuk u interesonte kjo.

Kur ata ranë dakord të mos e kthenin në atdhe, ai nuk u mbajt në burgje staliniste – siç mendonte – por në një hotel të madh dhe më pas në një shtëpi pritjeje, të mbyllur me çelës ku jetonin edhe amerikanë të tjerë.

Vetëm pasi u dënua në shtator me gjashtë vite punë të rëndë, ai u zhvendos në një lloj ndërtese burg, si një lloj ferme, sipas Methju.

Kush ishte Miller?

Pak pasi u dënua, një raportim i “Reuters”-it zbuloi se Miller ishte 25 vjeç dhe ishte nga Kalifornia, po ashtu, ai kishte një obsesion për Lizën në Botën e Çudirave dhe se kishte kaluar dy vite në Korenë e Jugut. Ai admironte shkrimtarë si Lewis Carroll, George Orwell dhe Oscar Wilde.

I mbyllur në një botë fantastike të tijën, ai fantazonte gjëra që turistët e zakonshëm nuk i mendonin.

Shumica e amerikanëve që arrestohen në Korenë e Veriut, janë misionarë që marrin parasysh rreziqet e shpërndarjes së besimit të krishterë në një shtet shumë ateist dhe që kapen, si për shembull Robert Park, që hyri në Korenë e Veriut në dhjetor 2009 dhe që u lirua dy muaj pas arrestimit.

Ai thotë se u torturua dhe vazhdon të vuajë trauma të rëndë mendore edhe sot e kësaj dite.

Sipas ‘North Korea Travel’, që dokumenton arrestimet e të huajve në shtetin e izoluar, një koreano-amerikan notoi për një bast përmes lumit Yalu nga Kina në vitin 1996. Ai u gjet nga fermerët e Koresë së Veriut i dehur dhe i zhveshur; u lirua vetëm pasi familja e tij i pagoi autoriteteve 5000 dollarë.

Miller është çështje më vete.

Ai i tha “NK News” se u pendua dhe kërkoi ndihmë. Për këtë arsye, kreu i shërbimeve sekrete amerikane, Jamess Clapper, shkoi në Korenë e Veriut për të ndërmjetësuar.

“Ndihem me faj për krimin. Ishte një krim. U humba shumë kohë koreanoveriorëve dhe amerikanëve”, tha ai. Nga ana tjetër, Methju kaloi pesë muaj duke biseduar me njerëz të ndryshëm dhe ia arriti qëllimit të shihte më shumë nga Koreja e Veriut.

“Mendoj se ishte një gabim, por i suksesshëm ama!” shprehet ai.

 

(a.n/Shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb