TIVAR – Shtetasja amerikane Tracy Shannon Lyn, e cila është banore e përhershme në Tivar të Malit të Zi për të katërtin vit, ka denoncuar sot në polici se vajza e saj e mitur Zynlee Ryan është rrëmbyer nga babai i saj Thomas Hollenbeck.

Sipas Shannon Lyn, Thomas Hollenbeck është ish-burri i saj. Ajo shprehet se Thomas Hollenbeck ka kaluar ilegalisht kufirin malazezo-shqiptar me vajzën e tyre gjashtëvjeçare. Shannon Lyn është njoftuar përmes Ambasadës Amerikane në Podgoricë se ka kërkuar pasaportë për fëmijën në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Ndërkohë bëhet e ditur se edhe Interpoli është informuar për rrëmbimin e fëmijës.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Balkanweb se Shannon Lyn tha për portalin Primorski në Malin e Zi se mëngjesin e 14 gushtit është informuar nga Ambasada Amerikane në Podgoricë se Thomas Hollenbeck në Ambasadën Amerikane në Tiranë ka kërkuar që të bëhet një pasaportë për fëmijën e tyre Zynlee Ryan.

“Në Mal të Zi janë duke vazhduar procedurat gjyqësore lidhur me kujdestarinë e të miturës Zynlea Ryan. Gjykata ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar. Vitin e kaluar, në shtator, gjykata e lejoi Tomasin të shihte vajzën tonë dy herë në javë, të martën dhe të premten nga ora 16-21. Këtë të drejtë ai filloi ta përdorte vetëm në qershor të këtij viti. Ka ndodhur që ai është vonuar, por ka deklaruar se këto janë arsye objektive, bllokim trafiku. Deri mbrëmë ka informuar gjithmonë me telefon. Mirëpo, mbrëmë kur nuk e solli fëmijën, e thirra, por telefoni ishte i fikur. Gjatë natës pas orës 22:00, shkova në Qendrën e Sigurimit të Tivarit dhe raportova se fëmija nuk ishte kthyer në shtëpi. Isha shumë e shqetësuar. Kisha frikë se mos e kishte rrëmbyer. Fatkeqësisht, kjo u konfirmua sot në mëngjes”, tha Shannon Lyn për Primorski Portal.

Sipas Shannon Lyn, Ambasada Amerikane në Tiranë u konfirmoi kolegëve të tyre në Podgoricë se e kishin parë fëmijën dhe se ajo dukej mirë fizikisht.

Gjithnjë sipas nënës së vajzës, Ambasada e SHBA në Podgoricë përcolli raportimin e gjithçkaje në polici dhe Interpol.

Shannon Lyn pretendon se Interpolit i takon të urdhërojë Ambasadën Amerikane në Tiranë që të kërkojë ekstradimin e fëmijës gjashtë vjeçar te nëna në Mal të Zi.

Në deklaratën e saj në polici, në të cilën portali Primorski arriti të marrë informacion, Shannon Lyn deklaroi se Thomas Hollenbeck ishte dënuar për disa krime.

Nga SHBA, Shannon Lyn u shpërngul me fëmijët e saj në Mal të Zi, Tivar, katër vjet më parë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: