TIRANE

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur të përfshihet për herë të parë në procesin e organizimit dhe koordinimit të praktikave mësimore të studentëve pranë shoqërive që veprojnë në tregjet nën mbikëqyrjen e tij.

Autoriteti i ka kërkuar kompanive që veprojnë në tregun e sigurimeve, fondeve të investimeve dhe pensioneve private vullnetare që të angazhohen për të mirëpritur për zhvillimin e praktikave mësimore një numër prej të paktën 300 studentësh. Të rinjtë janë pjesë e universiteteve, publike ose private, me të cilët AMF ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Ata do të kenë mundësi të njihen me shoqëritë, tregun ku ushtrojnë veprimtarinë, si edhe alternativat potenciale që mund t’u ofrohen në tregun e punës në Shqipëri në këtë sektor, pas përfundimit të studimeve të larta universitare.

Subjektet nën mbikëqyrje i janë përgjigjur pozitivisht iniciativës se Autoritetit dhe AMF është aktualisht e angazhuar në procesin e koordinimit mes universiteteve dhe shoqërive për caktimin e periudhës së përshtatshme për zhvillimin e praktikës mësimore. Mbi 90 studentëve do të zhvillojnë praktika mësimore në sistemin bankar, për t’u njohur nga afër me funksionin e bankave të nivelit të dytë si broker, kujdestar apo shoqëri komisionere. 55 të rinj do t’i zhvillojnë praktikat mësimore pranë shoqërive të tregut të sigurimeve, rreth 130 në shoqëritë që operojnë në tregun e investimeve dhe mbi 20 studentë do të njihen nga afër me shoqëritë e fondeve të pensioneve private vullnetare.

Kjo nismë do të shërbejë për të rritur edukimin financiar të studentëve, do t’u japë atyre më shumë informacion në lidhje me tregjet financiare jobankare dhe do t’i stimulojë të bëhen pjesë e tyre me daljen në tregun e punës.

Kjo iniciativë e AMF-së është në vazhdim të punës së bërë gjatë vitit 2018, kur Autoriteti nënshkroi 8 marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe kolegje universitare të ndryshme private dhe publike, duke u dhënë kështu studentëve të tyre mundësinë për t’u njohur me aktivitetin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje. Gjithashtu, u organizua konferenca e parë kombëtare për “Edukimin Financiar”, ku studentët u përfshinë aktivisht me punimet e tyre në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: