Rreth 453 mijë familje janë pjesë e skemës nga e cila mund të përfitojnë falje të kamatëvonesave në rast se paguajnë pa ndërprerje 6 muaj radhazi detyrimet për energji, sipas kontratës së firmosur me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë.

Abonentët që s’e kanë lidhur ende kontratën me OSHEE-në, duhet ta nënshkruajnë atë sa më parë, pasi afati për të përfituar është deri në qershor të këtij viti. Për të përfituar duhen dy dokumente: Karta e identitetit nëse është personalisht në sportel, ose autorizim me shkrim nga mbajtësi i kontratës dhe karta ID e klientit dhe e personit që do të paraqitet për pagesë. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Ardian Çela.

Përfituesit e rinj
Pjesë e skemës për fshirjen e kamatëvonesave mund të bëhen edhe abonentët që deri tani nuk kanë qenë të rregullt me pagesat e energjisë elektrike, ose ato kategori që nuk kanë lidhur ende një marrëveshje me OSHEE-në. “Ky proces ka nisur nga data 19.12.2016 deri në qershor 2017.

Kjo do të thotë se, u jepet mundësi të përfitojnë edhe atyre që nuk kanë AKM, ose kanë dalë nga marrëveshja me OSHEE-në duke mos respektuar afatet. Mjafton të jenë pagues të rregullt të kësteve për 6 muajt në vijim deri në qershor 2017 dhe mund të jenë përfitues të zerimit të kamatës për abonentët me këstet mujore 1.200 lekë dhe reduktim 80% të kamatës për abonentët familjarë me këst 2.800 lekë.

Përfituesit
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të aplikojë një skemë të re për debitorët e energjisë. Janë 126.000 abonentë në total që përfitojnë reduktim kamate deri në zerim të plotë të saj, me efekt financiar 155 milionë dollarë.

Janë rreth 66.539 pensionistë, invalidë dhe persona që marrin ndihmë ekonomike që kanë aktmarrëveshje me të cilat paguajnë sot shlyerjen e borxhit me këste 1.000 ose 1.200 lekë në muaj, e të cilëve në fillim të vitit të ardhshëm do t’u fshihen detyrimet për kamata kundrejt një pagese simbolike prej 20 lekësh. Do të përfitojnë fshirje të kamatave 59.461 konsumatorë familjarë që kanë paguar rregullisht këstet prej 2.500 ose 2.800 lekësh në muaj. Kushti i vetëm është që, abonentët familjarë të kenë paguar sipas marrëveshjes këstet e kamatave gjashtë muajt e fundit.

Sistemi i matjes
Kreu i qeverisë, ministri i Energjisë dhe kreu i OSHEE-së janë takuar dje me përfitues të skemës së pagesave të energjisë me këste. Kryeministri Edi Rama ka prezantuar edhe projektin e ri për matjen e energjisë elektrike, i cili sipas tij do të fshijë rastet e mbifaturimit. Rama rikujtoi edhe një herë skemën lehtësuese për pensionistët dhe shtresat në nevojë, ku pohoi se do të ketë lehtësi për pagesat edhe në të ardhmen. Një nga prometët e qeverisë është edhe ulja e nivelit të TVSH-së për energjinë, e cila automatikisht do të çojë në uljen e çmimit të saj.

“Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se, në këtë rrugë do të jemi në gjendje të vazhdojmë të lehtësojmë ata që janë më në nevojë. Do jemi në gjendje të vazhdojmë të lehtësojmë të gjithë ata që kanë detyrime të së kaluarës. Do jemi në gjendje të shkojmë drejt përmbushjes së një objektivi, uljen e TVSH-së së energjisë. Por kjo kërkon që ta kemi të gjithë sistemin të ndërtuar, të kontrolluar dhe të kontrollueshëm, jo vetëm prej nesh, por edhe nga qytetarët”, – tha Rama.

U falen kamatat 66.539 pensionistëve
Janë rreth 66.539 pensionistë, invalidë dhe persona që marrin ndihmë ekonomike që kanë aktmarrëveshje me të cilat paguajnë sot shlyerjen e borxheve me këste 1.000 ose 1.200 lekë në muaj, të cilëve në fillim të vitit të ardhshëm do t’u fshihen detyrimet për kamata kundrejt një pagese simbolike.

Përfituesit dhe dokumentet
Abonentët që nuk kanë lidhur ende marrëveshje me OSHEE-në për shlyerjen e detyrimeve duhet të plotësojnë një sërë dokumentesh, në varësi të kategorisë ku mund të përfitojnë.

Pensionistët kryefamiljarë
Të paguajnë këste më të vogla se skemat e mëparshme duke iu hequr të gjithë kamatëvonesën kundrejt pagesës 20 lekë

Dokumentet
1. Paraqitja në sportelet e OSHEE-së për përditësimin e të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike;
2. Paraqitja e certifikatës familjare ku përcaktohet që pensionisti është kryefamiljar dhe datat e shkëputjes nga trungu i familjes i pjesëtarëve të tjerë, e cila duhet të jetë para datës 1.12.2015;
3. Paraqitja e ID Card dhe librezës së pensionit;
4. Konsumatori duhet të jetë mbajtës i kontratës së furnizimit me energji elektrike ose përdorues i pronës për më shumë se 3 muaj nga data e aplikimit për AKM;
5. Paraqitjen e dokumentacionit që ka përfituar ose jo kompensim për faturat e energjisë elektrike në muajin e fundit.

Pensionistët
Reduktim të kësteve në masën e 1.200 lekëve në muaj
Dokumentet
1. Paraqitja në sportelet e OSHEE-së për përditësimin e të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike;
2. Paraqitja e certifikatës familjare ku përcaktohet që pensionisti është kryefamiljar dhe datat e shkëputjes nga trungu i familjes i pjesëtarëve të tjerë, e cila duhet të jetë para datës 1.12.2015;
3. Paraqitja e ID Card dhe librezës së pensionit;
4. Konsumatori duhet të jetë mbajtës i kontratës së furnizimit me energji elektrike ose përdorues i pronës për më shumë se 3 muaj nga data e aplikimit për AKM;
5. Paraqitjen e dokumentacionit që ka përfituar ose jo kompensim për faturat e energjisë elektrike në muajin e fundit.

Ndihma ekonomike
1. Skemë për reduktimin e kamatëvonesës kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 10 lekë, për ata që respektojnë ripagesën e kësteve deri në 30.06.2016 për personat që janë përfitues të ndihmës ekonomike, të cilët nuk kanë respektuar pagesën e kësteve mujore dhe të faturës korrente deri në datën e shpalljes së ofertës, në 19.11.2015.
2. Skemë për reduktimin e kamatëvonesës kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 20 lekë për personat që janë përfitues të ndihmës ekonomike, të cilët do të lidhin rishtazi aktmarrëveshje me shoqërinë për likuidimin e detyrimeve të prapambetura deri në 30.11.2015, me 1200 lekë në muaj dhe që do respektojnë ripagesën deri në 31.12.2016.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb