NGA: ORNELA MANJANI*
Pensionistët kryefamiljarë do të përfitojnë faljen e kamatëvonesave të energjisë elektrike në rast se lidhin një kontratë me Operatorin e Energjisë Elektrike me këste më të ulëta se skema aktuale. Përfitues janë ajo kategori pensionistëve kryefamiljarë, të cilët nuk kanë lidhur marrëveshje me OSHEE deri në fund të vitit të shkuar për detyrimet e prapambetura. Në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE janë miratuar disa skema lehtësuese për abonentët debitorë, ku përfshihen edhe pensionistët, abonentët familjarë dhe bizneset. Në mbledhje është vendosur edhe zgjatja e afatit për lidhjen e kontratave për të përfituar zbritje të kamatave deri në 30 qershor të vitit 2016.

PËRFITUESIT
Operatori i Sistemit të Energjisë Elektrike ka miratuar skema të reja për abonentët që janë debitorë. Risi është futja në skemë të “veçantë” e pensionistëve kryefamiljarë, duke u dhënë mundësi të paguajnë këste më të vogla se skemat e mëparshme, duke iu hequr të gjithë kamatëvonesën kundrejt pagesës 20 lekë. OSHEE vendosi miratimin e skemës së përfitimit të pensionistëve kryefamiljarë, të cilët përfitojnë ose jo kompensim për faturat e energjisë elektrike dhe nuk kanë AKM deri në datën e 31.12.2015 për detyrimet e papaguara deri në datën 30.11.2015 së bashku me reduktimin e vlerës së kamatëvonesës kundrejt pagesës prej 20 lekë deri në 31.12.2016, në rast respektimi të pagesës së kësteve dhe pagesës së faturave korrente sipas afateve të përcaktuara. OSHEE ka përcaktuar edhe dokumentet që duhet të paraqesin pensionistët për të lidhur marrëveshjen.

Abonenti duhet të paraqitet në sportelet e OSHEE për përditësimin e të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike. Është e domosdoshme paraqitja e certifikatës familjare, në të cilën përcaktohet që pensionisti është kryefamiljar dhe datat e shkëputjes nga trungu i familjes i pjesëtareve të tjerë, e cila duhet të jetë para datës 1 dhjetor të vitit të shkuar. Pensionisti duhet të paraqesë në zyrat e OSHEEsë kartën e identitetit dhe librezën e pensionit. Konsumatori duhet të jetë mbajtës i kontratës furnizimit me energji elektrike, ose përdorues i pronës për me shumë se 3 muaj nga data e aplikimit për AKM. Gjithashtu, duhet të paraqitet edhe dokumentacioni që provon nëse ka përfituar ose jo kompensim për faturat e energjisë elektrike në muajin e fundit.

REDUKTIMI I KËSTEVE
OSHEE ka vendosur reduktim të kësteve të aktmarrëveshjes në masën e 1200 lekë në muaj për të gjithë pensionistët, të cilët kanë një aktmarrëveshje aktive me shoqërinë për ripagesën e detyrimeve të prapambetura dhe reduktimin e vlerës së kamatëvonesës kundrejt pagesës prej 20 lekë deri në fund 31.12.2016, në rast respektimi të pagesës së kësteve dhe pagesës së faturave korrente brenda afateve të përcaktuara. Kushtet për përfitimin e reduktimit parashikojnë: paraqitjen në sportelet e OSHEE për përditësimin e të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike; paraqitjen e certifikatës familjare ku përcaktohet që pensionisti është kryefamiljar dhe datat e shkëputjes nga trungu i familjes i pjesëtareve të tjerë, e cila duhet të jetë para datës 1.12.2015; paraqitjen e kartës së identitetit dhe librezës së pensionit.

Konsumatori duhet të jetë mbajtës i kontratës furnizimit me energji elektrike, ose përdorues i pronës për më shumë se 3 muaj nga data e aplikimit për AKM dhe duhet të paraqesë në OSHEE dokumentacionin që ka përfituar ose jo kompensim për faturat e energjisë elektrike në muajin e fundit. RIPAGESA Afati i ofertave është shtyrë deri në datën 30 qershor 2016 për skemat e ripagesës së detyrimeve për konsumatorët familjarë. Reduktim i kamatëvonesës në masën 70%, në rast të pagesës së menjëhershme dhe skemat e ripagesës së detyrimeve për konsumatorët jofamiljarë – reduktim i kamatëvonesë në masën 50% në rast të pagesës së menjëhershme. I njëjti afat është vendosur për skemat e reduktimit të kamatëvonesës kundrejt pagesës në 10 lekë të konsumatorëve me ndihmë ekonomike, që kanë respektuar AKM deri në datën e shpalljes së ofertës në 19.11.2015.

KAMATAT
Është vendosur miratimi i skemës së reduktimit të kamatëvonesës kundrejt pagesës totale të saj, në vlerën 10 lekë, që respektojnë ripagesën e kësteve deri në 30.06.2016 për personat që janë përfitues të ndihmës ekonomike, të cilët nuk kanë respektuar pagesën e kësteve mujore dhe të faturës korrente deri në datën e shpalljes së ofertës në 19.11.2015. Një tjetër skemë lehtësuese është ajo reduktimit të kamatëvonesës kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 20 lekë për personat që janë përfitues të ndihmës ekonomike, të cilët do të lidhin rishtazi aktmarrëveshje me shoqërinë për likuidimin e detyrimeve të prapambetura deri 30.11.2015, me 1200 lekë/ muaj dhe që do respektojnë ripagesën deri në 31.12.2016.

BIZNESI
OSHEE ka miratuar skemën e reduktimit të kamatëvonesës kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 100 lekë për konsumatorët e kategorisë biznes i vogël, të cilët janë debitorë kundrejt OSHEE vetëm për vlerën e kamatëvonesës deri në datën e shpalljes së vendimit për këtë skemë për herë të parë – data e shpalljes së ofertës në 19.11.2015. Është miratuar gjithashtu, skema e reduktimit e kamatëvonesës kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 1000 lekë për konsumatorët e kategorisë biznes i vogël, të cilët kanë një detyrim për konsumin e energjisë elektrike për periudhën 2007- 2014 më të vogël se 5000 lekë dhe kamatën më të madhe se 5000 lekë deri në datën e shpalljes së ofertës në 19.11.2015.

SKEMA E RE, PËRFITUESIT DHE DOKUMENTET PENSIONISTËT KRYEFAMILJARË
Të paguajnë këste më të vogla se skemat e mëparshme, duke iu hequr të gjithë kamatëvonesën, kundrejt pagesës 20 lekë.

DOKUMENTET
1. Paraqitja në sportelet e OSHEE për përditësimin e të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike.
2. Paraqitja e certifikatës familjare, ku përcaktohet që pensionisti është kryefamiljar dhe datat e shkëputjes nga trungu i familjes i pjesëtareve të tjerë, e cila duhet të jetë para datës 1.12.2015.
3. Paraqitja e kartës së identitet dhe librezës së pensionit.
4. Konsumatori duhet të jetë mbajtës i kontratës së furnizimit me energji elektrike, ose përdorues i pronës për më shumë se 3 muaj nga data e aplikimit për AKM.
5. Paraqitje e dokumentacionit që kanë përfituar ose jo kompensim për faturat e energjisë elektrike në muajin e fundit.

PENSIONISTËT
Reduktim të kësteve në masën e 1200 lekë në muaj.

DOKUMENTET
1. Paraqitja në sportelet e OSHEE për përditësimin e të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike.
2. Paraqitja e certifikatës familjare, ku përcaktohet që pensionisti është kryefamiljar dhe datat e shkëputjes nga trungu i familjes i pjesëtareve të tjerë, e cila duhet të jetë para datës 1.12.2015. 3. Paraqitja e kartës së identitetit dhe librezës së pensionit. 4. Konsumatori duhet të jetë mbajtës i kontratës së furnizimit me energji elektrike, ose përdorues i pronës për më shumë se 3 muaj nga data e aplikimit për AKM. 5. Paraqitja e dokumentacionit që ka përfituar ose jo kompensim për faturat e energjisë elektrike në muajin e fundit.

NDIHMA EKONOMIKE
1. Skemë për reduktimin e kamatëvonesës kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 10 lekë, që respektojnë ripagesën e kësteve deri në 30.06.2016 për personat që janë përfitues të ndihmës ekonomike, të cilët nuk kanë respektuar pagesën e kësteve mujore dhe të faturës korrente deri në datën e shpalljes së ofertës në 19.11.2015. 2. Skemë për reduktimin e kamatëvonesës kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 20 lekë për personat që janë përfitues të ndihmës ekonomike, të cilët do të lidhin rishtazi aktmarrëveshje me shoqërinë për likuidimin e detyrimeve të prapambetura deri 30.11.2015, me 1200 lekë në muaj dhe që do respektojnë ripagesën deri në 31.12.2016.

KONSUMATORËT FAMILJARË
1. Skemë ripagese të detyrimeve për reduktim kamatëvonesës në masën 70%, në rast të pagesës së menjëhershme. 2. Skemë reduktimi e kamatëvonesës kundrejt pagesës në 10 lekë të konsumatorëve me ndihme ekonomike, që kanë respektuar AKM deri në datën e shpalljes së ofertës në 19.11.2015.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: