TIRANE- “Stema e re e Maqedonisë me luanin e kuq në sfond të verdhë përfaqëson vetëm maqedonasit dhe nuk ka asgjë të bëjë me shqiptarët”. Kështu shprehet analisti shqiptar nga Maqedonia, Arsim Sinani në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24.

“Kjo stemë nuk është propozim i Shqiptarëve edhe pse realisht nuk na pengon, por ajo nuk përfaqëson Maqedoninë si tërësi për shkak se ky vend është shtet i disa kombeve dhe dy kombet kryesore janë shqiptarët dhe maqedonasit dhe në atë stemë nuk ka asnjë element shqiptar” shprehet analisti Sinani.

Ai thotë se “ka akuza se i përngjan stemës së partisë VMRO-DPMNE apo stemës së Bullgarisë” dhe se për shqiptarët kjo stemë është e papranueshme.

“Kjo është çështje e historianëve që duhet të flasin për këtë, por për shqiptarët kjo stemë me luan është e papranueshme. Ne nuk do ta pranojmë atë, deputetët shqiptarë mund ta votojnë atë në parlament, por atëherë nuk do të jenë më shqiponja, por luanë”, deklaron Sinani i cili nënvizon se në momentin që ky propozim do të shkojë në parlament, deputetët shqiptarë kanë mundësi që ta bllokojnë atë.

“Të vendosin çështjen e Bandinterit për të bllokuar këtë ligj, por edhe nëse pala Maqedonase e kalon, është radha e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim. Mendoj se duhet të kalojë një diskutim të gjerë kjo çështje, të zgjidhet brenda shqiptarëve dhe maqedonasve me një kompromis që stema të ketë edhe elementë shqiptare”, thotë Sinani.

Sipas analistit shqiptar, “nëse ata e duan luanin dhe ne e duam shqiponjën”. Atëherë sipas tij nevojitet një kompromis mes luanit dhe shqiponjës, që të përfaqësoje dy etnitë kryesore.

“Në këto momente kjo stemë është e papranueshme. Deputetët në mënyrë të stisur mund ta votojnë atë, por kjo do të ngelet në ndërgjegjen e tyre. Ne do të përdorim mënyrat demokratike të peticioneve, por dy partitë kryesore duhet të jenë të vëmendshme që të mos e fusin Maqedoninë në një tjetër krizë për shkak të stemës e për pasojë të na fusin edhe në një palë zgjedhje të reja sepse në Maqedoni po vjen era zgjedhje vitin e ardhshëm për shkak se kemi një opozitë që nuk i njeh institucionet dhe nuk merr pjesë në parlament”, deklaron analisti Arsim Sinani në intervistën e dhënë për “Diplomaticus” në News24.
maqedoni-stema_853011436
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb