TIRANË- Akademiku Artan Fuga e sheh të zymtë situatën politike në raport me problemet e vendit.

Në një analizë të publikuar në profilin e tij në “Facebook”, Fuga shkruan se ne kemi tri parti politike që përplasen me njëra-tjetrën, rivalizojnë me njëra-tjetrën, ndërkohë që aktualisht të tria janë në pushtet.

Sipas tij këto forca politike njehsohen me kombin dhe partia me shtetin, lideri me Skënderbeun, por logjika e nëndheshme është ajo e partisë-shtet.

NGA ARTAN FUGA

Pluralizmi politik ëndërr e parealizuar
Aktualisht në prag të kësaj dite zgjedhjesh që afron me 25 qershorin e këtij viti ne kemi tri parti politike që përplasen me njëra-tjetrën, rivalizojnë me njëra-tjetrën, ndërkohë që aktualisht të tria janë në pushtet.

Partia socialiste që ka timonin e pushtetit prej katër vitesh, e ka ndarë atë timon me LSI, si edhe Partia Demokratike, pas marrëveshjes Rama-Basha, ka edhe ajo ministrat e propozuar prej vetë asaj në krye të ministrive.

Tre parti opozitare me njëra-tjetrën, që të tria në pushtet!
Ky është absurditeti ku kemi mbërritur.

Ndërkaq secila nga partitë në fushatën e vet zgjedhore nuk paraqitet sikur përfaqëson vetëm një pjesë të shoqërisë shqiptare, por sikur paraqet të gjitha interesat e mbarë shqiptarëve, njehsohet me kombin. Në logjikën politike partia njehsohet me shtetin, lideri me Skënderbeun ose Themistokli Gërmenjin, dhe partia paraqitet si përfaqësuese e kombit. Logjika e nëndheshme është ajo e partisë – shtet. Monoparti.

Gjithashtu, partitë e ndryshme thonë pothuajse të njëjtat gjëra, të njëjtat premtime, mirëqenie, shtet, siguri, integrim, duke mos pasur alternativa të veçuara.

Duke ashiqare që pluralizimi politik është tretur, ose ende nuk është ngjizur.
Shoqëria shqiptare nuk ka diversitetin e duhur social dhe ekonomik, as kulturor për ta shfaqur veten në parti politike që të përfaqësojnë alternativa të ndryshme politikën.

Zërat e kategorive shoqërore janë mbytur. Elektorati nuk shpreh dot veten, por i lejohet vetëm të ndjekë mitingjet elektorale duke shpresuar se mund të përfitojë ndonjë gjë nga punësimi në shtet.

E varfër, e pazhvilluar, në periferi të zhvillimeve të sotme europiane dhe botërore, Shqipëria ka mbetur e pahapur ndaj sfidave të sotme të zhvillimit që do ta kishin diversifikuar në gjetjet e saj politike.

Shqiptarët sot janë një turmë e padiferencuar në interesa masive shtresash dhe kategorish sociale. Me përjashtim të një grushti mbledhësish parash, populli është i varfër dhe në zgrip të hallit. Lufton për nevoja jetike bazë që janë të njëjta madje edhe me nevojën e mbijetesës së kafshëve shtëpiake. Duhet nginjur barku me bukë.

Edhe si kulturë, diversiteti kulturoro-politik na mungon keq.
Pyetja që lind: Duke mos pasur alternativa të ndryshme politike dhe kulturore si është e mundur të mbahen të ndara si organizime partitë nga njëra-tjetra?

Duhet thënë se këto parti janë më shumë grupe njerëzish që kërkojnë të ndajnë pushtet duke qenë solidarë me njeri tjetrin, kundër grupimeve të tjera. Nuk përfaqësojnë shtresa shoqërore. Përfaqësojnë vetveten.

Në historinë e pluralizimit tonë partiak, por ende jo politik, ndarjet e partive janë mbajtur gjallë jo duke shtuar dozat e identitetit kulturor të çdo partie. Politikanët nuk kanë qenë të zotët ta bëjnë këtë.

Kufijtë organizativë midis partive janë mbajtur të ngritur si diga me ngjarje që nuk kanë lidhje me kulturën politike, por duke sakrifikuar individë, ose duke u mbështetur mbi ritin e sakrificës personale.

Në fillim të viteve 90 kufijtë ndarës midis partisë socialiste dhe partisë demokratike u mbajtën ngritur pas arrestimit të Fatos Nanos.

Aty nga fundi i viteve 90, nga vrasja e Azem Hajdarit.
Në vitet e dekadës së dytë të këtij shekulli, nga vrasjet e katër qytetarëve në bulevard.
Është krimi politik që ka mbajtur gjallë fatkeqësisht pluralizimin partiak. Jo kultura e alternativave politike.

Dhe sot ne jemi në pikën më të zbehtë të këtij pluralizmi, ku tre partitë opozitare me njëra-tjetrën në fushatën e sotme zgjedhore, janë të tria në pushtet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: