TIRANË- Analisti Andi Bushati ka folur nga studio e “News24” për protestën e opozitës dhe deklaratat e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Duke iu referuar edhe përplasjes që Basha pati me dy gazetarë mbrëmjen e së martës në emisionin “Studio e Hapur”, Bushati tha se Basha po përpiqet të krijojë një profil të ri.

Sipas tij, nga njëra anë, lideri i opozitës por iu kërkon falje qytetarëve për ato çfarë ka bërë qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe nga ana tjetër por flet për krijimin e diçkaje të re.

“Basha ka kërkuar falje për shumë gjëra. Nga ana tjetër kemi një ashpërsim të gjuhës së Bashës, duke shkuar tek thirrjet për ‘thyerje xhamash’, ‘mediat që do t’i përfshijë era e ndryshimit’ dhe ‘goditja e personazheve mediatikë me emër’. Pra, brenda një lideri edhe falja dhe ashpërsia. Basha në një farë mënyre po do të krijojë një profil të ri dhe do t’i kërkojë një lloj ndjese qytetarëve për gjithë ato që ka bërë qeverisja e Berishës dhe flet për krijimin e diçkaje nga e para”, tha Bushati në rubrikën “Opinion” në “News 24”, raporton “BalkanWeb.

Por analisti Bushati sheh një gabim tek lideri i opozitës: kundërshtimi i tij për të votuar vettingun.

“Që ditën e parë protesta e opozitës u sulmua nga kundërshtarët e saj, të cilët thanë se nuk bëhet për zgjedhje të lira por për të bllokuar vettingun. Ajo që prisja unë është që Basha të thoshte që po këtë kushtetutën e kemi bërë bashkë 140 veta por vettingun unë do vij ta votoj. Por po bën të kundërtën. Kundërshtarët e akuzuan për vettingun dhe ai tha që unë vettingun do e votoj pasi Rama të mos jetë kryeministër dhe kur të krijojë Republikën e re. Pra ose ai ka si qëllim të mos e votojë vettingun ose ka rënë në kurthin e kundërshtarëve”, tha Bushati.

Lidhur me reagimin ndërkombëtar për këtë protestë si dhe vizitën e përfaqësueses së lartë të BE-së për çështjet e jashtme dhe sigurinë Federica Mogherini, analisti Bushati tha se shqetësimi real i komunitetit ndërkombëtar dhe i vizitës së saj është reforma në drejtësi.

“Ballkani post Trump i mbushur me intriga, mendoj që shqetësimi real i komunitetit ndërkombëtar dhe i vizitës së Mogherinit do jetë reforma në drejtësi dhe hapja rrugë e vettingut. Kur Lulzim Basha vuri dhe kushtin që ndoshta nuk e votoj vettingun pa kaluar në një qeveri të re i uli marzhin për negociata edhe me ndërkombëtarët. Nëse nuk do e kishte ngritur murin për vettingun do kishte realizim kushtesh për zgjedhje të lira”, tha Bushati.

Përsa i përket qëndrimit të pashqetësuar të kryeministrit Edi Rama ndaj protestës së opozitës, Bushati tha se është një fabul që nuk qëndron.

“Është një situatë deja vu, sepse edhe kur Rama ishte në çadër apo protesta në bulevard, refreni kryesor i Sali Berishës ishte që jemi të pashqetësuar, qeveria do vazhdojë punën…Por nuk ka tmerr më të madh për një politikan kur ka demonstruesit poshtë dritares së tij. Shqipëria me opozitën në shesh nuk është një vend normal as për shqiptarët dhe as për ndërkombëtarët. Kështu që kjo fabul që qeveria është e pashqetësuar nuk qëndron”, tha ai.

Ndërkohë në pyetjen se kujt i trembet LSI, Bushati tha se LSI i shkel syrin njërës palë për të qetësuar palën tjetër.

“I trembet sulmit nga njëra apo pala tjetër. LSI i shkel syrin njërës palë për të qetësuar palën tjetër. Për përmasat e rëndësisë që ka LSI nuk e do as sulmin e njërës palë dhe as goditjen e palës tjetër. E shoh politikën e saj si një lëvizje për të mos pasur përplasje. Marrim shembullin e çadrës, mund të më thotë dikush çfarë qëndrimi ka LSI për ketë? Duhet goditur apo mbështetur? LSI nuk ka qëndrim për këtë. LSI është partia e klientelës”- tha Bushati.

Sa i përket zhvillimeve të fundit në Maqedoni, ku presidenti i vendit refuzoi të mandatojë Zoran Zaev për formimin e qeverisë për shkak të platformës shqiptare, Andi Bushati tha se: “Ne nuk dimë detajet teknike që do përdorin palët me njëra-tjetrën. Fundi i tunelit është se nuk ka ndodhur kurrë që partitë të dorëzojnë mandatin në mënyre demokratike. Ivanov është një vegël e Gruevskit. Nuk mundet që një pushtet që është ngritur me skandale të largohet normalisht. Problemi është a mundet që me një deklaratë për refuzim të pengohet formimi i qeverisë së re? Unë mendoj se jo, pasi Parlamenti mund të marrë masa dhe ndaj presidentit. Është një taktikë politike për të përdorur nacionalizmin si një mënyrë që VMRO-DPMNE të ngrihet prapë. Më shumë se një pengesë reale për formimin e qeverisë këtu ka filluar një lojë e pisët politike”.

(d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb