Vera për skuadrën e Milanit nisi në mënyrën më të keqe pasi presidenti kinez u largua duke e lënë klubin në mesin e katër rrugëve. Më pas edhe dënimi i UEFA-s, por me kalimin e ditëve gjithçka nisi të kthehej në vendin e vet.

Fillimisht ishte fondi “Elliot”, mori drejtimin e klubit dhe fitoi çështjen e dënimit në “CAS”. Pas kësaj erdhi dyshja Leonardo-Maldini, të cilët bënë një merkato për t’u lavdëruar duke patur parasysh kushtet.

Për këtë Milan, ditën e sotme ka folur Giani De Biazi, ish-trajneri i kombëtares shqiptare. Në një intervistë për ‘Radio 24’ gjatë emisionit ‘Tutti Convocati’, italiani analizoi se deri ku mund të shkojë “djalli” këtë sezon, me kampionatin që nis nesër.

“E sigurtë që Rino do të bëjë të pamundurën, pasi është i mirë dhe ka dëshirë. Milan i katërti? Është çështje e pak pikëve. Milan mund të mbërrijë në vend të dytë, sikurse dhe në të pestin, duhet vlerësuar mirë se si kanë punuar, por Milan është një skuadër e mirë.

“Besoj se Milan është një skuadër që mund të shkojë lehtësisht në Champions, ka një sulmues të jashtëzakonshëm që në vitet e fundit ka thënë gjithmonë të tijën. Ka marrë një zëvendësues në nivelin e mbrojtësit të rëndësishëm që u rikthye te Juventus. Caldara dhe Romagnoli formojnë një çift të rëndësishëm dhe janë e ardhmja e kombëtares së Italisë. Besoj se me afrimin e Castillejo, futbollist me një këmbë të mirë dhe shumë deçiziv, Milan ka krijuar një kontigjent të rëndësishëm, dhe është përforcuar në mënyrë vendimtare në krahasim me sezonin e kaluar”, analizoi De Biasi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb