Mediat italiane kanë analizuar ndeshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke u vënë nota protagonistëve të duelit disi të çuditshëm që zgjati dy ditë por që përfundoi me fitoren e Shqipërisë me dy gola të shënuar dje nga Armando Sadiku dhe sot nga Bekim Balaj. Në analizë vlerësime shumë të larta ka për Balajn e Hysajn, protagonistë absolutë të kësaj përballjeje. Më pak të vlerësuarit janë Abrashi e Kukeli.

Berisha 7- Fatkeqësisht nuk mundi të bëjë asgjë te goli i Alioskit, i cili përfiton nga një gabim i rëndë i Kukelit. Mbetet i vëmendshëm, ndonëse sulmuesit maqedonas nuk i krijojnë shumë probleme. Vendimtar në pritjen e minutës së fundit që mund të rikthente barazimin.

Hysaj 7- Rëndësia e tij për këtë kombëtare rritet në mënyrë të ndjeshme nga një sfidë në tjetrën. Personalitet dhe talent, dy faktorë që e bëjnë të pazëvendësueshëm. I tiji është asisti i kalibruar që sjell avantazhin e sigluar nga Sadiku.

Gjimshiti 6- Sakrifikohet për skuadrën, duke kaluar në mesfushë kur shokët e tij bëjnë ndonjë gabim të vogël në pozicionim. Por nuk arrin të korrigjojë gabimin e pasimit mbrapa të pamenduar të Kukelit, i cili solli barazimin maqedonas.

Mavraj 6.5- Në rritje të vazhdueshme. Mban sulmuesit kundërshtarë, duke limituar dëmet dhe duke i dhuruar një ditë relativisht të qetë Berishës.

Agolli 6.5- Konfirmohet si një prej lojtarëve më ngulmues. I pëlqen të vendosë në vështirësi kundërshtarët në fazën ofensive, i aftë të tregojë veten edhe në goditjet standarde.

Abrashi 5.5- E nis mirë, duke marrë pjesë në qarkullimin e topit me saktësi dhe cilësi, I bie përqendrimi në pjesën e dytë. Zëvendësohet në minutën e 60.

Balaj 7- Hyn në minutën e 60. Shumë kërkues, gjithmonë gati për të luajtur topin vertikal. Çon në rrjetë topin që i dhuron tri pikët skuadrës së De Biazit.

Kukeli 4- Protagonisti negativ i ndeshjes së Shkodrës. Një pasim mbrapa i çmendur, mbi të cilin u hodh Alioski, i cili më pas shënoi golin e barazimit. Në pjesën e dytë të ndeshjes humbi qartësinë.

Xhaka 6- De Biazi e aktivizon që nga minuta e parë, me shumë mundësi për të shfrytëzuar lëvizshmërinë e tij në tentativën për t’u hapur në krahë. Mundohet të shpërthejë disa herë në krahë, duke lënë më shumë se sa duhet ndonjë hapësirë në qendër.

Gashi 6- Dialogon mirë me shokët e repartit, sidomos në pjesën e parë. Pastaj, në pjesën e dytë, ndjen lodhjen, duke ulur intensitetin. Largohet në minutën e 69′.

Memushaj 6.5- Nga minuta e 60′. Hyn mirë në ndeshje, jep asistin për golin­fitore të Balajt.

Sadiku 6.5- shumë lëvizje pa top për sulmuesin e Zyrihut, i cili shfrytëzon një asist perfekt të Hysajt për golin e avantazhit.

Hyka 6- Mbrojtësit maqedonas kanë vështirësi në kontrollimin e tij. I aftë në depërtimin në vendet bosh, duke i shtyrë shpesh kundërshtarët të kryejnë faull ndaj tij. Zëvendësohet në minutën e 67′.

Roshi 5- Nga minuta e 67′. Tregon pak ose aspak, nuk arrin të sigurojë ndryshimin e ritmit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb