Agjencia për energji bërthamore e Kombeve të Bashkuara (IAEA) ka financuar kërkime shkencore shtetërore ruse në Krime që kur Moska mori gadishullin ukrainas më 2014, gjeti një hulumtim i kryer nga Radio Evropa e Lirë. Ky financim, sipas kritikëve, është i barasvlershëm me legjitimimin e agresionit rus kundër Ukrainës fqinje.

IAEA-ja, agjencia e OKB-së së siguron përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, ka nënshkruar të paktën dy marrëveshje me institutet kërkimore me bazë në Rusi, për studime që përfshijnë edhe punë në terren në Krime, që Rusia e ka pushtuar përmes një operacioni ushtarak në mars të vitit 2014, thuhet në të dhënat e brendshme të agjencisë, të cilat i ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

OKB-ja ka hedhur poshtë pretendimin e Moskës për Krimenë përmes një rezolute të miratuar në Asamblenë e Përgjithshme, pasi Rusia mori këtë territor më 2014. Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, ka thënë se ai dhe agjencia që udhëheq janë të përkushtuar ndaj parimit të Kartës së OKB-së se “kufijtë kombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

Ky kontratat e IAEA-s me institucionet kërkimore shtetërore ruse që janë përfshirë në punën në terren në Krime janë nënshkruar mes vitit 2016 dhe 2019, dhe kontrata e parë ishte zgjatur në verën e vitit 2019, thuhet në dokumentet e siguruara nga REL-i.

Një nga bashkautoret e një nga studimeve publikisht ka lavdëruar të gjithë ata që ndihmojnë forcat ruse në pushtimin e Ukrainës që nisi në shkurt të vitit 2022.

Përderisa kontratat janë relativisht të vogla në përmasa dhe shtrirje, ato vënë në pah terrenin e turbullt diplomatik përmes së cilit IAEA-ja është dashur të navigojë pasi Rusia nisi agresionin kundër Ukrainës më 2014 dhe e përshkallëzoi situatën duke nisur luftën në shkallë të plotë më 2022.

IAEA-ja edhe më parë ka qenë e përfshirë në mosmarrëveshjet mbi statusin e Krimesë, duke marrë parasysh kontrollin de facto të Rusisë që ka mbi një reaktor bërthamor kërkimor atje dhe pretendimin ligjor që Ukraina ka mbi gadishullin, që e njeh shumica dërmuese e komunitetit ndërkombëtar.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i kanë bërë thirrje IAEA-s që të shmangë veprimet që sugjerojnë njohjen e marrjes së kontrollit të Krimesë nga Rusia, ndërsa Rusia në vitin 2015 refuzoi të miratojë raportin vjetor të IAEA-s sepse në të thuhej se reaktori në qytetin Sevastopol në Krime, gjendej në Ukrainë.

IAEA-ja tha në një deklaratë për REL-in se agjencia vazhdon të njohë Krimenë si pjesë të Ukrainës, në përputhje me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2014. Agjencia i përshkroi studimet si të natyrës “krejtësisht teknike” dhe tha se këto kërkime “nuk përbëjnë ndonjë ndryshim në qëndrimin e agjencisë mbi statusin e Krimesë.”

“Emërtimet e përdorura nga palët përkatëse, dhe paraqitja e materialeve në raportet e tyre, nuk nënkuptojnë shprehjen e ndonjë qëndrimi nga ana e IAEA-s lidhur me statusin ligjor të ndonjë vendi apo territori ose të autoriteteve të tij”, tha një zëdhënës i IAEA-s.

Zëdhënësi gjithashtu e përshkroi palën kontraktuese në një nga projektet – Instituti i Përbashkët për Kërkime Bërthamore (JINR), një qendër ndërkombëtare hulumtimi, me bazë në qytetin Dubna, në periferi të Moskës – duke thënë se“nuk është një organizatë ruse, por një organizatë ndërkombëtare për kërkime ndërqeveritare shkencore, që gjendet në Rusi”.

Por, misioni i përhershëm i Ukrainës në Vjenë, ku ndodhet selia e IAEA-s, i tha REL-it se asnjë projekt kërkimor i sponsorizuar nga IAEA-ja në Krime nuk është miratuar nga Qeveria ukrainase.

“Qëndrimi ynë mbetet i qartë: Ukraina kundërshton fuqishëm çdo projekt ndërkombëtar apo çdo aktivitet tjetër në territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës, përfshirë në Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit, pasi kjo shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë”, tha ky mision përmes një deklarate dërguar përmes postës elektronike.

Deri në publikimin e këtij artikulli, misioni i përhershëm i Rusisë në Vjenë nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për koment.

“Zonat bregdetare ruse”
Kontrata ruse për kërkim, e cila u zgjat më 2019, fillimisht u nënshkrua në shtator të vitit 2016 me JINR-në. Projekti u përqendrua në studimin e tendencave të ndotjes “në zonat bregdetare ruse të Detit të Zi” duke përdorur “teknika bërthamore dhe analitike”.

Përderisa studimi i publikuar në maj të vitit 2019 nuk përmendi Krimenë apo ndonjë nga vendndodhjet e saj, përmbajtja e projektit kërkimor, e përshkruar në marrëveshjen mes JINR me IAEA, saktësisht thoshte se studimi do të përfshinte kërkime në Sevastopol.

JINR gjithashtu theksoi në propozimin e tij për kontratën e kërkimit të dërguar në qershor të vitit 2016 se puna në terren do të kryhej në Sevastopol. Në propozim u tha se kjo punë do të bëhej së bashku me Institutin e Biologjisë së Deteve të Jugut, me bazë në Sevastopol, që u mor nën kontroll nga autoritetet ruse pasi Moska mori Krimenë dhe ky institut më pas u integrua në Akademinë ruse të Shkencave.

Sipas propozimit, kostoja totale e projektit kërkimor u vlerësua të jetë 165.000 euro, duke kërkuar 15.000 euro nga IAEA-ja.

Hulumtuesja kryesore e projektit, profesoresha Marina Frontasyeva nga JINR-ja, nuk iu përgjigj kërkesës për informacione lidhur me punën në terren në Krime që ishin specifikuar në propozim dhe në kontratën me IAEA-n.

Një nga bashkëautorët e Frontasyevas, Natalya Milchakova, është bashkëkryetare e degës në Sevastopol të Frontit Popullor, një organizatë pro Kremlinit, e themeluar me iniciativën e presidentit rus, Vladimir Putin.

Në mars, Milchakova ndihmoi në organizimin e një ceremonie për ndarje të çmimeve për banorët e Sevastopolit që kishin ofruar ndihmë për forcat ruse që luftojnë kundër Ukrainës dhe kishe deklaruar se ata “po e sjellin fitoren tonë edhe më afër”.

Kontrata e dytë e IAEA-s, të cilën e ka analizuar REL-i, u nënshkrua me Qendrën Federale të Shëndetit të Kafshëve të Rusisë, një institut kërkimor me bazë në qytetin e Vladimirit, që gjendet 200 kilometra në lindje të Moskës.

Kontrata në vlerë prej 60.000 eurosh u dha për një projekt që kishte të bënte me studimin e virusit të gripit të shpendëve nga shpendët e egër migrues, duke përdorur analizën e izotopeve stabile. Përderisa kontrata nuk përmend Krimenë, një “raport përfundimtar për kontratat” për projektin e dorëzuar në shtator të vitit 2023 theksonte se mostrat e puplave nga shpendët u grumbulluan në “Republikën e Krimesë.”

Hulumtuesi kryesor i projektit, Viktor Irza, nuk iu përgjigj kërkesës për informacione lidhur me projektin.

“Një gjë e shëmtuar”
Ekspertja ukrainase e sigurisë bërthamore, Olha Kosharna, ish-anëtare e bordit të Inspektoratit Shtetëror të Rregullatorit Bërthamor të Ukrainës, tha se sponsorizimi i projekteve kërkimore nga IAEA-ja në pjesët ukrainase të pushtuara nga Rusia është “një gjë e shëmtuar”.

“Kjo është një shkelje, sigurisht, sepse IAEA-ja zyrtarisht e konsideron Sevastopolin si territor ukrainas, ashtu siç janë rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, rajoni i Zaporizhjas dhe të gjitha territoret e pushtuara të Ukrainës”, tha Kosharna për Radion Evropa e Lirë.
Raportet vjetorë të IAEA-s vazhdojnë të listojnë reaktorin kërkimor, me bazë në Sevastopol, si reaktor që gjendet në Ukrainë, megjithatë, një gjuhë që sugjeron njohjen në heshtje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia është shfaqur diku tjetër në IAEA.

Lista e pjesëmarrësve për një ngjarje që do të mbahet në të ardhmen në Moskë, e që sponsorizohet nga IAEA-ja, ngjarje që ka të bëjë me terapinë për rrezatim, përfshin dy individë nga delegacioni rus, të cilët janë listuar se janë nga “Donjecku, Federata Ruse,” sipas të dhënave të brendshëm të IAEA-s, të analizuara nga REL-i.

Donjecku është një qytet i madh në Ukrainën lindore që u mor nga forcat e mbështetura nga Rusia në vitin 2014, së bashku me pjesë të rajonit përreth Donjeckut dhe rajonin fqinj Luhanskut, dhe ka mbetur nën kontrollin e Moskës që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb