Shumë detaje të ditëve të fundit do të harrohen, por një gjë jo: NATO-ja kishte një takim në Sofje dhe presidenti i Bullgarisë nuk ishte aty. Në atë kohë, ai ishte në Hungari dhe prej andej dërgonte mesazhe që ishin të kundërta me qëndrimet e shumicës së anëtarëve të NATO-s në Sofje.
Një shembull: Asambleja Parlamentare e NATO-s bëri thirrje që Ukrainës t’i lejohet t’i qëllojë objektivat ushtarake ruse me armë perëndimore. Ky ishte një hap i madh përpara, në krahasim me qëndrimet e mëparshme të shteteve anëtare. Një ditë më herët, presidenti bullgar, Rumen Radev, ishte në Budapest, ku u takua me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, dhe presidentin Tamas Sulyok. Duke folur prej atje, ai tha se lufta në Ukrainë nuk do të ndalet me më shumë armë, por me diplomaci. Këto dy pozicione nuk përputhen. Radev mund të ketë të drejtë, vendet e tjera të NATO-s mund të kenë të drejtë, por ajo që nuk mund të thuhet, është se Radev e shikon luftën e Rusisë në Ukrainë me sytë e NATO-s.
Për këtë arsye, ai nuk qëndroi në Sofje për të mirëpritur Asamblenë Parlamentare të NATO-s, tha Elena Poptodorova, ish-ambasadore e Bullgarisë në Uashington. Ajo u tha mediave bullgare se vizitat si kjo në Hungari “mund të riplanifikohen gjithmonë”, ndërsa prania e presidentit në forumin në Sofje ishte “politikisht e rëndësishme”. “Shpresoj që lajmi në mediat tuaja të mos jetë se ‘Radev e shmangu takimin me [shefin e NATO-s, Jens] Stoltenberg’”, tha vetë Radev nga Zvicra, ku udhëtoi pas qëndrimit në Hungari.
Ai tha se takimet e tij ishin planifikuar përpara se të bëhej e qartë se do të kishte një takim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje. Poptodorova i sheh gjërat ndryshe – Radev, sipas saj, “kishte qëllim të tregonte, së paku, distancim dhe mosangazhim” – gjë që është “një sinjal i rëndësishëm për Kremlinin”.
Cilat janë qëndrimet e presidentit?
Në Hungari dhe Zvicër, Radev prodhoi së paku tri lajme që tregojnë se ai e ruan qëndrimin e tij të vjetër pro-rus për luftën, por se tani shprehet edhe më publikisht. Përveçse shmangu takimin e NATO-s në Sofje, ai po ashtu dha sinjale se:
ekziston rreziku që ushtarët bullgarë të dërgohen në frontin e luftës në Ukrainë dhe ai është kundër;
Perëndimi është burim i rrezikut potencial për Bullgarinë.
Nën një: Dërgimi i ushtarëve perëndimorë në frontin e luftës
Paqja në Ukrainë “nuk do të arrihet duke dërguar më shumë armë ose trupa në Ukrainë nga vendet anëtare të NATO-s”. Ajo mund të arrihet me “instrumente diplomatike”, tha Radev në Hungari.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Zyrës së Presidentit me kërkesën për të shpjeguar se çfarë nënkuptojnë instrumentet diplomatike, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje. Agjencitë e lajmeve raportuan se Radev dhe Orban u shprehën kundër dërgimit të trupave të NATO-s në Ukrainë. Në shkurt, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se një vend i NATO-s mund të dërgojë trupa në Ukrainë. Javë më vonë, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, e tha të njëjtën gjë.
Macron tha atëkohë se Perëndimi ka thënë shpesh “jo” dhe “kurrë” për dërgimin e disa armëve në Ukrainë dhe, pastaj, i ka dërguar ato. Radev reagoi ashpër edhe atëherë. Dy muaj më vonë, ai tha se fitorja ushtarake e Ukrainës ndaj Rusisë është e pamundur. Kremlini e ka thënë këtë vazhdimisht.
Dërgimi i trupave bullgare jashtë vendit mund të vendoset vetëm në Asamblenë Kombëtare, por një propozim i tillë nuk ka qenë kurrë në rend dite. Kjo ishte përgjigjja e Ministrisë së Mbrojtjes në Bullgari dhe e kryeministrit Dimitar Glavchev, pas fjalëve të presidentit Radev në Budapest. Vendet e NATO-s, përfshirë Bullgarinë, nuk kanë detyrim formal për të siguruar mbrojtje ushtarake për Ukrainën, sepse ajo nuk është anëtare e aleancës.
Nëse NATO-ja do ta diskutonte këtë çështje, rezultati, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ishte pozitiv për Ukrainën. Vendimet në aleancë merren me konsensus, që do të thotë se kërkohet pëlqimi edhe i Hungarisë, edhe Sllovakisë – dy vendeve që kanë qeveri me qëndrime shpesh pro-ruse.
Numër dy: Perëndimi, burim i rrezikut potencial për Bullgarinë
Radev e shpjegoi logjikën e tij se si ushtarët bullgarë do të përfundojnë në front: jo sepse dikush do t’i detyrojë, por sepse, edhe nëse vetëm një vend i NATO-s dërgon njësite të veta në Ukrainë, Rusia do të përgjigjet me forcë. Në atë rast, çdo vend i NATO-s, përfshirë Bullgarinë, do të gjendet në një luftë, nga e cila do t’i duhet të mbrohet.
Ai e tha këtë në shkurt – në përgjigje të deklaratave të Macronit.
“Dërgimi i trupave nga një vend i NATO-s në Ukrainë do të nënkuptonte konflikt global”, sipas tij.
Tani, Radev pretendon se me përfshirjen e Perëndimit, Rusia, thjesht, do të thotë: “tani kam të drejtë t’ju godas”. Ai nuk thotë më se Qeveria bullgare po bën plane të errëta kundër ushtarëve të saj, por se vendet perëndimore që e mbështesin Ukrainën, do t’i tërheqin të gjitha vendet e tjera të NATO-s në një konflikt ushtarak me Rusinë. Pra, sipas tij, rreziku vjen nga jashtë. Kurse, deri më tash, ka pretenduar se dërgimi i armëve në Ukrainë do ta tërhiqte Bullgarinë në luftë.
Megjithatë, pajisjet ushtarake janë dërguar dhe asgjë nuk ka ndodhur. Bullgaria ka mbetur vend armiqësor për Rusinë siç ka qenë edhe përpara se t’i dërgonte armë Ukrainës. Radio Evropa e Lirë e kontaktoi Presidencën bullgare për ta pyetur nëse Radev sheh ndonjë dallim në tezat e tij, por nuk mori përgjigje.
Fitorja “e pamundur” ushtarake ndaj Rusisë
Se Rusia ishte e pathyeshme ushtarakisht, ishte një besim i përbashkët në mbarë botën, por ai u dobësua ndjeshëm pas pushtimit të Ukrainës, në vitin 2022. Që atëherë, Rusia arriti të kapte një të pestën e territorit ukrainas, por më pas e humbi një pjesë të madhe. Pas dy vjetësh luftë, ajo nuk e ka përmbushur ende qëllimin e saj të deklaruar – t’i marrë plotësisht nën kontroll rajonet që i konsideron si “të vetat”.
Përballë saj është një ushtri e rindërtuar më pak se një dekadë më parë. Ushtria e Ukrainës mbështetet në armët e huaja, të cilat shpesh nuk i arrijnë në kohë dhe nuk janë të mjaftueshme. Por, pavarësisht humbjeve në ushtarë dhe pajisje, Rusia i ka intensifikuar kërcënimet e saj dhe pothuajse të gjithë politikanët perëndimorë bëjnë thirrje që potenciali i saj të mos nënvlerësohet.
Kërcënimet përfshijnë goditjen e objektivave ushtarake në vendet perëndimore, përdorimin e armëve bërthamore, rivizatimin e kufijve të NATO-s ashtu siç kanë qenë para vitit 1997. Kjo e fundit nënkupton NATO-n pa Evropën Lindore, pjesë e së cilës është edhe Bullgaria. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe dallimi mes fakteve dhe Radevit: ai beson se përshkallëzimi i tensioneve është vepër e Perëndimit.