TIRANE- Gazetari Ylli Rakipi, drejtues i emisionit ‘Të Paekspozuarit’ në “News 24” ka bërë sot një analizë mbi situatën politike në vend, që nga nisja e protestës së PD-së deri tek paralajmërimet e kryeministrit Rama për futjen në zgjedhje pa opozitën. Teksa ishte i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në studion e lajmeve në ‘News24’, Rakipi theksoi se gjithçka për zgjidhjen e ngërçit politik ka ngelur në dorë të kreut të LSI-së, Ilir Meta, raporton “BalkanWeb”.
ylli rakipi
Duke qëndruar në këtë linjë gazetari tha se lidhur me qëndrimin e LSI-së është në pritje edhe opozita.

“Kjo krizë duket një kalkulim jo i gjetur. Si të flasim për një skenë teatrale. Ju jeni dëshmitarë të gjithë kësaj krize. Në fillim u shfaqen me zhurma të mëdha, daulle të mëdha, ofensivë, siç u ngrit populli rumun. Tani kemi një demonstrim të opozitës dhe ka një lëvizje matematikore. Të gjithë presin se cilët do të jenë veprimet e Ilir Metës dhe opozita i ka mbajtur shpresat tek ai. Kjo nuk është normale. Kjo është një absurditet i madh dhe siç e shihni po ndodh. Dje ose pardje, Basha tha se nuk hyn si kryeministër në zgjedhje. Çdo ditë Basha thotë dhe gjëra të reja, të ndryshme. Mund të kërkojë të hyjë dhe si kryeministër. Nuk mendoj se vendosen kalkulimet e një muaji të fundit, si vendosja e çadrës, për fatin e zgjedhjeve të 18 qershorit. Palët po luajnë me njëra-tjetrën në mënyrë të pandershme, jo të drejtë, të pamoralshme po e po. Por ne e dimë se politika nuk ka moral. Qartësisht duket, unë e kam dhe njëherë këtu se Ilir Meta, kostumi që ka veshur këto 8 vite i ri pak i ngushtë, kërkon postin e kryeministrit. Ata duhet të bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin se si do e zgjidhin çështjen. Ata (Rama-Basha) duket sikur janë kundër njerëzve, duhet të flasin nëse mund ta ndajnë ata pushtetin. Opozita nuk duhet të ushqehet me iluzione të tilla. Ne funksionojmë jashtë këtij sistemi që po ndërtojmë. Po ta shohësh lëvizjen politike të Shqipërisë, është jashtë binarëve të sistemit. Në Shqipëri nuk ka garë, janë si ndërmarrje ekonomike. Luftojnë në emër të njësh-it. Pra, kemi të zhdukur garën brenda partive dhe çdo lloj gare tjetër që të konsulton dhe të jep të drejtë ky pushtet ta ekzekutosh. Politika shqiptare fiton një tjetër sistem. Është shumë e vështirë të shtiesh fall se ça do bëjë Ilir Meta sot. Shpesh situata është qesharake, surreale”, – tha Ylli Rakipi.

Ndër të tjera Rakipi tha se zgjedhjet për kryetar Bashkie në Kavajë janë eksperimenti nëse do të shtyhen apo jo zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. “Nëse Rama do shkojë deri në zgjedhjet e 18 qershorit, Kavaja do shërbejë për t’u parë nëse do shkojë në zgjedhje vendi apo jo. Kavaja është eksperimenti për të stopuar zgjedhjet”, pohoi Rakipi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb