Emisioni “Të paekspozuarit” i gazetarit Ylli Rakipi sjell sot në “News24” një këndvështrim tjetër të drejtësisë shqiptare, një vështrim “lakuriq”. Nga shkollimi i gjyqtarëve të rinj në “Shkollën e plepave” deri tek Vettingu, kush e ka apo e do në dorë drejtësinë…

Nga “Të paekspozuarit”

“Vettingu është për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që të shpëtojnë nga kthetrat e prokurorëve dhe gjykatësve që për 25 vjet i morën frymën këtij populli”.

Çfarë ironie?!! Këto janë fjalë që i thotë kryeministri Edi Rama. Pra Vettingu nuk do të jetë për Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Nuk do të jetë për njerëzit që ndërtuan këtë drejtësi që ne kemi sot.

Tani do të dënohen gjyqtarët dhe prokurorët dhe Shqipëria shpëton. Duket si një përrallë. Shqipëria me drejtësi të pastruar dhe me po këta politikanë do të vrapojë drejt Bashkimit Europian. Befas një kthesë të fortë!

Edhe ambasadori amerikan kërkon arrestimin e kriminelëve dhe largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por a është kjo e mjaftueshme në një vend ku krimi dhe korrupsioni ka prekur çdo qelizë të shtetit. Dhe më e rëndësishmja a mundet dhe a do kjo klasë politike të realizojë këtë reformë?

Por analisti Fatos Lubonja në një shkrim të tijin për gazetën “Panorama” sjell në vëmendje teorinë se peshku i madh e ha të voglin, se përgjegjësit e vërtet të kësaj situate nuk janë gjyqtarët por klasa politike shqiptare.

Në të vërtetë gjyqtarët dhe prokurorët po të flasim në mënyrë metaforike ndajnë vetëm thërrimet e këtij korrupsioni gjigand. Një studim i Open Data, tregon se të ardhurat vjetore të gjyqtarëve janë 4.5 herë më të larta se paga e tyre, por nga ana tjetër të ardhurat e deputetëve janë 8.5 herë më të larta se paga që ata marrin.

Pra sistemi i drejtësisë në Shqipëri është siç është sot Shqipëria, siç është çdo gjë tjetër e jetës së këtij vendi. Këtë Shqipëri dhe këtë drejtësi e kanë ndërtuar këta politikanë që ne kemi sot.
Kjo është Shqipëria e Sali Berishës, Fatos Nanos, Ilir Metës dhe Edi Ramës. Drejtësia që ne kemi sot e kanë bërë këta 4 burra. Për 25 vjet rresht këta 4 burra kanë vrarë drejtësinë.
Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama vrasësit e vërtet të drejtësisë.
Ne kemi këtë drejtësi sepse kështu kanë dashur, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama dhe Sali Berisha.


***
Ky është Sali Berisha duke u betuar si President. Brenda një kohe shumë të shkurtër gjë që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, ai ndërtoi një shkollë drejtësie të quajtur “Shkolla e plepave”. Ky objekt mori këtë emër për shkak se u instalua në një godinë tek zona e quajtur “Plepat” në Durrës. Këtu u rritën juristët e parë, njësoj si kubikët kinezë të misrit, u rritën gjyqtarët dhe prokurorët e demokracisë.

“Studentët e plepave” u diplomuan brenda 6 muajsh. Sapo ata morën diplomat Sali Berisha iu vuri në krye të tyre një prokuror me emrin deri atëherë të padëgjuar Alush Dragoshi.

Me partinë në njërën dorë dhe me drejtësinë në dorën tjetër Sali Berisha mori në dorë të gjithë fatet e vendit. Në fillim u arrestua kryetari i partisë socialiste Fatos Nano. Duke përdorur prokurorë dhe gjyqtarë kamikaz Fatos Nano u dënua me 10 vjet burg.

Nëpërmjet kësaj armate gjyqtarësh dhe prokurorësh Berisha bënte zap edhe të tijtë. I famshëm ka mbetur “Gjyqi i drurit të arrës”. Gjyqtarë që kryenin detyrat e partisë u kthyen në gjyqtarë anekdotik.
Rasti i Prel Martinit është nga më unikalët.

Duke dhënë vendime politike, partia dhe Sali Berisha i la ata të bënin më pas çfarë të donin. Aq të paskrupuj u bënë gjyqtarët sa një hallexhi u detyrua të hidhte në erë shtëpinë e kryetarit të gjykatës së Apelit, Prel Martini. Ndonjë gjyqtar që dilte nga rreshti mund të shpëtonte vetëm duke u arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I tillë ishte rasti i Zef Brozit që u arratis nga frika në Honolulunë e largët të SHBA-ve.
***
Socialistët e ardhur në pushtet pas trazirave të marsit ‘97 në emër të ndërtimit të shtetit i kapën të gjitha gjykatat duke i çimentuar politikisht drejtimin e tyre. Madje ata organizuan një test të ngjashëm me Vettingun e sotëm, për të krijuar opinionin se do të eliminonin gjyqtarët e paaftë. Në fakt, rezultoi se testimi me shkrim ishte një farsë, pasi vetëm 2 prej të gjithë trupës gjyqësore u shkarkuan.

Ndërkohë në radhët e prokurorëve, me dorëheqjen e Alush Dragoshit të majtët vendosën në postin e kryeprokurorit Arben Rakipin. Ky iu përgjigj nderit që i bën socialistët, duke arrestuar disa drejtues të Partisë Demokratike për trazirat e marsit ‘97 mes të cilëve dhe ish-ministri i mbrojtjes Safet Zhulali. Procesi gjyqësor rezultoi të ishte një farsë.

Por edhe Arben Rakipi nuk mbylli dot mandatin e kreut të akuzës. Në përplasje edhe mes socialistëve, ai u shkarkua nga Kuvendi i Shqipërisë, për akuza dhe kundër akuza shumë të forta nga palët politike.
Theodhori Sollaku u emërua në vitin 2002 në detyrën e kryeprokurorit me konsensus të plotë mes palëve.

Fatos Nano dhe Sali Berisha panë tek Sollaku juristin që do të luftonte krimin dhe korrupsionin. Emërimi i Sollakut u pranua nga Berisha sepse në kohën që Berisha ishte president, Sollaku kryente detyrën e këshilltarit juridik të tij. Por siç jemi mësuar ta shohim rëndom ishte Sali Berisha që shpërtheu në akuza kundër Dhori Sollakut, duke e akuzuar atë se ishte njeriu që flinte mbi dosje.
Në vitin 2005 me ardhjen në pushtet Sali Berisha nuk la gur pa lëvizur deri sa e shkarkoi Theodhori Sollakun.

Në vitin 2007 Berisha miratoi emërimin e Ina Ramës në krye të akuzës duke e quajtur “Silvia Konti” e Shqipërisë. Silvia Konti është emri i një personazhi i serialit të njohur italian të asaj kohe “Oktapodi”. Por shumë shpejt heroina e “Oktapodit” u etiketua nga Sali Berisha si një “lavire bulevardi”.

Në vitin 2012 aleanca Berisha-Meta solli në krye të akuzës Adriatik Llallën. Një jurist pa ndonjë profil të lartë publik u vendos aty edhe me vota kundër opozitës së majtë. Me deklarata të forta publike për arrestime Adriatik Llalla po e mbyll më së miri mandatin si kryeprokuror edhe pse në të vërtet s’ka bërë asnjë arrestim të bujshëm në nivel politik, duke e lënë prokurorinë në të njëjtin vegjetim si paraardhësit e tij.

Për dy vjet rresht ashtu si bujqit që thonë “në vjeshtë do mbjellim të lashtat”, ai u bë i famshëm sepse deklaronte se “në vjeshtë do të kryente arrestime”.

Për sa u përket gjykatave nga viti 2005 e në vazhdim ata ranë plotësisht në dorën e Sali Berishës. Duke kontrolluar institucionin e Presidentit, dhe nëpërmjet mekanizmave të tjera, Sali Berisha ndërtoi ato gjykata të cilave u dha atë fytyrë që ai donte. Ndryshe nga gjykatat pa eksperiencë dhe me një stad primitiv, në kohën kur Berisha ishte president, gjykatat e pas viteve 2005, erdhën dhe u perfeksionuan duke u pasuruar, duke i shërbyer gjithmonë e më shumë pushtetit.

Me ardhjen në pushtet Edi Rama dhe Rilindja ju përkushtua të ashtuquajturës reformë në drejtësi. I bindur që gjykatat ishin montuar dhe ndërtuar nga Sali Berisha, Edi Rama nëpërmjet reformës në drejtësi ka kërkuar çmontimin e këtij gjyqësori dhe kësaj drejtësie në Shqipëri.

Duke përdorur fuqitë dhe kredencialet e zyrës së Sorosit, Shoqëria e hapur për Shqipërinë, mazhoranca e majtë duket sikur po përpiqet t’ia ktheje drejtësinë jo drejtësisë, por t’ia heqë Sali Berishës dhe ta rrëmbejë për vete. Duke shfrytëzuar edhe ambasadorin e SHBA-ve Donald Lu dhe ambasadoren e BE Vlahutin, mazhoranca e detyroi opozitën që të votonte mesnatën e 21 korrikut 2016 reformën në drejtësi.
Përplasje të njëpasnjëshme deri në miratim.
***
Ligji i Vettingut, si thelbi i reformës në drejtësi i votuar në datën 31 gusht 2016 u ankimua nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese. Kjo Gjykatë e gjendur nën një presion të jashtëzakonshëm dha një vendim që e cilësoi të ligjshëm Bettingun.

Vettingu është një proces që me mbikëqyrje ndërkombëtare do të kalojë në sitë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në vend. Do të kalojë në sitë, jo vetëm aftësitë profesionale, por mbi të gjitha si këta gjyqtarë dhe prokurorë kanë vënë paratë dhe pasurinë e tyre.

Por çfarë vlere ka reforma në Drejtësi apo Vettingu i famshëm pa një reformim dhe vetting të sistemit politik në vend?
Duket sikur e gjithë kjo reformë u krye për të goditur peshqit e vegjël në sistemin e drejtësisë.
Peshqit e mëdhenj, ata që e ndërtuan, e përdorën, dhe përfituan prej kësaj drejtësie nuk do të pësojnë asgjë. Sot Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha nën drejtimin e ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu dhe ambasadores së BE-së, Vlahutin do t’i sjellin Shqipërisë një drejtësi tjetër.

Megjithatë hera-herës nuk mungojnë fjalë që nëpërmjet kësaj reforme Edi Rama do të godasë Ilir Metën dhe Sali Berishën.
Një nga ideatorët më të rëndësishëm të kësaj reforme ambasadori Lu guxon të shkojë e të godasë deri tek Prokurori i Përgjithshëm.

Pas ndërhyrjes së ambasadorit amerikan, prokurori i rrezikuar përgjigjet duke humbur qetësinë dhe duke ngritur kundërakuza për ambasadorin. Ndërkohë kryetari i parlamentit Ilir Meta duke kuptuar që shigjetat e reformës mund të shkojnë deri tek ai, ngre tonet e veta.

I vetmi njeri i qetë që e di që nuk do ta gjejë gjë nga kjo reformë deklaron…pra reforma do të kap sardelet por jo peshqit e mëdhenj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb