Spartak Ngjela, Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, aleat i kryeministrit Edi Rama, ka analizuar situatën politike dhe ka siguruar shqiptarët se Moska, Beogradi dhe Athina nuk e destabilizojnë dot vendin. Sipas tij, opozita ose siç e quan Ngjella ‘korrupsioni i sotëm shqiptar”, i trembur, i ka hedhur sytë nga Rusia, por se ‘Saliu nuk e mund dot Perëndimin’.

Ngjela më tej i sugjeron kryeministrit Edi Rama t’i qëndrojë strikt aleancës me SHBA-të dhe të çojë deri në fund reformën në drejtësi.

NGA SPARTAK NGJELA

Për kushtetutën nuk ka rëndësi se kush hyn e kush nuk hyn në zgjedhje, e rëndësishme është ka apo nuk ka një ditë të thirrur për zgjedhje;

Askush nuk ka të drejtë të pranojë një gjë të pandodhur si fakt i ndodhur; me përjashtim të akuzuesve abuzive diktatorialë;

Përveç monitorimit ndërkombëtar, askush nuk mund të quhet garant i procesit zgjedhor në Shqipëri.

I.

Çdo gjë e kërkuar jashtë këtyre tezave, të cilat esencialisht kanë karakterin e një logjike absolute, nuk mund të jetë e vërtetë dhe nuk mund të pranohet, sepse është dukshëm abuzive.

Komunistët dhe fashistët gjithmonë kanë paraqitur pretekstin për shkak. Në fakt kjo ka qenë vetë doktrina e shtetit të tyre. Por ne sot nuk jemi te preteksti, as fashist dhe as komunist; ne si shqiptarë, si shoqëri shqiptare, po duam të hyjmë në një qytetërim që nuk e pranon si moral, as pretekstin në vend të shkakut, dhe as faktin dëmtues të pandodhur apo të paprovuar.

Brenda kësaj logjike, një tufe individësh të korruptuar dhe të kapur, po kërkojnë t’i mbushin mendjen ndërkombëtarëve me pretekstin e tyre të faktit të pandodhur, për të krijuar një situatë destabilizuese në Shqipëri.

Politika amerikane, dhe ajo perëndimore në përgjithësi, e dinë tani dhe e kanë të provuar se preteksti i Berishës, për të na provuar një fakt të pandodhur, është përpjekja e tij për të mbajtur gjallë abuzimin dhe korrupsionin në Shqipëri.

Por Shqipëria është e pamundur që të destabilizohet, prandaj Saliu me gjithë taborin e tij do ta dorëzojë domosdoshmërisht gjënë e vjedhur. Ky në fakt është një proces i pakthyeshëm, sepse korrupsioni shqiptar ka rënë ndesh jo vetëm me interesin shqiptar, se me këtë interes ka më se njëqind vjet që ai bie ndesh, por tani ka rënë ndesh edhe me interesin amerikan dhe interesin gjerman.

Fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është pikërisht ky fakt: që interesat e tyre dhe interesat e botës perëndimore, kanë krijuar një emërues të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Në funksion të kësaj, nëse nuk shkallmohet pushteti korruptiv në Shqipëri, amerikanët dhe perëndimorët në përgjithësi humbasin luftën me Rusinë. Lufta e Ftohtë në Ballkanin Perëndimor fitohet nga amerikanët vetëm me shqiptarët, dhe me një regjim politik demokratik dhe të pakorruptuar në Shqipëri. Ky është fakti real historik i këtij moment, i cili është e pamundur që të neutralizohet si proces për ristrukturimin demokratik të shtetit shqiptar.

Riinstitucionalizimi demokratik i Shqipërisë sot është faktor amerikano-perëndimor në politikën ndërkombëtare; dhe nuk mund të prapset, pikërisht pse është faktor. Faktori kryesor në zhvillimin e një luftë apo një beteje, nuk mund të frenohet nga të dobëtit që nuk kanë interes me luftën apo betejën. Kjo nuk ka ndodhur kurë, dhe prandaj nuk ka si të ndodhë as në Shqipëri.

II.

Korrupsioni i sotëm shqiptar, i trembur, kuptohet se ka hedhur sytë nga Rusia. Naivitet. Pse o Sali ziu, ti do ta mundësh Perëndimin në portat e Tiranës, kur nuk ke as mend, as ushtri dhe as dinjitet ndërkombëtar në Perëndim?

Asgjë nuk do të ndodhë, dhe shqiptarët të rrinë të qetë, as Saliu, as Rusia as Athina, dhe as Shkupi apo Beogradi, nuk e destabilizojnë dot Shqipërinë me një fantazmë si kjo e Saliu që po vërtitet në Shqipëri. Kur Shqipëria hyri në NATO, çdo oreks esadist brenda Shqipërisë dhe çdo oreks sllavo-grek jashtë Shqipërisë ka marrë fund. Politika amerikane i ka marrë të gjitha masat: Shqipëria do të ristrukturohet institucionalisht, dhe korrupsioni i politikës së lartë shtetërore i ka ditët e numëruara në Shqipëri.

Po politika amerikanë a i ka marrë masat në Shqipëri për sigurinë kundërt korrupsionit që kërkon të hidhet në revolte?

Sigurisht që po. Tani këtu, në Shqipëri dhe në Kosovë, është gjithçka nën kontrollin e aleatëve tanë. Bota tjetër shqiptare në Ballkan, sigurisht që është në mbështetjen e aleancës shqiptaro-amerikane, dhe po prêt me entuziazëm dhe forcë fitimin e të drejtave të mohuara në njëqind e njëzetë vjet rresht.

Reforma në Drejtësi, do të përfundojë me sukses, do apo nuk do Saliu, por kryeministri shqiptar duhet t’i qëndrojë strikt aleancës me Uashingtonin. Asnjë lëvizje. Përderisa i ka hyrë kësaj politike duhet ta çojë deri në fund, sepse ky është interesi shqiptar. Shumë mirë që i qëndron kushtit themelor: vettingut. Sepse te kjo pikë e panë ndërkombëtarët se Sali Berisha nuk ka lidhje fare me garantimin e zgjedhjeve, por më shpëtimin e produktit korruptiv që ka përvetësuar ai dhe tabori i tij gjatë qeverisjes së tij abuzive.

Sot të gjitha rrugët të çojnë te Reforma në Drejtësi. Edhe vetingu edhe mospjesëmarrja e korrupsionit shqiptar në procesin zgjedhor, janë e njëjta gjë. Madje mospjesëmarrja në zgjedhje, është një rrugë edhe më e shpejtë për të pastruar politikën shqiptare nga korrupsioni regresiv që e ka pllakosur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: