Një lajm i mirë vjen nga Ministria e Shëndetësisë, sidomos për prindërit që regjistrojnë fëmijët në çerdhe dhe kopshte dhe duhet të kryejnë analiza specifike pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal në Tiranë.
Ministria e Shëndetësisë njofton se tashmë do të kenë mundësi që analizat që merreshin deri në orën 10 paradite t’i çojnë edhe pasdite. ASHR ka shtuar sportelet dhe duke nisur nga dita e sotme është hapur dhe një turn pasdite për pritjen e analizave, me qëllim lehtësimin e fluksit në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Autoriteti Shëndetësor Rajonal Tiranë ka shtuar numrin e sporteleve dhe turneve për të shmangur vonesat në dorëzimin e dokumentacionit duke u dhënë mundësinë të gjithë qytetarëve të aplikojnë për analizat që kërkojnë.
Përmes një urdhri të brendshëm udhëzohet që të vihet në funksion të Laboratorit Enterobakter Sporteli Nr 1 së bashku me 2 punonjës shtesë, për të bërë pranimin e analizës Coproculturë për Librezat Shëndetësore krahas ekzaminimeve të repartit VCT.
Gjithashtu ASHR ka marrë masat që të vendosë dy specialistë nga sektori i promocionit për menaxhimin e fluksit të qytetarëve dhe informimin e tyre në lidhje me shërbimin që ata do të marrin.
Me qëllim dhënien e mundësisë edhe për qytetarët që janë në punë dhe e kanë të pamundur të paraqiten deri në orën 16:00 për të aplikuar për analiza. ASHR ka shtuar një turn pasdite nga ora 16:00-18:00. Ndërkohë që pranimi i analizave gjatë paradites bëhet nga ora 08:00 deri në 10:00.
(m.k/BalkanWeb)