Ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet i dërguari për misionet speciale i presidentit të zgjedhur të SHBA-së,Donald Trump. “Ric do të punojë në disa nga pikat më të nxehta në botë, duke përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, shkroi Trump në platformën në internet Truth Social, të cilën ai e bashkëthemeloi. Grenell do të “luftojë për paqen përmes forcës” dhe do të vendosë gjithmonë Amerikën në vend të parë, shkruan ai.

Koreja e Veriut, Venezuela…
Koreja e Veriut dhe Venezuela janë kundërshtarë të Shteteve të Bashkuara, megjithëse Trump i ka konsideruar si të domosdoshme edhe bisedimet e drejtpërdrejta me Kim Jong Un, liderin e Koresë së Veriut. Kreu i Koresë së Veriut ka injoruar përpjekjet e presidentit amerikan Joe Biden për të filluar bisedimet pa parakushte për katër vjet. Kim në vend të kësaj ka zhvilluar një marrëdhënie më të ngushtë me Rusinë dhe Putinin.

Kritikat ndaj Berlinit
Gjatë kohës së tij në Berlin, ku Trump e dërgoi në mandatin e tij të parë në vitin 2018, Richard Grenell nuk u shmang të kritikonte kancelaren e atëhershme Angela Merkel dhe Gjermaninë. Fokusi kryesor i tij ishte në kontributin financiar të Gjermanisë në NATO. Edhe pas kësaj, tashmë 58-vjeçari ka pasur rregullisht deklarata kritike ndaj Gjermanisë. Kur Ministria e Jashtme mori në shënjestër një deklaratë të bërë nga Trump nga një duel televiziv gjatë fushatës zgjedhore në Platformën X, Grenell e quajti këtë deklaratë si përpjekje për ndikim në zgjedhje.

Njeriu i besueshëm i Trumpit është konsideruar më parë si një kandidat serioz për postin e ministrit të Jashtëm. Por Trumpi nominoi për këtë post Marco Rubio, një senator nga Florida. Grenelli u konsiderua gjithashtu edhe për postin e të dërguarit të posaçëm për luftën e Ukrainës, por Trumpi emëroi këtu gjeneralin në pension Keith Kellogg.

Nga administrata amerikane, siç njoftojnë mediat, thuhet se Grenelli do të jetë një prej atyre që do të kujdeset edhe për kriza të tjera në rajon, e një prej tyre është edhe Ballkani Perëndimor./ DW

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb