Të fitosh nuk mjafton, qoftë edhe pas 26 vitesh… Gega e mësoi këtë, por nuk është as i pari dhe as i fundit. Dhe ky nuk është vetëm fenomen shqiptar.


Natyrisht, dikush mund të kujtojë rastin e Starovës me Tiranën, dikush tjetër Gjokën te Kukësi pasi fitoi titullin, apo edhe Ahmatajn këtë sezon te Luftëtari… Por, stoli mbetet një terren i rrëshqitshëm edhe në Europë. Ja, shikoni Zidanin që fitoi tre Champions dhe pastaj befas u largua.


Alegri këtë vit e mbylli me titullin e pestë radhazi dhe Juvja e përcolli. Madje, është duke marrë Sarrin, një tjetër trajner që e mbylli sezonin duke fituar Ligën e Europës dhe që është duke i dhënë duart Çelsit.


Mirëpo, diferenca me këta të huajt që ikin pasi fitojnë është se e bëjnë këtë kur ndihen të velur ose kur kanë oferta më të mira. Me trajnerët shqiptarë nuk ndodh kështu. Hera-herës duken si një mall i përdorur që krijon bezdi me suksesin e tij dhe jo si aset apo investim i klubit. A është i tillë rasti i Skënder Gegës? Kjo ha shumë diskutim…

Partizani është një klubi madh ku përgjithësisht trajnerët punojnë në qetësi dhe pothuajse të pavarur teknikisht. Por Partizani, ashtu si të gjitha klubet shqiptare, “ha koka” trajnerësh. Historia e ka vërtetuar këtë edhe në 6-7 vitet e fundit. Lika, Starova, Duro, Dalipi, Sormani, Iuliano… Shumë e vërtetë. Nëse për të gjithë këta justifikimi ka qenë gjithnjë “legjitim” se nuk fituan titullin, po Gega kampion pse iku? Ose më saktë iku apo i “dhanë” dorëheqjen? Le t’i marrim gjërat me radhë…

Versioni i parë: FAMILJA

Askush dhe asgjë mbi familjen. Nëse Skënder Gega vendos që pas një viti të lodhshëm dhe historik në karrierën e tij t’i përkushtohet familjes që e ka në SHBA, atëherë kjo mbyll çdo diskutim. Ose pothuajse çdo diskutim… Së pari, sepse ka nga ata që mund të pyesin: dreqi e mori, pse nuk u përgatit disi terreni gradualisht që t’u kursehej kjo “bombë” tifozëve të kuq? Si mund të bëhej? Po ja, si rasti i Jup Hejnkesit ndoshta.

“Xhaja” i Bajernit e pati njoftuar largimin e tij shumë kohë para se sezoni të përfundonte dy vite më parë. Partizani, kishte luksin ta bënte një gjë të tillë pak javë nga fundi i kampionatit, duke qenë se titullin e kishte në xhep. Së dyti, qëlloi që Gega u pyet në TV pikërisht ditën që siguroi titullin matematikisht dhe përgjigjja ishte ndër më të qartat që ka dhënë gjatë këtij viti: “Unë kam kontratë me Partizanin dhe do ta respektoj atë”.

skender gega nipi

Ja, pra, kjo është pjesa që i bën “lëmsh” të gjithë… Nga njëra anë trajneri thotë se u largua për motive personale (familjare) dhe nga ana tjetër 10 ditë më parë deklaroi se do respektonte kontratën. Çfarë ndodhi që brenda kaq pak ditësh Gega t’i japë duart Partizanit…? Së treti, ka edhe disa sinjale që duhen lexuar me kujdes nga ata që jetojnë me klubin dhe e njohin atmosferën aty. Ja, për shembull, shikoni reagimin e Trashit. Në dukje një batutë pa zarar, por në situatën e krijuar së fundmi bëhet kuptimplotë. “Dil më shpesh nga lokali i presidentit (Demi)”, ishte fraza e lëshuar në mënyrë naive nga një prej lojtarëve më të spikatur. Pse vallë?

Versioni i dytë: PËRPLASJET

Duhet ta themi se debati dhe përplasjet nuk mungojnë kurrë në një klub futbolli, qoftë edhe kur flasim për më të organizuarit apo më të mëdhenjtë në botë. Fundja, edhe në një familje ka debate. Partizani i këtij sezoni ka qenë i aftë t’i menaxhojë shumë mirë situatat, por fërkime ka pasur. Qartazi, madje…

Sa për ilustrim, u krijua një klimë disi e tensionuar në janar, kur ziente merkato dimërore. Ish-drejtues të Partizanit kërkuan të afronin lojtarë dhe hasën në bllokadën e Gegës, aq sa ky i fundit mësohet të ketë bërë presion hapur: “Unë ose ata nëse sjellin lojtarë pa miratimin tim”.

skender gega

Drejtori Olsi Rama i pati bërë mirë llogaritë dhe i la dorë të lirë trajnerit. Por, a ka pasur përplasje të tjera deri në fund dhe a janë ato motivi kryesor se përse Gega u largua? Ka nga ata që e mendojnë kështu. Ndoshta nuk kanë qenë mirëfilli përplasje ato me drejtorin Rama, por Gega hera-herës ka pasur këndvështrime të ndryshme për skuadrën e së ardhmes. Natyrisht, as kjo nuk “vulos” faktin që trajneri ka ikur nga Partizani, për shkak të përplasjeve për merkaton me drejtorin Rama, por as e përjashton si mundësi.

Gazeta “Panorama Sport” në fakt ka tentuar të bisedojë me të dy dhe për interes të publikut t’ua bëjë si pyetje këtë, por si Rama, ashtu edhe Gega, nuk kanë pranuar të prononcohen. Natyrisht, kur një trajner që fiton titullin pas 26 vitesh largohet në këtë mënyrë, prodhon teori “konspirative” nga më të çuditshmet. Disa syresh, madje, shkojnë deri aty sa të bëjnë paralelizma me rastin e De Biazit, ku plasi xhelozia nëse e kishte kualifikuar ai Shqipërinë në “Euro 2016” apo Duka. Por, zor se besohet që Gega të ketë ikur për çështje xhelozie, nëse e kishte ai apo jo meritën për Partizanin kampion…/Panoramasport/