Një shkëndijë në një natë pa hënë. Dihej tashmë se Milani ishte i sëmurë dhe në Verona, mes mungesave dhe kontestimeve nga tifozë, morëm edhe një tjetër dëshmi të këtij fakti.
Zero ide ofensive dhe shumë rrëmujë, me Fonsekën të detyruar të falënderojë dyshen Fofana-Reijnders, të aftë për të shënuar një gol si Milani i dikurshëm. Tekniku portugez, i cili gjithashtu humbi Leaon në mbrëmjen e ftohtë veroneze, megjithatë shpëtoi edhe një herë. Si? Jo duke u ruajtur, por duke guxuar. Diçka e parë edhe herë të tjera në këtë sezon plot ulje-ngritje.
FRYMË POZITIVE – Dyshja Abraham-Morata në derbi, zgjedhja e Musahut në kuartetin sulmues kundër Realit të Madridit dhe të premten shpikja e Terraçianos si mesfushor. Me konfirmimin e Himenezit, i vendosur në të majtë dhe sërish ndër më të mirët. Zgjedhjet e diktuara nga dëshpërimi ndoshta, por të gjetura. Dhe kjo lëvizje e radhës e lejoi trajnerin kuqezi, më shumë se herët e tjera, të qëndronte në krye të një skuadre që ishte afër shkatërrimit njëherë e përgjithmonë. Lëndimet janë një tjetër pengesë që Fonseka synon të shmangë, i vetëdijshëm se një fitore me Romën dhe një triumf në Arabinë Saudite në Superkupën e Italisë mund t’i lejojnë “Djallit” të rikthejë sezonin në binarët e duhur dhe të ndryshojë humorin e mjedisit. Një mjedis i dëshpëruar që gjithashtu vendos shpresën për një pikë kthese në merkato. Shpresë që ushqehet, edhe pse jo haptazi, nga i pavdekshmi Paulo Fonseka.
SOLIDITET – Milani largohet nga Verona me tre pikë dhe kjo është e dhëna më pozitive e mbrëmjes, sepse përtej thashethemeve të ditëve të fundit që e shihnin Paulo Fonsekën gjithnjë e më larg “Milanello”-s, e rëndësishme ishte që ekipi kuqezi nuk u largua edhe më shumë nga 5 vendet e para në renditje. Tani nga ajo që ishte e rëndësishme, duhet menduar se çfarë do të jetë e rëndësishme. Shpresa është që Krishtlindjet të pastrojnë mendjen e Fonsekës, i cili, pasi punoi për 5 muaj në kërkim të stabilitetit, duket se ka humbur sensin e drejtimit për të ecur përpara. Zero gola të pësuar ndaj Empolit, Juventusit, Xhenoas dhe Veronës, vetëm 2 gola të pësuar në 5 daljet e fundit të Serisë A, të dyja ndaj Atalantës, por sulmi është katandisur për mëshirë.
ALEGRIZIM – Janë vetëm katër golat e shënuar në 5 ndeshje, më pak se një çdo 90 minuta. A mos vallë se duke folur për Alegrin, Fonseka po transformohet duke i ngjarë edhe më shumë kolegut. Deri në ndeshjen e madhe ndaj bardhezinjve, trajneri portugez dukej se e dinte se cilën rrugë të merrte për të gjetur strukturën e duhur. Shumë ndeshje kishin qenë provë, në të tjera edhe sikur të mos kishim fituar, trajneri gjithmonë e kishte analizuar ndeshjen qartë.
Pas sfidës kundër Juventusit diçka duket se ndryshoi. Referencat për arbitrat, shpërthimi motivues ndaj Crvena Zvezdës, menaxhimi i Teos, humbja ndaj Atalantës, barazimi kundër Xhenoas dhe paraqitja e keqe ndaj Veronës janë dëshmi se sa shumë është folur në muajin e fundit. Faktorët e jashtëm kanë kompromentuar punën që ka qenë gjithmonë themelore për këtë trajner. Tani, siç u përmend më parë, Fonseka duhet të përfitojë nga Krishtlindjet për të pastruar mendjen dhe për t’u rikthyer të mendojë vetëm për futbollin. Menaxhimi i gjithçkaje tjetër nuk është detyra e tij, ose të paktën nuk është nëse ka një Milan për të cilin duhet të kujdeset nga pikëpamja taktike. Për çdo gjë tjetër, nëse objektivi bëhet rezultat, duhet të mendojnë drejtuesit.