Shqipëria, që prej rënies së regjimit komunist, e ka renditur veten si një nga aleatet më besnike të SHBA. Në përgjithësi, politika e jashtme amerikane ka qenë mbështetëse ndaj interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pavarësisht nga forca politike që ka pasur pushtetin në SHBA.
Në fushatën e dy kandidatëve Trump dhe Harris nuk janë raportuar qëndrime direkte të lidhura me rajonin e Ballkanit Perëndimor, që sigurisht është një çështje shumë periferike për vëmendjen e elektoratit amerikan.
Megjithatë, ka analistë që e shohin me shqetësim qëndrimin e butë që Trump ka mbajtur kundrejt Rusisë, që është edhe aleati kryesor i Serbisë në rajonin tonë.
Veçanërisht pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, vlerësohet se ka një rritje të përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar rajonin, duke përdorur kryesisht faktorët politikë serbë, jo vetëm në Serbi, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
Gjithashtu, në mandatin e parë të Donald Trump, administrata e tij duket se mbështeti dhe promovoi planin e fshehtë për ndryshimin e kufijve të Kosovës, në këmbim të njohjes së saj nga Serbia.
Një plan i tillë shkaktoi reagime negative në Kosovë dhe vlerësohet se ishte një ndër faktorët që ndikuan në rritjen e mbështetjes për lëvizjen “Vetëvendosja” dhe kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti.
Fitorja e Trump pritet të sjellë ftohje me BE-në
Politika e jashtme është një çështje shumë e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale të SHBA. Dy kandidatët për Presidentë kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për sa i takon konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Administrata Biden ka mbështetur me vendosmëri Ukrainën pas sulmit rus të vitit 2022 dhe zëvendëspresidentja aktuale Harris duket se do të ndjekë të njëjtën linjë, nëse zgjidhet Presidente. Ajo ka shprehur angazhimin për të ndihmuar Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Kandidati republikan, Donald Trump, ka një qasje të ndryshme dhe është shprehur disa herë kundër mbështetjes së vazhdueshme me para dhe ndihma ushtarake për Ukrainën.
Trump është zotuar t’i japë fund luftës në Ukrainë “brenda 24 orëve” përmes një zgjidhjeje të negociuar me Rusinë. Sipas demokratëve, një lëvizje e tillë do të inkurajonte Vladimir Putin.
Përtej premtimeve për t’i dhënë fund luftës në 24 orë, Donald Trump deri tani nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje konkrete mbi mënyrën se si mund të zgjidhet konflikti në Ukrainë dhe si mund të arrihet paqja.
Trump, në përgjithësi, ka ndjekur një linjë më të ashpër për sa i takon barrës që bie mbi SHBA, për shkak të angazhimit në NATO.
Ai ka kritikuar të gjitha ato vende anëtare që nuk shpenzojnë nivelin prej 2% të PBB-së për mbrojtjen, madje në të shkuarën ka kërcënuar të ndërpresë financimet për këtë organizatë, derisa të gjitha vendet të japin kontributin që u takon.
Në rast të një fitoreje të Trump, është e pritshme që marrëdhëniet mes SHBA dhe aleatëve europianë të ftohen, për disa arsye. Në të shkuarën, Trump ka shprehur shpesh simpati për Presidentin rus, Vladimir Putin, që sot vlerësohet si kërcënimi kryesor i sigurisë për Europën.
Nga ana tjetër, platforma proteksioniste e Trump në tregtinë e jashtme parashikon vendosjen e barrierave tarifore edhe për mallrat e importuara nga Europa, faktor që do të kishte ndikim negativ mbi tregtinë dhe marrëdhëniet ekonomike mes BE dhe SHBA.
Sipas një analize të Goldman Sachs, një fitore e Trump mund t’i kushtojë Europës një ulje prej 1 pikë përqindje të PBB-së, si një efekt i përbashkët i një lufte të re tregtare, rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe pasigurisë më të madhe gjeopolitike.
Ndërsa një raport nga Instituti Ekonomik Gjerman IW, arriti në përfundimin se, në një skenar në të cilin administrata Trump vendos tarifa 20% ndaj BE-së dhe Unioni përgjigjet me masa reciprociteti, PBB-ja e Eurozonës do të tkurrej me 1.3 pikë përqindje në 2027 dhe 2028; në Gjermani, që do të ishte vendi më i prekur, rënia do të arrinte deri në 1.5 pikë përqindje.
Më pak diferenca për Lindjen e Mesme
Diferencat mes dy kandidatëve për President duken të jenë më të vogla në konfliktin e Lindjes së Mesme, ku prej më shumë se një viti, Izraeli është përfshirë në luftë me fraksionet ekstremiste myslimane palestineze dhe libaneze.
Kamala Harris ka qenë për një kohë të gjatë avokate e zgjidhjes me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën.
Ndërsa ka mbështetur pa mëdyshje të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, ajo ishte një nga anëtarët e parë të administratës Biden që bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, ngriti shqetësimet për katastrofën humanitare për palestinezët dhe i kërkoi Izraelit përfundimin e konfliktit.
Në fjalimin e saj të pranimit të kandidaturës në Konventën e Partisë Demokratike, ajo u zotua që si presidente të sigurojë “që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gaza të marrin fund dhe populli palestinez të mund të realizojë të drejtën e tij për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje”.
Në intervistën e saj në rrjetin CNN, Harris tha se ajo do të fokusohej në sigurimin e një marrëveshjeje armëpushimi, duke ndjekur kështu qasjen e Presidentit aktual, Biden.
Megjithatë, administrata demokrate, më shumë se një herë, i ka shprehur hapur pakënaqësitë lidhur me teprimet e aksionit ushtarak izraelit, veçanërisht në Rripin e Gazës. Sulmet izraelite kanë shkaktuar mijëra viktima të pafajshme mes civilëve dhe e kanë çuar Gazën në kushtet e një katastrofe humanitare.
Trump e ka pozicionuar gjithnjë veten si një mbështetës i vendosur i Izraelit, megjithatë, ai në disa raste ka qenë gjithashtu kritik për mënyrën se si Izraeli e ka zhvilluar luftën në Gaza.
Njëlloj si për konfliktin në Ukrainë, Trump është shprehur se lufta nuk do të kishte ndodhur, nëse ai do të kishte qenë President, por nuk ka ofruar deri tani detaje se si do ta përfundonte luftën.
Në mandatin e parë presidencial, Trump zemëroi palestinezët, duke zhvendosur ambasadën e SHBA në Jeruzalem, ndërsa administrata e tij ndaloi së cilësuari të paligjshme vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.
Ekspertët, në përgjithësi, mendojnë se Donald Trump është mbështetës më i palëkundur i Izraelit dhe veçanërisht i linjës së ashpër të kryeministrit, Benjamin Netanyahu.
A është Trump rrezik për demokracinë amerikane?
Një çështje që ka ngjallur shumë debate në SHBA dhe më gjerë javët para zgjedhjeve amerikane ishte vendimi i pronarëve të mediave prestigjioze amerikane “Los Angelos Times” dhe “Washington Post” për të mos mbështetur asnjë prej kandidatëve për President.
Shprehja e mbështetjes për njërin prej kandidatëve për President (endorsement) është një traditë e mediave kryesore amerikane prej gati 50 vjetësh.
Heqja dorë nga një praktikë e tillë vlerësohet nga një pjesë e analistëve dhe opinionit publik si ndërhyrje në lirinë e medias dhe cenim i parimeve të demokacisë amerikane.
Disa redaktorë dhe editorialistë të dy mediave të mësipërme dhanë dorëheqjen, pasi pronarët kundërshtuan qëllimin për t’u rreshtuar me kandidaten demokrate, Kamala Harris, dhe urdhëruan qëndrim asnjanës, duke mos mbështetur asnjërin prej kandidatëve.
Në veçanti, debate ka ngjallur vendimi i gazetës “Washington Post”, që zotërohet nga miliarderi, Jeff Bezos.
Bezos është njeriu i dytë më i pasur në botë pas Elon Musk, (i cili është bërë një mbështetës i shquar i fushatës së Trump për një presidencë të dytë). Bezos e bleu “Washington Post” në 2013 për 250 milionë dollarë.
Bezos është njëkohësisht pronar i kompanisë së shitjeve online Amazon dhe kompanisë së eksplorimit të hapësirës, Blue Origin.
Sipas analistëve, këto dy kompani konkurrojnë për kontrata fitimprurëse të qeverisë federale, duke aluduar se vendimi i Bezos ka qëllim ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Trump, duke parë shanset në rritje të tij për të fituar garën për në Shtëpinë e Bardhë.
Pak orë pasi “Washington Post” shpalli se nuk do të mbështeste asnjë nga kandidatët, zyrtarë të lartë të kompanisë Blue Origin u takuan shkurtimisht me Trump, pas një fjalimi të tij të fushatës në Austin, Teksas.
Sipas “Associated Press”, Trump u takua me shefin ekzekutiv të Blue Origin, David Limp, dhe nënpresidenten e marrëdhënieve me qeverinë, Megan Mitchell.
Ndërkohë, CNN raportoi se CEO i Amazon, Andy Jassy, gjithashtu, kishte kontaktuar së fundmi për të folur me ish-presidentin me telefon.
Këto lajme u cituan edhe nga redaktori dhe editorialisti i vjetër i “Washington Post”, Robert Kagan, i cili dha dorëheqjen në fund të tetorit, pas vendimit për të anuluar mbështetjen për Harris.
Sipas tij, takimi i drejtuesve të Blue Origin me Trump nuk do të kishte ndodhur nëse “Washington Post” do të kishte mbështetur zëvendëspresidenten Harris, siç kishte planifikuar.
Tetëmbëdhjetë editorialistë në “Washington Post” nënshkruan një deklaratë kundërshtuese kundër vendimit, duke e quajtur atë “një gabim të tmerrshëm”.
Në kritikat e tyre ndaj vendimit të “Post”, gazetarët e dorëhequr përmendën rreziqet për demokracinë që paraqet Trump, i cili ka shprehur hapur admirimin e tij për qeverisjen autoritare.
Vendimi i “Washington Post” erdhi menjëherë pasi edhe pronari i “Los Angeles Times”, Patrick Soon-Shiong, refuzoi të lejonte bordin editorial të medias së tij për të mbështetur publikisht Kamala Harris.
Ndërkohë, disa grupe të tjera të mëdha mediatike i qëndruan besnike praktikës së tyre.
“New York Times” shpalli në shtator mbështetjen për Kamala Harris, duke e quajtur atë “të vetmen zgjedhje patriotike për president” dhe duke shkruar se Trump “e ka dëshmuar veten moralisht të papërshtatshëm për një zyrë që i kërkon titullarit të vendosë të mirën e kombit mbi interesin vetjak”.
“The Guardian”, gjithashtu, mbështeti fuqimisht Harris, duke u shprehur se ajo do të “zhbllokonte potencialin e demokracisë, pa u dorëzuar para të metave të saj” dhe duke e quajtur Trump një “politikan transaksional dhe korruptues”.
Ndërkohë, “New York Post”, e kontrolluar nga manjati Rupert Murdoch, ka mbështetur kandidatin Trump.
Shumë analistë kanë vënë në dukje se sipërmarrësit e mëdhenj, siç është rasti i Murdoch apo Bezos, duket se e gjejnë veten më afër kandidatit Trump, platforma e të cilit është më joshëse për të pasurit; apo, të paktën ata nuk duan të përballen me armiqësinë e Trump, në rast se ai zgjidhet President./ Monitor
(BalkanWeb)