Nga: ILIRIAN ZHUPA *
Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, për të përcaktuar atë që ka ndodhur në vitet e pluralizmit me administratën tonë, dy janë fjalët që kumtojnë gati plotësisht procesin: arnë dhe mballomë. E para ka këtë kuptim: “Copë e vogël cohe, lëkure, teneqeje etj., që qepet ose që ngjitet për të zënë një vrimë, një të çarë a një të grisur, në petka, këpucë, enë etj. Diçka që përdoret për të mbuluar një të metë a një dobësi, për të zënë një të çarë në një punë”. Ndërsa e dyta, gati në sinonimi me të parën, ndonëse me një ngjyresë figurative përkeqësuese, shpjegon: “Diçka që përdoret për të mbuluar një të metë a një zbrazëti në punë, diçka që shërben për të rregulluar një punë sa për të kaluar radhën, në mënyrë gjysmake e të përkohshme…”. Vetëm për shkak të ngjyresës pezhorative të “mballomës”, e cila në anën semantike do të ishte më shteruese për fenomenin, zgjodhëm që në titull dhe në kumtimin e mëposhtëm të përdorim fjalën arnë, si një përkufizim më neutral.
Si shumë hapësira të tjera jetike në këtë vend, fatkeqësisht edhe administrata është parë si një subjekt i denjë për t’u marrë peng. Në mënyrë gati të rregullt, mbas çdo palë zgjedhjesh të përgjithshme a lokale, mbas çdo ndërrimi kabinetesh e ministrash, kryetarësh, drejtorësh, komandantësh, shefash, sekretarësh, komisarësh, brigadierësh, agjitatorësh, militantësh, klientësh, sekserësh; mbas çdo marifeti e hileje “demokratike”, që për sy të publikut e të botës kemi prirjen ta quajmë ligj, reformë, standard, përafrim, meritokraci etj.
Gati çdo fitues zgjedhjesh e karrigesh, e ka parë hapësirën që duhet të drejtojë e qeverisë si “plaçkën” e vet, me të cilën mund të bëjë si dhe çfarë të dojë. Me një babëzi prej të limaksurish e të çmeriturish, me një mendjeshkrepje prej harbutësh e padronësh, me një qasje demagogjike dhe me një hipokrizi të përkryer, zhgënjyese e të paparashikueshme. Kaq të përkryer në shfaqje dhe kaq të neveritshme në pacipërinë e deformimin e saj.
Të gjitha herët, administrata jonë është arnuar “me ligj” ose në emër të ligjit. Mund të thoshim, po t’ia lejonim vetes, është “mballosur” nën çarçafët e bardhë të ligjit. Çarçafë të cilët, që ditën e parë pas “martesës”, janë varur si shenjë virgjërie në ballkonet dhe dritaret e kollovarëve tanë, për të na treguar përrallën e rrejshme se krushqia doli e mbarë, ndaj sovrani duhet të vazhdojë t’u sëllojë tupanave.
Arnat e mballomat që mban mbi shpinë administrata jonë, më shumë sesa pjesë e modernizimit dhe shtimit të efektivitetit të saj, kanë qenë pjesë e qokave të “qiraxhinjve” të radhës. Qoka për familjarët, fisin, miqtë, militantët, servilët dhe sekserët e tyre. Ndërkohë që zgjedhje mbas zgjedhjesh, qiraxhi pas qiraxhinjsh, administrata, kolona vertebrore e shtetit, është përkulur e përkequr, nën peshën e arnave mbi arna, vetëm për pak vota më shumë, për pak pushtet, pak lavdi, pak mall e para, pak bindje e nënshtrim më shumë.
Hatatë që i kanë ndodhur kësaj administrate, pra shtetit, janë përligjur me arsyetime e justifikime “demokratike”. Së pari, me arsyetimin e ndërrimit të sistemit. Duke e prerë e arnuar administratën me mballoma e penj ideologjikë. Duke nxjerrë në rrugë jo komunistët që u konvertuan për 24 orë në antikomunistë, por pjesën më vitale të shoqërisë dhe shtetit, agronomët, inxhinierët, veterinerët, projektuesit, shkencëtarët, mësuesit, hidroteknikët, matematicienët, shkrimtarët, artistët, që duke u investuar te pasionet e veta, kishin pasur më pak arsye të bënin krushqi me diktaturën. Në vend të tyre, administrata u karfos me gjethe plepi e turlilloj arnash, që mbaheshin të kolisura me ndihmën e penjve, telave e gozhdëve të ndryshkura të Gazidedes me shokë.
Më tej, historia u përsërit në vitin ’97, 2005 e në vazhdim. Jo më në përmasat e para, dhe jo më e qepur vetëm me fëndyellin e sigurimsave dhe të spiunëve. Shqipëria kishte dhe pjesën e saj të mishtë; përveç militantizmit e farefisnisë, kishte dhe klientët e ushtarët e vet që për një kockë, ta bëjnë qeverimin më “të lehtë” dhe jetën më hedonistike e ekzibicioniste.
Nëse do bënim sot një skaner të ndryshimeve pluraliste të kësaj administrate, produkt i gjithë arnave dhe mballomave, pengmarrjeve dhe qokave, nuk është e vështirë që ashtu si paleontologët të shohim qartazi gjithë shtresëzimet. Atë të parin, të kapërcyellit mes dy epokave, që është një mishelë idealistësh, të persekutuarish, ish-komunistësh, spiunësh, ëndërrimtarësh, servilësh. Më tej njerëzit pa asgjë pas shpirtit, vetëm me ndjesinë e përsosur të flugerit, që ndërrojnë ngjyrë e fletë sipas erës së pushtetit të radhës, ose radhë pas radhe. Pastaj farefisnaja, kushërirllëku, krushqia, bashkëkatundaria, bashkëbreznia, ortakëria; burrat dhe gratë e akcilit dhe akcilës, që gjëllijnë në ndërmarrjet e qeverisura e të qokëzuara ndërsjelltazi. Mes kësaj larushie, të dënuarit e përjetshëm, ata që dinë të shohin në sy vetëm punën, që nuk bëjnë freskun e radhës dhe që rrallohen përditë e më tepër, si pylli nën sëpatën e dardharit.
Çerek shekulli duke prerë pemët që mendojmë se na bëjnë hije. Duke u kënaqur, si çobanët me meranë e shkurreve dhe barit që harlisen mbasi pritet pylli. Mera, që çdo fund vere elektorale, e djegim për t’i shtuar gjethin e njomë “tufës” sonë. Pa menduar që kësisoj, stinë mbas stine, administrata, ashtu si toka jonë, shpëlahet nga era dhe shiu, varfërohet e bëhet shterpë…


(d.d/GSH/BalkanWeb)



Etiketa: