Favorit thuajse në çdo Botëror, por prej vitesh Brazili e ka humbur këtë status. “Seleçao”, përtej cilësisë së pa diskutueshme, në vitet e fundit nuk po gjejnë qetësi në lidhje me pankinën. I fundit që pagoi me shkarkim faturën ishte Dorival. Drejtuesit e Federatës Braziliane të Futbollit kanë nisur punën për të gjetur një trajner të ri.
Presidenti, Ednaldo Rodrigues, ka përpiluar një listë të shkurtër me 4 emra, katër kandidatura, për post Dorival. Në krye të kësaj liste qëndron Carlo Ancelotti, por tekniku italian është ende nën kontratë me Real Madrid dhe siç e ka thënë shpesh edhe vetë ai, dëshiron t’i qëndrojë besnik kontratës e cila i skadon në 2026.
I njëjti diskutim është edhe për opsionin e dytë, emrin e dytë në listë, Jorge Jesus. Tekniku portugez është nën kontratë me Al Hilal, dëshira e tij është të drejtojë ekipin saudit në Botërorin për Klube, nëse arrin të mbijetojë deri në atë kohë, atëherë edhe opsioni i dytë për Brazilin bie.
Në podiumin e trajnerëve të preferuar është edhe Abel Ferreira, i cili në drejtimin e Palmeiras ka fituar gjithçka në Amerikën e Jugut.
Në fund, por jo më pak i rëndësishëm në këtë listë është edhe Jose Mourinho. Në vitet e fundit, Speciali ka humbur jo pak nga shkëlqimi dhe fama e tij. Në Turqi, në krye të Fenerbahce duket sikur Mou ka prekur fundin, e ka humbur qetësinë duke prodhuar edhe skena të pahijshme si në derbin e Stambollit. Për Mourinho-n, stoli i Brazilit do të ishte maksimumi, një vitrinë e shkëlqyer për t’u rikthyer në futbollin e rëndësishëm. Shpesh, në të kaluarën, Mourinho nuk e ka mohuar faktin se i pëlqen të marrë drejtimin e një ekipi përfaqësues.
(BalkanWeb)