Analisti Andi Bushati ka replikuar me disa prej kolegëve të tij në lidhje me analizat e tyre për Kryeprokurorin e ri të përkohshëm që pritet të zgjidhet vetëm me votat e deputetëve socialistë. Bëhet fjalë për analistët Mero Baze, Mustafa Nano dhe Skënder Minxhozi, që sipas Bushatit bashkohen në qëndrimet e tyre vetëm tek një pikë: Ata e vendosnin fokusin e tyre vetëm tek mëkatet, frikërat, makthet dhe interesat e opozitës. Sipas tij, ata i tregonin publikut vetëm gjysmën e zbrazur të gotës dhe jo të vërtetën e plotë.

Bushati thekson se për të arritur në konkluzione të drejta për debatin mbi Kryeprokurorin e ri do të duhej të bënim gjyqin e qëllimeve të secilës palë dhe po të procedonim kështu, nga ky proces nuk mund të përjashtohet as Edi Rama dhe socialistët.

“Kam kexuar shumë interpretime juristësh, shumë deklarata politikanësh e ndërmjet tyre edhe disa prej kolegëve të mi, me të cilët edhe kur nuk ndaj të njëjtat mendime, i respektoj në përpjekjen për t’u thelluar dhe forcën argumentuese. Pikërisht tek këta të fundit më ka bërë përshtypje një tendencë për ta paraqitur gjithçka si një paranojë, frikë, apo lojë në kulisa të dyshes PD – LSI.
Pavarësisht nga diversiteti i argumentave që sillnin, që të tre bashkoheshin në qëndrimet e tyre vetëm tek një pikë: Ata e vendosnin fokusin e tyre vetëm tek mëkatet, frikërat, makthet dhe interesat e opozitës. Ata i tregonin publikut vetëm gjysmën e zbrazur të gotës dhe jo të vërtetën e plotë.
Natyrisht, në argumentat e përzgjedhur, ata kanë të drejtë. Një prokuror i përgjithshëm i fortë dhe i pavaruar, do të bënte t’i dilte gjumi i natës Berishës, qoftë për 21 janarin, qoftë për Gërdecin dhe qoftë për koncesionet e dhëna në fund të mandatit. Një shef akuze me këto kritere do ta shndërronte aferën e DIA – CEZ në makthin e Ilir Metës. Ata, gjithashtu mund të pohojnë me gojën plot, se dyshja PD-LSI shpesh është rreshtuar kundër reformës dhe po aq shpesh është përpjekur t’a pengojë dhe zvarrisë atë. Por, analiza e tyre duket sikur shpie drejt përfundimesh të manipuluara.
Për të arritur në konkluzione të drejta do të duhej të bënim gjyqin e qëllimeve të secilës palë. Dhe po të procedonim kështu, nga ky proces nuk mund të përjashtohet as Edi Rama dhe socialistët.
Pra, nëse do të shqyrtojmë motivet që i shtyjnë palët në pozicionet që kanë zgjedhur, pjesa e qeverisë del krejtësisht e zbuluar”, thotë Bushati.

Ai shprehet se socialistët e nisën propogandën e zgjedhjes së një prokurori të përkohshëm, vetëm pasi plasi skandali Habilaj – Tahiri. “Ata filluan të flasin për të vetëm kur në publik u hodhën hipotezat se shërbime të huaja kanë përgjuar edhe politikanë të tjerë të lartë, tejet të afërt me Edi Ramën.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte ata interpretuan vetë një çështje ligjore tejet të koklavitur si emërimi i këtij kryeprokurori me votat e PS”, shkruan Bushati.

Analisti madje thotë se socialistët në fillim gënjyen kur thanë se edhe prokurori i përkohshëm do t’i nënshtrohej vettingut. “Kaluan disa ditë dhe u tërhoqën nga kjo. Më pas thanë se ai do të qëndronte në detyrë maksimumi një muaj. U provua me fakte se ai kish mundësi të mbretëronte edhe shumë më gjatë. Në fund pretenduan se alarmi që po bëhet është fals, sepse kryeprokurori kalimtar nuk ka asnjë kompetencë. Më pas doli se ai kishte në dorë të pezullonte vartësit e tij, pra edhe ata që mund të hetojnë Tahirin sot, apo Ramën, Dakon e Sejdinin nesër. Ja pra që të gjitha këto pirueta do ta bënin dyshuese një mendje që mëton të shkojë drejt së vërtetës.
Pse shpikën kaq alibi me radhë socialistët? Ç’ qëllim kishte pas tyre? Pse duan një prokuror (qoftë të përkohshëm) vetëm me votat e tyre? Pse nxitojë ta zgjedhin pa kaluar vettingun? Pse rrefuzojnë ta zgjedhin me kompromisin që ofron kushtetuta (shumicë të cilsuar parlamentare) po ofrojnë një konsensus të rremë si tryeza Rama- Basha? Dhe mbi të gjitha: Pse pikërisht në këtë periudhë kur janë kapur për fyti nga skandalet? Pse në kohën kur kanë nisur një betejë kundër prokurorisë që e kanë etiketuar si politike? Pse tamam tani kur filluan të flasin, për prokurorë të tropojanë kushurinj të Berishës, që na paskërkan organizuar një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë? Pikërisht këto pyetje që “harrojnë” t’i bëjnë kolegët e mi, janë etapa e domosdoshme për të shkuar drejt së vërtetës”, thotë Bsuahti.

Ai thekson se nëse vendosim të bëjmë analizën se kush ka të drejtë në konfiktim e hapur për mënyrën e zgjedhjes së kryeprokurorit, ne nuk mund të shohim vetëm njërën anë të medaljes. “Ne nuk mund të fokusohemi vetëm tek opozita. Natyrisht ajo ka mëkatet dhe pjesën e saj të errët në këtë betejë. Por, me votat që ka, ajo as mund ta zgjedhe një prokuror të sajin, as mund ta pengojë një prokuror të kundërshtarëve. Prandaj pesha më e madhe qëndron tek mazhoranca. Në fund të fundit është ajo që ka në dorë edhe gurin dhe arrën”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb