Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – Edhe pse për Shqipërinë Evropiani ka përfunduar, emocionet ende jo. Për të na i rikthyer edhe një herë ato, vjen në këtë rrëfim Andi Lila. Futbollisti në këtë intervistë për “Summer Pages”, zbulon se si ishte ta prekje nga afër një ëndërr të madhe si Kampionati Evropian. Edhe pse, sipas tij, e gjithë bota njohu Shqipërinë, të gjithë kishin pritshmërinë për të kaluar në fazën tjetër. Andi zbulon më tej edhe emocionet e djemve, teksa nga dhomat e tyre ndiqnin ndeshjet që edhe vendosën fatin e Shqipërisë. E në fund, ai tregon edhe për pushimet e shkurtra me familjen si dhe takimin me vogëlushin e tij, që aq shumë i ka munguar…
Si ishte për Andin eksperienca e Evropianit?
Mund të them që ishte, pa dyshim, një nga eksperiencat më të bukura në jetën time. Pata nderin që në dy ndeshje të jem titullar në skuadrën tonë. Ishte një ëndërr e bërë realitet! Evropianin nuk do ta harroj kurrë! Ishin net magjike që ne si Kombëtare dhuruam shumë spektakël dhe famë, shumë emocione. Më vjen mirë që Shqipëria luftoi dhe e meritoi këtë Evropian. Më lejoni të falënderoj edhe trajnerin De Biazi që më dha mundësinë të jem pjesë e lojtarëve që e prekën nga afër këtë ëndërr.
Sa ju zhgënjeu eliminimi, a e kishit menduar fazën tjetër?
Të them të drejtën e kisha menduar, më saktë e gjithë skuadra e kishte menduar. Shqipëria i tregoi gjithë botës se di të luajë. Madje mund të them që ne ishim bërë një skuadër e ‘frikshme’, që e di se çfarë kërkon në fushë. Pse jo, mund të ishim edhe një skuadër-surprizë e këtij Evropiani, si Uellsi apo edhe si Islanda. E donim të gjithë një ndeshje tjetër, për t’u treguar të gjithëve se do ia dilnim. Megjithatë dua të them që jam shumë i lumtur që i treguam botës se kush është Shqipëria: Një vend i vogël, po me një talent dhe pasion të madh!
Si i pa Andi, po edhe të gjithë djemtë e Kombëtares, ndeshjet që do të vendosnin fatin e Shqipërisë pas ndeshjes me Rumaninë; na rrëfeni emocionet e këtyre ndeshjeve?
Në fakt, si unë po edhe djemtë e tjerë, i ndoqëm këto ndeshje me një emocion të veçantë. Pas fitores me Rumaninë, ne kishim shanse të mëdha për t’u kualifikuar dhe të gjithë kishim shumë shpresa. Po duke parë ndeshjet e tjera, u duk sikur na ndoqi tersi më së shumti. Ne na penalizoi fakti që ishim grupi i parë, pasi thashë, nëse do të kishim edhe një ndeshje tjetër, do t’ia kishim dalë mbanë.
Kush nga djemtë e Kombëtares u përlot?
Të gjithë ishim shumë të emocionuar. Nuk di të them se kush ishte ai që qau, por di të them që të gjithë përjetuam emocione, si në fitoren me Rumaninë, ashtu edhe pas eliminimit.
Ndërkohë u shndërrove në epiqendrën e mediave ndërkombëtare, me foton ku festoje pas golit të Sadikut ndaj Rumanisë; çfarë ke menduar kur e ke parë këtë foto?
Në fakt e pashë në video, pas ndeshjes, ishte UEFA ajo që e kishte publikuar. Nuk di se çfarë të them. Ishte një gëzim aq i madh dhe jam i sigurt që ashtu ka festuar çdo shqiptar në ato momente. Ishte një festë e drejtë, një moment historik për të gjithë shqiptarët. Më vjen mirë që edhe mediat e kanë përjetuar festën time, ose më saktë festën tonë.
Si ishte rikthimi në Shqipëri, si e përjetuat festën?
Ne vinim nga eliminimi, por e dinim që kishim bërë krenar gjithë vendin tonë. Natyrisht që, tifozët janë një pjesë shumë e rëndësishme. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të shikosh se si një vend i tërë të pret si një hero. Mendoj se ishte një festë e merituar për të gjithë.
Ndërkohë që, së bashku me ju në autobusin e Kombëtares ishte dhe djali juaj, Ayan; si erdhi ai te ju?
Kisha 33 ditë pa e parë djalin. Nuk mund ta them se sa më kishte munguar. Sapo mbërrita në Shqipëri, i them bashkëshortes që të ma nxirrte ta shikoja, sepse nuk po më pritej më. Dhe kur ai ishte aty me mua, nuk mund ta përshkruaj se sa i lumtur isha. Ai është festa ime e vërtetë. Kur e pashë, harrova gjithçka, madje edhe humbjen.
Ndërkohë, cilat janë planet e Andit për pushimet e verës?
Unë sapo i përfundova një javë pushime. Isha në Turqi me familjen, ku dhe kisha mundësi të pushoja. Ishin pak ditë, por më mjaftuan për t’u çlodhur dhe për të shijuar kohën me familjarët e mi. Tashmë unë nis stërvitjen dhe nuk ka më pushime për mua. Nuk më vjen keq, sepse i kthehem fushës me një pasion shumë të madh. Mezi po pres të luaj përsëri.
Tashmë pas Evropianit, a keni marrë oferta nga skuadra të mëdha për t’u zhvendosur?
Po, kam marrë disa oferta. Kanë qenë të shumta skuadrat e mëdha që më kanë ofruar të bëhem pjesë e tyre. Deri më tani nuk kam vendosur për asgjë, jam duke parë të gjitha ofertat. Nëse marr një kontratë të mirë financiare, natyrisht që do të lëviz, ndryshe do të vijoj të rri te skuadra ime.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb