“Anëtarësimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2025 nuk është real”-deklarata vjen nga ish-zëvëndësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee gjatë një diskutim në Institutin Ndërkombëtar Republikan në Uashington, me temën: “Zgjidhja e së pazgjidhurës në Ballkanin Perëndimor”.

Ndër të tjera, zyrtari amerikan shtoi se bashkësia ndërkombëtare momentalisht nuk ka strategji të qartë për Ballkanin Perëndimor dhe se as BE-ja, as SHBA-ja nuk po ia kushtojnë rajonit rëndësinë që do të duhej.

Duke u ndalur në cështjen e Kosovës e kryesisht në takimin presidentit Hashim Thaci dhe atij serb Aleksandër Vucic në Berlin, Hoyt Yee takimi i Presidentëve me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, nuk është vendimtar për dialogun mes dy vendeve, por është një shans për të biseduar.

“Librat e historisë në Ballkan janë plot me momente ‘tani ose kurrë’. Mendoj se takimi në Berlin nuk është një prej tyre, por është një shans. E vlerësoj Gjermaninë dhe vendet e tjera që vazhdojnë të organizojnë takime të tilla, në të cilat flitet për hapat e ardhshëm”, tha Hoyt Yee, ndërsa komentoi edhe zërat për korrigjim të kufirit.

“Mendoj se ideja për ndarje të territoreve në vija etnike nuk është e mirë, as pragmatike, as politike, as diplomatike. Nuk është diçka për të cilën duhet folur”, tha Hoyt Yee, ndërsa theksoi se Serbia duhet të vendosë “nëse do që të ulet në karrigen ruse apo atë evropiane”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb