Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti dje në një takim kortezie në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Gonzato për hapjen zyrtare të negociatave për Grup-Kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), që shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit me BE-në.

Gjithashtu, Guvernatori falënderoi z. Gonzato për asistencën teknike që BE ka dhënë për forcimin e kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë nëpërmjet fondeve IPA dhe programeve Tëinning, në fusha të rëndësishme të bankingut qendror si stabiliteti makroekonomik dhe financiar, auditimi, mbikëqyrja dhe sistemet e pagesave, në mbështetje të përgatitjeve të saj për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe më pas në Eurosistem.

Guvernatori dhe Ambasadori diskutuan lidhur me progresin e bërë nga Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballen vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, duke skicuar, njëkohësisht, qasjen e Komisionit Evropian për të udhëhequr dhe mbështetur procesin e zgjerimit.

Ambasadori Gonzato përgëzoi Guvernatorin Sejko për pranimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA nën udhëheqjen dhe koordinimin e Bankës së Shqipërisë, si pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Ai theksoi se me këtë anëtarësim, Banka e Shqipërisë përmbush me sukses një ndër ambiciet e saj kryesore në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Gjatë bisedës, Guvernatori Sejko e njohu bashkëbiseduesin me panoramën ekonomike në Shqipëri, ku theksoi se pavarësisht situatave sfiduese, ecuria ekonomike në vend paraqitet e qëndrueshme dhe me tregues mjaft të mirë.

Guvernatori Sejko theksoi se fokusi i politikave ekonomike gjatë kësaj periudhe ka qenë i orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, duke përshtatur qëndrimin e politikës monetare, si një parakusht për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit tonë dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend.

Më tej, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë gjykon se reformat e gjithanshme rregullatore, ligjore e institucionale të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, ofrojnë një platformë të plotë dhe konsistente për adresimin e sfidave.

Ambasadori përgëzoi Guvernatorin Sejko për progresin e bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë.

Përmbushja e kritereve të anëtarësimit çon në zhvillimin gjithëpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vendit.

Ai vlerësoi punën e bërë kryesisht për Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe Kapitullin 17 “Politika Ekonomike dhe Monetare”, të cilët drejtohen nga Banka e Shqipërisë, por dhe kontributin e kësaj të fundit në kapitujt e tjerë ku merr pjesë, si dhe nënvizoi vlerësimin e Komisionit Evropian në lidhje me procesin e përafrimit sipas kapitujve të acquis të BE-së, i cili konstatohej dhe në progres-raportin e fundit.

Ndër të tjera, Ambasadori Gonzato vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të përballimit me sukses të sfidave dhe garantimit të stabilitetit financiar në vend, si një parakusht i rëndësishëm për investitorët, me synim zhvillimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja në Shqipëri.

Ambasadori Gonzato konfirmoi vullnetin për të rritur më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen e BE-së për Bankën e Shqipërisë nëpërmjet asistencës teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror dhe ndërmarrjes së projekteve të përbashkëta në të ardhmen./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb