Më 13 mars 2019, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, në të cilën shprehej shqetësimi i deputetëve europianë rreth rekordeve të dobëta të Turqisë në ruajtjen e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit. Duke marrë parasysh sa më sipër, eurodeputetët rekomandonin pezullimin e bisedimeve me Turqinë për pranimin në BE, duke theksuar se marrëdhëniet BE-Turqi duhet të ripërcaktohen në aspektin e një partneriteti efektiv. “Megjithatë, fondet e BE-së duhet të jenë ende në dispozicion, për të mbështetur shoqërinë civile turke, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe studentët. Parlamenti Europian, gjithashtu vë në dukje rëndësinë që ka fakti që BE dhe shtetet anëtare të saj të mbajnë dialog të ngushtë me Turqinë, duke bashkëpunuar mbi çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë dhe pranon rolin e rëndësishëm që Turqia ka treguar ndaj krizës së migracionit”.

Roli i Turqisë, si një aktor shumë i rëndësishëm ndërkombëtar, është përherë e më i dukshëm. Turqia ka qenë dhe mbetet një faktor strategjik, si për SHBA-në ashtu edhe për Rusinë. Mbështetja e fuqishme amerikane për këtë vend, që shërben si urë lidhjeje në mes dy qytetërimeve, si ai perëndimor dhe ai islamik, duket qartazi edhe në kuadër të ecurisë së proceseve integruese për Turqinë, pavarësisht nga ndryshimet konjukturale, që shfaqen në politikat amerikane me këmbimin e administratave.

SHBA-ja, Anglia dhe Suedia mbeten promotorë të anëtarësimit të Turqisë dhe secila prej tyre ka luajtur rol, me aq mundësi sa kanë, që të mbajnë hapur bisedimet e anëtarësimit të këtij vendi në BE-në, ndërsa në qeverinë gjermane është arritur kompromisi me partnerët e saj qeverisës (kristiandemokratët dhe liberalët), për të mos ngrirë çështjen e ndërprerjes së bisedimeve me Turqinë në takimin e dhjetorit 2009. Por rruga europiane për Turqinë ka një kundërshtar të fuqishëm, Francën dhe Presidentin Sarkozi, përveç Greqisë dhe Qipros.

* * *

Kërkesa e parë zyrtare për futjen e Turqisë në Bashkimin Ekonomik Europian të atëhershëm është e vitit 1959, pikërisht dy vjet mbas krijimit të kësaj strukture. Në vitin 1963, me Marrëveshjen e Ankarasë, u planifikua integrimi i plotë dhe gradual i Turqisë në BE. Hapi i parë do të ishte bashkimi doganor, ndërkohë që për të arritur anëtarësimin e plotë duhej që Turqia të arrinte parametrat europianë në fushën politike-institucionale dhe në atë të të drejtave të njeriut. Por BE nuk i zbatoi plotësisht angazhimet e saj. Kështu, në vitin 1981 u ndërprenë protokollet financiare dhe ndihmat e parashikuara në kuadrin e programit MEDA, pa kryer asnjë lloj kompensimi, megjithëse presidenca e atëhershme e BE-së kishte deklaruar se nuk dëshironte të ishte peng e vetos greke, për çdo lloj hapjeje ndaj Turqisë.

Foto 3 Turqia Dhe Be 1

Aplikimi i Turqisë për anëtarësim të plotë në BE në prill 1987 dhe përgjigjja negative, krijuan një pikëpyetje të madhe për anëtarësimin e Turqisë në klubin e vendeve europiano-perëndimore. Kjo tendencë u thellua më tej me klimën e re të postluftës së Ftohtë. Mbas rënies së murit të Berlinit, Turqia e humbi statusin e privilegjuar, që kishte si vend kufitar me vendin më të fuqishëm të kampit socialist, BS. Sytë e BE-së në përgjithësi dhe të Gjermanisë në veçanti, u drejtuan nga vendet ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore. Gjermania donte të krijonte në këtë zonë Mittel-Europën e dikurshme. Kjo solli rënien e interesit ndaj Turqisë, e cila edhe për vetë problemet dhe përmasat e saj, kërkonte angazhime të mëdha financiare.

Fakti që BE-ja nuk ishte e interesuar për të hapur bisedime serioze me Turqinë, u duk në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Europës, mbledhur në Amsterdam në qershor 1997, ku u paraqit plani i zgjerimit të BE-së, plan që u miratua në Samitin e Luksemburgut të dhjetorit 1997. Pesë vendeve që konsideroheshin të përshtatshme (Hungari, Poloni, Republika Çeke, Estoni dhe Slloveni) iu shtua edhe Qipro. Turqia nuk u përfshi as në grupin e dytë të vendeve kandidate (Lituani, Letoni, Sllovaki, Rumani dhe Bullgari). Në mbledhjen e nivelit të lartë të Kardifit të vitit 1998, u pa se Turqia ishte i vetmi vend që ishte i përjashtuar nga çdo fazë e mëtejshme e bisedimeve për zgjerim.

Foto 3 Turqia Dhe Be 2

 

Përpara Samitit të Luksemburgut kishte katër mundësi për pozicionimin e BE-së ndaj Turqisë: 1. Më e mundshmja ishte përjashtimi i Turqisë nga procesi i zgjerimit të BE-së, për shkak të problemeve të shumta ekonomike dhe politike, si dhe për nevojën e kontributeve të mëdha financiare nga BE. 2. T’i jepej një status special, pa u angazhuar për një anëtarësim të plotë. 3. T’i jepej një status special, por me perspektivën e anëtarësimit të plotë. 4. Të trajtohej njësoj si të gjithë aplikuesit e tjerë për anëtarësim të plotë.

Vendimet e Samitit të Luksemburgut i dhanë Turqisë një status special, pa përcaktuar kohën për anëtarësim të plotë në BE. Turqia u përfshi në procesin e zgjerimit të BEsë, por asaj nuk iu dha një strategji parapranimi, ashtu si 11 vendeve të tjera kandidate. Ky vendim përcaktonte një përmirësim të qartë të raportit të Komisionit të BE-së Agenta 2000. Megjithatë, qeveria turke reagoi ashpër, duke e konsideruar vendimin si diskriminues, po të merrej parasysh fakti që Turqia jo vetëm që nuk figuronte si vend kandidat, por nga ana tjetër, ndër 11 vendet kandidate ishte shtuar edhe Qipro.

Në Ankara mbizotëroi mendimi se BE-ja po mbante anën e Greqisë për problemin e Qipros. Vendimet e Luksemburgut përforcuan ndjenjat antieuropiane në elitën qeverisëse, të cilat ishin shfaqur që mbas refuzimit të aplikimit të Turqisë për anëtarësim të plotë në vitin 1987. Kjo u reflektua në vendimet drastike të qeverisë turke, për të ndërprerë dialogun politik me BE-në dhe për të mos marrë pjesë në Konferencën Europiane, ku Turqia ishte ftuar së bashku me vendet e tjera aplikuese. Njëkohësisht, u vështirësua zbatimi i marrëveshjes së bashkimit doganor. Shumë rregullore dhe ligje të nevojshme për këtë zbatim nuk kaluan në Parlament për miratim. U shtuan zërat se edhe marrëveshja doganore ishte në disfavor të Turqisë, prandaj duhej riparë, në kuadër të mungesës së perspektivës europiane.

Samitet e mëvonshme të BE-së në Kardif, Vjenë dhe Këln, megjithëse sollën disa përmirësime relative, nuk arritën të kapërcejnë ftohjen e marrëdhënieve midis Turqisë dhe BE-së.

Samiti i Helsinkit i dhjetorit 1999 shënoi një hap shumë të rëndësishëm në rrugën e afrimit të Turqisë drejt Europës. Turqia u rendit së bashku me 12 vendet e tjera kandidate (ishte shtuar edhe Malta) në procesin e zgjerimit të BE-së dhe u bë pjesë e “Pranimit të Asociimit” (Acession Partnership), njësoj si vendet e tjera. Në ndryshimin e qëndrimit ndaj Turqisë influencoi mjaft qeveria socialdemokrate-ambientaliste gjermane, që ndryshe nga qeveria e mëparshme kristiandemokrate e kancelarit Kohl, ishte më konservatore ndaj hapjes së mëtejshme të BE-së. Vetë BE-ja, që për një kohë të gjatë ishte përqendruar kryesisht në çështjet ekonomike dhe politike, kishte lënë mënjanë konsideratat gjeopolitike. Ky qëndrim pësoi një ndryshim mbas krizës së Kosovës dhe krijimit të Paktit të Stabilitetit të Ballkanit, ku një rol të rëndësishëm luante edhe Turqia.

Vendimet e Samitit të Helsinkit u konsideruan në Turqi si një ngjarje shumë e rëndësishme, po aq saç ishte shpallja e Kushtetutës së parë në vitin 1976. Helsinki shënoi një pikë të vërtetë kthese në rrugën e modernizimit të Turqisë, proces që kishte filluar që me reformat e Mustafa Ataturkut.

Por procesi i mëtejshëm i afrimit drejt Europës do të rezervonte të papritura të tjera të pakëndshme për Turqinë. Në dokumentet e mëvonshme të saj, BE filloi të vërë para Turqisë kushte, të cilat nuk ishin parashikuar në dokumentin përfundimtar të Helsinkit. Në dokumentin e Asociimit të Komisionit të BEsë, në nëntor 2000, u kërkua nga Turqia zgjidhja e problemit të Qipros si dhe të mosmarrëveshjeve me Greqinë, për vijën kufitare në detin Egje, si kushte për anëtarësim në BE. Ky qëndrim i ri i BE-së ngjalli pakënaqësi të madhe në radhët e politikanëve dhe të opinionit publik turk. Reagimet ishin nga më të ashprat, deri në deklarata të Kryeministrit Eçevit se, nëse nuk ndryshonte formulimi i dokumentit, atëherë Turqia do të rishikonte kërkesën e saj për anëtarësim. Goditjen më të madhe në shpresat e saj për një anëtarësim të shpejtë në BE, Turqia e mori në Samitin e Nicës të 7-8 dhjetorit 2000. Në dokumentet përfundimtare të Samitit, Turqia nuk përmendej si vend kandidat në planet e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, madje në këto dokumente Turqia nuk përmendej fare. Atë që Turqia me shumë përpjekje e arriti në Helsinki, e humbi në Nicë.

QËNDRIMET E VENDEVE ANËTARE TË BE-SË DHE TË VETË TURQISË

Turqia nuk u ftua në takimin themelues të Këshillit të Europës, më 5 Maj 1949 dhe as në nënshkrimin e Statutit, me gjithë kërkesat e saj këmbëngulëse. Asaj iu refuzua kjo gjë edhe mbas krijimit të NATO-s. Arsyeja e këtij mospranimi rridhte nga mentaliteti i politikanëve europiano-perëndimorë, i cili shprehet në Statut. Në parathënien e tij, ku përshkruhet e kaluara dhe kultura e vendeve themeluese ka një pikë, e cila mendohet se e ndan Turqinë nga vendet e tjera të Europës Perëndimore: “Vlerat shpirtërore dhe morale, të cilat janë trashëgimia e përbashkët e popujve (europianë)”. Po kështu, në nenin e parë të Statutit theksohet: “Qëllimi i KE-së është që të arrijë një unitet më të madh ndërmjet anëtarëve të tij për të ruajtur dhe realizuar idealet dhe parimet që janë trashëgimia e tyre e përbashkët…” Dihet se përbërësit e kësaj trashëgimie të përbashkët janë filozofia greke, e drejta romake, kisha kristiane perëndimore, humanizmi i Rilindjes, pozitivizmi, revolucioni francez, nacionalizmi dhe revolucioni industrial. Qytetërimi europian bazohet në këtë trashëgimi, ku një nga elementët më të spikatur është feja. Megjithëse në tekstet zyrtare të KE-së nuk gjendej asnjë referencë për kristianizmin, ajo mbetej një çështje bazë. Presidenti i parë i Asamblesë Konsultative, në shtator 1949, theksonte: “Ky qytetërim europian është qytetërimi i kristianizmit dhe qytetërimi i njerëzimit”.

Pavarësisht nga parimet themelore, mbi të cilat u ngrit KE në fillimet e saj, me kalimin e kohës, interesat në faza të ndryshme të zhvillimit dhe të realpolitikës, kanë bërë që në vende të ndryshme të Europës të ketë mendime të ndryshme, aq sa mund të thuhet se shumë qeveri të vendeve anëtare të BE-së nuk dinë së çfarë të bëjnë me Turqinë.

Ndërsa 70-80% e opinionit publik në vendet e BE-së është kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, e njëjta përqindje e turqve është në favor të këtij anëtarësimi. Turqit e shohin hyrjen në BE si një mundësi për zhvillimin e gjithanshëm të Turqisë, për modernizimin dhe rritjen e mëtejshme të fuqisë së saj ekonomike.

Përsa i përket problematikave të marrëdhënieve greko-turke dhe qipriote-turke, të cilat konsiderohen si ndër më të vështirat për t’u trajtuar për vetë kompleksitetin që ato kanë, vazhdojnë të jenë shqetësim për politikanët dhe ushtarakët, si në nivel rajonal ashtu edhe ndërkombëtar.

Në takimin e 8 dhjetorit 2009 të Këshillit për Çështjet e Jashtme të BE-së u diskutua edhe tema e vazhdimit të negociatave me Turqinë. Edhe mbi këtë temë u duk se qëndrimet e Greqisë dhe Qipros ishin të ndryshme me ato të Presidencës suedeze, e cila mbrojti idenë se konfliktet dypalëshe nuk duhet të jenë pengesë në negociatat e anëtarësimit për një vend kandidat. Sipas palës greke, që përfaqësohej nga ministri i Jashtëm Alternativ, z. Droutsas, gjatë atij takimi u diskutuan tema të tilla si: së pari, plotësimi nga Turqia i kritereve të Kopenhagës, në veçanti në sektorë të tillë si liria fetare, të drejtat e minoriteteve dhe të drejtat e pronës, çështje të cilave Greqia iu jep rëndësi, sepse lidhen me të drejtat e Patriarkanës Ekumenike të Stambollit; së dyti, zbatimi i marrëveshjes së ripranimit, që Turqia ka përfunduar me vendet anëtare. Edhe kjo pikë dukej se shqyrtonte shqetësimin e Greqisë për emigracionin e paligjshëm dhe moszbatimin e marrëveshjes së ripranimit të nënshkruar me Greqinë, që në vitin 2001; së treti, iu kërkua Turqisë që të angazhohet në mënyrë të pakushtëzuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme ligjore, përfshirë edhe zgjidhjen e konflikteve nga Gjykata e Hagës. Edhe kjo pikë u lexua si e favorshme për interesat e Greqisë në zgjidhjen e konflikteve me ishujt e Egjeut.

Këshilli për Çështjet e Jashtme të BE-së, ku një rol aktiv kishin Presidenca suedeze, Britania dhe disa shtete të tjera, vendosi mbajtjen në fuqi të të njëjtave masa, që ishin marrë kundër Turqisë, që nga viti 2006. Greqia e cilësoi si fitore të saj përdorimin e një gjuhe më të ashpër në kërkesat që Këshilli i shtroi Turqisë. Ndërsa shtypi grek e vlerësoi qëndrimin e Greqisë dhe Qipros, të mbajtur në këtë takim në lidhje me Turqinë, më shumë si “një rënkim” se sa si një “ulërimë”. Sipas medias, qeveria e re e PASOK-ut kishte shpallur se do të kërkonte miratimin e një udhërrëfyesi të ri për Turqinë, me afate kohore të përcaktuara, por këto premtime nuk u realizuan.

* * *

Në opinionin publik turk mbizotëronte ideja se anëtarësimi i Turqisë në BE është shumë i largët, për të mos thënë një ëndërr. Sipas analistëve të BE-së, “me një popullsi që arrin në rreth 70 milionë banorë, me një shkallë shumë të lartë të papunësisë, me një ekonomi problematike, me një sistem politik të paqëndrueshëm, me demokraci të pazhvilluar, nivel të ulët arsimimi, me një popullsi të varfër dhe me diferenca të mëdha në kulturë dhe në besimin fetar me vendet e BE-së, Turqia do të ishte vetëm një barrë e rëndë për BE-në”.

Lidershipi politik i Turqisë, megjithëse është i ndërgjegjshëm për pengesat e mëdha në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE, preferon ta udhëheqë vendin drejt këtij objektivi. Nëse vazhdohet të plotësohen kriteret politiko-ekonomike, Turqia në mos në BE, do të arrinte t’i siguronte vetes një vend pranë BEsë. Në përgjigje të dëshirës së opinionit publik, partitë politike turke e kanë përqafuar idenë e anëtarësimit në BE, duke e përdorur atë edhe për qëllimet e tyre elektorale. Sidoqoftë, objektivat që vendosen për të arritur kriteret e BE-së, pavarësisht se Turqia futet ose jo në këtë organizëm, kanë shtruar përpara lidershipit politik turk një sërë detyrash për të arritur nivele më të larta të demokratizimit dhe përparimit ekonomik.

Një pakicë, e cila përbën rreth 5% të popullsisë turke, ka qenë kundër hyrjes së Turqisë në BE. Por, megjithëse në një përqindje shumë të vogël, kjo pakicë ishte pranë pushtetit dhe kishte një influencë të konsiderueshme në vendimmarrje. Reformat, që do të ndërmerreshin për të plotësuar kushtet për anëtarësim, do të kufizonin dukshëm fuqinë politike të këtyre forcave, fuqi që ushqehet edhe nga një mentalitet i rrënjosur në jetën civile, se ushtria është garanti i unitetit dhe i stabilitetit të Turqisë. Në fakt, ushtria tradicionalisht ka ndërhyrë, edhe me grushte shteti (dy herë që nga viti 1960,) për vendosjen e stabilitetit në vend, në kundërshtimin me fondamentalizmin islamik dhe kundër separatizmit kurd.

Ndërkohë që në opinionin publik turk vazhdon debati për çështjet më të mprehta dhe të diskutueshme, një gjë është e qartë: rruga e Turqisë drejt Europës do të jetë një rrugë e gjatë dhe e komplikuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb