Anëtarësimi në NATO është një nga ngjarjet më të rëndësishme për Shqipërinë. Mbushen plot 10 vjet që atëherë, ndaj dhe qeveria shqiptare e ka shpallur 2019-ën si Viti i NATO-s. Përveç atyre që kanë qenë të pranishëm në takimet dhe ceremonitë e mbajtura me këtë rast, janë shumë pak ata që e dinë me të vërtetë se çfarë ka ndodhur ditëve kur pritej që Shqipëria të merrte ftesën e anëtarësimit.

Ambasadori Dashnor Dervishi, asokohe përfaqësues i diplomacisë shqiptare në Bukuresht, ka ndjekur nga afër dhe ka parë prapaskenat e një prej ngjarjeve më të rëndësishme, që i parapriu anëtarësimit. Bëhet fjalë për Samitin e Bukureshtit, të prillit 2008. Ishte pikërisht në këtë samit kur Shqipëria do të merrte ftesën, që u zyrtarizua me anëtarësim, një vit më vonë. Pas parapritjes së aktivitetit me një ngjarje të rëndë që ndodhi në Shqipëri, shpërthimin në Gërdec, se çfarë ndikimi pati në vendim dhe çfarë ndodhi gjatë ditëve të samitit, Dervishi tregon për gazetën “Panorama”.

Vijon nga numri i kaluar

Në përfundim të Samitit, u arrit të realizohej ftesa për Shqipërinë dhe Kroacinë, por nuk u arrit të bëhej për Maqedoninë; u bënë përpjekje që të futej Ukraina dhe Gjeorgjia në MAP, por nuk u arrit; u dha mesazhi për zgjerime të mëtejshme të NATO-s me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë; u përforcua angazhimi për mbështetje më të fuqishme të zhvillimeve në Afganistan me trupa dhe gjithçka tjetër. Forcimi i mbrojtjes kolektive, me vendosjen e sistemit antiraketë në territorin rumun mbeti për t’u realizuar nëpërmjet NATO-s. Nuk u arrit të merrej ndonjë vendim i qartë për sigurinë në Detin e Zi dhe në fushën energjetike, siç do të dëshironte shumë Basescu dhe Rumania. Prania e Putin dhe liderëve të tjerë të rëndësishëm nga e gjithë bota i dha Samitit vlera të veçanta.

7 vendeve të NATO-s që kundërshtuan MAP për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, midis së cilëve ishin Sarkozi i Francës, Merkel e Gjermanisë; si dhe kundërshtimit grek, që me veton e saj, hodhi poshtë kandidaturën e Maqedonisë. Të gjitha këto çështje krijuan njëfarë debati, por edhe tensioni në seancat e mbyllura dhe korridoret e NATO-s. Shenjat e tensionit u shfaqën midis të pranishmëve që në mëngjesin e së mërkurës, në 1 prill, pas anulimit të një konference për shtyp të zëdhënësit të NATO-s. Seanca Plenare e së mërkurës u mbyll në orën 12:00 dhe liderët e 26 vendeve u mblodhën në një takim të mbyllur, për të trajtuar disa nga temat më të nxehta, sidomos atë që kishte të bënte me zgjerimin e radhëve të Aleancës. Megjithëse shumë udhëheqës të NATO-s kishin deklaruar përpara se Samiti do të ishte një sukses dhe se Aleanca do të dilte me radhë më të shtrënguara mbas Samitit të Bukureshtit, ngjarjet morën një rrjedhë tjetër në mbrëmjen e së mërkurës, për të cilat diskutohej hapur në darkën zyrtare midis të pranishmëve. Marrja e ftesës për vendin tonë dhe Kroacinë ishte një punë e mbaruar me kohë. Nuk kishte asnjë dyshim, me ose pa Maqedoninë. Këtë e tregonin të gjitha sinjalet dhe mesazhet që merrnim nga të katër anët. Lidhur me diskutimin për zgjerimin, nuk parashikohej ndonjë seancë më vete, por ajo do të diskutohej dhe do vendosej përfundimisht në seancën e mbyllur të mbasdites së të enjtes, 2 prill.

Berisha Nato

Zgjatja e kohës për fillimin e seancës plenare u bë shkak për përhapjen e disa dyshimeve në Tiranë, me burim nga agjenci të ndryshme, se gjoja po diskutohej Shqipëria dhe Kroacia, së bashku me Maqedoninë, për të marrë ftesën ose jo. Në mënyrë të çuditshme, ndërsa në Bukuresht nuk kishte asnjë shenjë, për të vënë në dyshim marrjen e ftesës, nga Shqipëria nuk reshtnin telefonatat, që kërkonin me insistim konfirmimin e dyshimeve që ishin hedhur

Në fakt, ndërsa ishte mbyllur çështja e Shqipërisë dhe Kroacisë një natë më parë, diskutohej vetëm Maqedonia dhe MAP i Ukrainës dhe Gjeorgjisë

Në darkë vonë, ambasadori i Italisë ishte i pari që më përcolli urimin, që Shqipëria do të jetë vendi i 27-të i Aleancës, së bashku me Kroacinë. Të nesërmen, në paraditen e seancës së të premtes, u deklarua se Shqipëria dhe Kroacia u ftuan zyrtarisht, për të hapur negociatat, për pranimin në NATO. “Ne urojmë Shqipërinë dhe Kroacinë, duke iu shprehur mirëseardhjen në familjen tonë”, deklaroi Scheffer.

Natoo

Në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, ku mbahej Seanca Plenare, delegacioni shqiptar i pranishëm e priti me shumë entuziazëm shpalljen e vendimit. Të gjithëve na përfshiu gëzimi dhe kënaqësia, që u ndodhëm aty, në atë ngjarje të rëndësishme dhe historike për vendin tonë. Të gjithë së bashku shprehnim kënaqësinë tonë, ndoshta edhe pse për arsye të ndryshme; disa për sigurinë e mbajtjes së pushtetit, pavarësisht akuzave për tragjedinë e Gërdecit, apo akuzave për korrupsion, të tjerët shikonin rritjen e mundësive, për të vënë Shqipërinë në udhë të mbarë, duke u bërë anëtare e organizatës jo vetëm më të madhe ushtarake, por edhe më demokratikja në planet.

Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria ndodhej gjeografikisht në qendër të Aleancës më të madhe dhe të fuqishme të kohës dhe jo në periferinë gjeografike, siç është gjendur gjatë gjithë historisë së saj.

Në intervistat dhe konferencën për shtyp, në prani të shumë gazetarëve dhe kamerave të ardhur enkas nga Shqipëria, Presidenti Bamir Topi, përveç kënaqësive, vlerësimeve dhe falënderimeve të rastit, gjatë deklaratës së tij, shprehu edhe një herë ftesën për Presidentin e vendit, Traian Basescu, për të vizituar Shqipërinë, duke konfirmuar se marrëdhëniet dypalëshe do të shkonin më përpara tani, që Shqipëria mori ftesën për t’iu bashkuar NATO-s.

Të njëjtën gjë bëri edhe Kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Ai falënderoi për vendimin e marrë dhe siguroi se vendi ishte i përgatitur për t’iu bashkuar Aleancës. Berisha nuk e la rastin, që t’i ikte mundësia pa përmendur edhe Kosovën. Ai deklaroi me këtë rast se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja më e mirë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Nuk mund të thoshte më shumë, pasi paraprakisht ishte krijuar një konsensus, që Kosova të mos futej në axhendën e temave për diskutim gjatë Samitit.

Në drekën e së premtes, datë 3 prill, organizova një pritje në emër të ambasadës, ku ishin të ftuar anëtarët e delegacionit zyrtar dhe gjithë të ardhurit nga Shqipëria. Menjëherë pas drekës filloi largimi nga Bukureshti, përsëri ashtu siç erdhën, grupegrupe, sipas rezervimit të linjave të ndryshme; një pjesë e të ardhurve u larguan të shtunën paradite.

Ambasada ndoqi me përparësi procedurat për ratifikimin e Protokollit të pranimit të vendit tonë në NATO nga Parlamenti Rumun, nëpërmjet takimeve me kryetarin e Senatit dhe drejtuesit kryesorë të Dhomës së Deputetëve, duke arritur që ky ratifikim të bëhej me procedura të përshpejtuara. Më 20 tetor 2008, Senati i Rumanisë kaloi për miratim dhe votoi me unanimitet Protokollin e pranimit të vendit tonë në NATO.

I njëjti miratim nëpërmjet votimit me unanimitet ishte bërë më parë edhe nga Dhoma e Deputetëve, më 15 tetor 2008.

Ftesa për Maqedoninë nuk u arrit të merrej, për shkak të konfliktit për emrin me Greqinë, gjë që do të arrihej vetëm kur të zgjidhej ky konflikt. Qysh të martën, 31 mars, u bë e ditur se Greqia kishte shprehur mosdakordësinë e saj me NATO-n, përpara se në Samit të merrej një vendim për kërkesën e Maqedonisë për anëtarësim. Greqia kërcënoi me veton e saj si anëtare e NATO-s, nëse Maqedonisë do t’i bëhej ftesa.

Që Maqedonia nuk do të merrte ftesën, u mor vesh qysh në mbrëmjen e së mërkurës. Vendimi i 26 vendeve u konfirmua të enjten nga Scheffer në konferencën për shtyp. Gazetarët maqedonas u ngritën menjëherë dhe u larguan nga salla. Të njëjtin veprim ndërmori edhe delegacioni zyrtar. MPJ i Maqedonisë, Antonio Milososki, deklaroi në konferencën për shtyp se nuk dëshironte që ky vendim të shihej si një humbje e respektit. “Ne vlerësojmë përpjekjet e SHBA dhe të Presidentit Bush ndaj Maqedonisë, por me sa duket rasti irrelevant grek mbizotëroi mbi dëshirën tonë për anëtarësim”.

Lidhur me këtë vendim, pati shumë debate, rezerva dhe qëndrime të kundërta. U bënë vlerësime nga udhëheqës të ndryshëm të Aleancës, për punën e madhe dhe angazhimin e Maqedonisë ndaj NATO-s, duke shprehur njëkohësisht dakordësinë e tyre, që ftesa do të jepej vetëm kur të zgjidhej çështja e emrit me Greqinë. Gjatë një interviste me Presidentin e Francës, Sarkozy, iu kërkua një koment lidhur me mohimin e ftesës për Maqedoninë, nisur nga një detaj i vogël. Sarkozy iu përgjigj se nuk ishte një detaj i vogël dhe përsëriti faktin që ftesa do merrej sapo të zgjidhej mosmarrëveshja me Greqinë.

Po ashtu, Presidenti rumun u shpreh hapur në mbështetje të këtij vendimi, duke i dhënë të drejtë vetos greke “që i detyroi 25 vendet e tjera të mos gjenin ndonjë zgjedhje tjetër”, kundër hyrjes së Maqedonisë në NATO.

Samiti2

Scheffer theksoi se nuk u vendos ndonjë afat për ftesën ndaj Maqedonisë dhe shtoi se Aleanca u ka kërkuar të dyja vendeve të mbyllin negociatat sa më shpejt, për të arritur një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Maqedonia, tha Scheffer, shpresonte shumë se do të merrte ftesën në këtë Samit, duke pasur mbështetjen e Presidentit amerikan Bush, i cili shprehu keqardhjen e tij për vendimin e NATO-s, ndërkohë që shprehu urimet për Shqipërinë dhe Kroacinë.

qipërinë dhe Kroacinë. Të 26 kryetarët e shteteve anëtare të NATO-s ranë dakord, që të fillojnë intensifikimin e dialogut me vendet e tjera të shteteve ballkanike, BosnjaHercegovina, Malin e Zi, si dhe Serbinë. Sipas Scheffer, “Udhëheqësit e Aleancës ranë dakord që të fillojnë një dialog intensiv me dy vendet e tjera të Ballkanit, B-H dhe Mali i Zi. Aleanca shprehu vullnetin e saj të mirë, gjithashtu për të theksuar bashkëpunimin e saj me Serbinë”.

Gjatë takimit të datës 2 prill, Këshilli i Atlantikut Verior nuk mundi të arrijë një konsensus për të përfshirë në MAP Gjeorgjinë dhe Ukrainën, por u ra dakord që në të ardhmen këto dy vende mund të bëheshin anëtare të NATO-s. Megjithatë, NATO i shprehu urimet Ukrainës dhe Gjeorgjisë, për dëshirën për t’iu bashkuar Aleancës dhe se këto dy vende do të bëhen anëtare të NATO-s, në të ardhmen, deklaroi Scheffer në konferencën e tij të shtypit, mbas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Atlantikut Verior.

Scheffer shpjegoi se diskutimet kanë qenë thelbësore. duke prekur shumë fusha dhe duke arritur në konkluzionin që do të sjellë ndryshime cilësore në konfiguracionin e sigurisë euroatlantike. Në këtë kuadër, ai shpjegoi se mbas shumë debatesh u vendos që mbrojtja antiraketore të shtrihej në Europën Qendrore, në territoret e Çekisë dhe Polonisë. Përveç kësaj, ai shtoi se mbrojtja e NATO-s do të mbulojë vendet e tjera që nuk mbulohen me sistemin amerikan të mbrojtjes antiraketore.

Edhe Presidenti rumun. Basescu, në konferencën për shtyp, shpjegoi disa nga momentet më të rëndësishme të Samitit, duke argumentuar e mëshuar më fort atyre që kishte interes t’i paraqiste për opinionin e vendit.

Lidhur me mbrojtjen amerikane antiraketore, Basescu shpjegoi se përveç vendosjes në Çeki dhe Poloni, 20% e pjesës tjetër të territoreve të vendeve anëtare të NATO-s do të mbuloheshin nga një sistem tjetër shtesë i NATO-s, që do të krijohej së shpejti, ku do të përfshihej edhe territori i Rumanisë. Në fakt, në Rumani është diskutuar gjatë për vendosjen ose jo në territorin e saj të sistemit të mbrojtjes antiraketore; e parë nën dy kënde të ndryshme, me rrezikun që do të sillte vendosja ndaj ekspozimit rus nga njëra anë, dhe me benefitet për sigurinë kombëtare që do të sillte vendosja e tyre në territorin rumun nga ana tjetër.

Gjatë Samitit të NATO-s, në bisedën që Basescu pati me Presidentin amerikan, kjo temë zuri një vend të rëndësishëm. Pavarësisht se Rumania kishte pranuar në parim me kohë për të ofruar territorin e saj për vendosjen e këtyre raketave, gjatë takimit me Bush, Presidenti Basescu e shfrytëzoi këtë rast, për t’i kërkuar heqjen e vizave për qytetarët rumunë, për të hyrë në SHBA. Një ditë para largimit nga Bukureshti, Bush u takua edhe me Kryeministrin Tariçeanu, të cilit i shpjegoi vështirësitë për lehtësimin e vizave për rumunët, të ngjashme edhe me vende të tjera në Europë. Basescu vlerësoi gjithashtu faktin që Këshilli i Aleancës përfshiu në një paragraf të konkluzioneve të tij Detin e Zi, duke njohur rëndësinë strategjike të rajonit.

Për sa u takon B-H dhe Malit të Zi, ai tha se ato e rritën nivelin e kooperimit me NATO-n nga partnership për paqen, në intensifikimin e dialogut. Ndërsa Serbia, shtoi ai, nuk “bëri ndonjë kërkesë në këtë drejtim, por aleatët në NATO këmbëngulën, që Serbisë t’i garantohej një bashkëpunim”. “Duke u nisur nga Precedenti i Kosovës,-tha Basescu,-Këshilli i Aleancës vendosi të përfshijë në konkluzionet e deklaratës solidaritetin dhe mbështetjen për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Moldavisë, Gjeorgjisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit”.

Gjatë ditëve të zhvillimit të Samitit në Pallatin e Kongreseve, në salla të ndryshme të qytetit u organizuan edhe disa konferenca dhe forume me debate, që trajtuan në rrugë informale disa tema të nxehta të axhendës së Aleancës. Një prej tyre ishte Fondacioni gjerman Marshall, që organizoi në prag të Samitit një konferencë me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë politikë, opinionistë, akademikë, etj., ku u diskutuan pika të nxehta të Samitit. Gjatë 3 ditëve, në këtë Qendër vazhduan debatet paralelisht me punimet e Samitit, me praninë e 7 kryetarëve të shteteve dhe qeverive, 10 ministrave dhe 22 parlamentarëve, së bashku me 42 kryetarë të OJQ-ve dhe drejtues biznesesh.

Më 1 prill, Presidenti Basescu bëri një diskutim në hapje të Forumit Trans-Atlantik, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga 37 shtete. Më 2 prill, në këtë Forum mbajti një diskutim edhe G. Bush. Gjatë ditëve të Samitit u zhvilluan edhe disa sesione, nga të cilat njëri ishte “Ballkani mbas Kosovës-hapi tjetër”, për të vlerësuar se deri në çfarë mase Kosova do të ishte një shtet i qëndrueshëm, ose nëse do të mbetej një lloj protektorati i Bashkimit Europian për një kohë të gjatë. Ndër pjesëmarrësit në këtë debat ishin: Jan Kuris MPJ i Sllovakisë, Veton Surroi, gazetar dhe drejtues i Partisë Ora të Kosovës; Goran Svilanoviç, ish-MPJ i Serbisë. Debati u përqendrua në pasojat, që mund të sillte shpallja e pavarësisë së Kosovës, si për shtetet fqinje, ashtu edhe për Komunitetin Euroatlantik, në kontekstin kur Kosova do të vazhdonte të monitorohej në mënyrë rigoroze, për disa vite nga Forcat e NATO-s (KFOR) dhe nga Misioni i Zbatimit të Ligjit të Bashkimit Europian (EULEX).

Në një sesion tjetër u trajtua tema “Armë dhe Gaz-Roli i NATO-s në Evropën Lindore”. Merrte pjesë MPJ i Rumanisë, Adrian Cioroianu; zëvendësasistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazisë, Mathew Bryza, dhe Presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili. Debati u përqendrua në një nga pikat delikate për BE në nevojën e një strategjie të përbashkët në sektorin e energjisë, në kuadrin e varësisë në ngritje për energji nga Rusia. Pyetja kryesore që mbeti e hapur ishte se si do të mundej Ukraina dhe Gjeorgjia të mbështetej nga NATO, ndërkohë që BE dhe NATO e konsideronin energjinë si një çështje e sigurisë duke përfshirë direkt Rajonin e Detit të Zi.

Tema të tjera që u debatuan ishin “Dyert e NATO-s: të hapura apo të mbyllura?”; “NATO në Afganistan- jo sukses në horizont, dështimi jo një opsion”. Në këtë debat morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer; President i Afganistanit, Hamid Karzai, si dhe Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper, si një prej mbështetësve me bindje të forta për të mbajtur trupat aleate në Afganistan.

Ndër aktivitetet që shoqëronin punimet e Samitit të Bukureshtit ishin edhe ato të organizuara nga rinia euroatlantiste. Mbi 120 studentë dhe të rinj profesionistë nga vendet e Aleancës dhe ato partnere merrnin pjesë në debate për tema të ndryshme, që lidheshin me strategjinë e NATO-s për sigurinë. Në një nga këto debate ishte i ftuar edhe Kryeministri i vendit tonë, Sali Berisha, për të diskutuar problemet e sigurisë në Shqipëri. M’u duk se në diskutimin e tij, Berisha e teproi duke i lidhur problemet e sigurisë në vendin tonë me rrezikun që mund t’i vinte stabilitetit të vendit prej veprimtarisë së disa bandave të rrezikshme, që vepronin në Shqipëri. Përshtypjen time ia përcolla edhe Berishës në një moment që po qëndronim bashkë pas takimit. Ai nuk e zgjati shumë, por konfirmoi edhe një herë se ato banda, duheshin luftuar me forcë dhe vendosmëri, pasi përbënin një rrezik jo vetëm për qetësinë e popullsisë, por ishin edhe një rrezik potencial, për destabilizimin e vendit, nëpërmjet fuqizimit ekonomik të tyre, lidhjeve që mund të krijonin me jashtë dhe me politikën brenda vendit.

Si gjithmonë, ai nuk la pa përmendur në takimin me të rinjtë atlantistë, se shteti i Kosovës ka nevojë të ngrejë ushtrinë e tij, me mbështetjen e NATO-s, duke u bërë njëkohësisht një thirrje edhe vendeve të tjera, që nuk kanë njohur shtetin e Kosovës, që ta bënin atë sa më shpejt. / Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb