Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi këtë muaj rregulloren “Për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve”.

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave për informacionin mbi paguesit dhe përfituesit e pagesave që shoqëron transfertat e fondeve, në Euro, në kontekstin e Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA), pjesëmarrjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave në Shqipëri, në skemat e pagesave të administruara nga Këshilli Europian i Pagesave dhe për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në rastet kur të paktën një nga ofruesit e shërbimeve të pagesave i përfshirë në transfertën e ekzekutuar në një skemë pagese të administruar nga Këshilli Europian i Pagesave është i vendosur dhe i licencuar në Shqipëri. Gjithashtu, rregullorja përcakton politikat, procedurat dhe kontrollet e brendshme për të siguruar zbatimin e masave shtrënguese, kur të paktën një nga ofruesit e shërbimeve të pagesave është i vendosur dhe i licencuar në Shqipëri, pavarësisht transaksionit të përfshirë ose monedhës së përdorur.

Ofruesi i shërbimeve të pagesave të palës urdhëruese (paguesit) duhet të sigurohet se transfertat e fondeve shoqërohen me informacionin ku përfshihet emri dhe mbiemri i paguesit ose emri i personit juridik të paguesit; numri i llogarisë së pagesës së paguesit; adresa e paguesit, përfshirë emrin e shtetit apo juridiksionit, numri i dokumentit të identifikimit dhe numri personal i klientit, ose, si alternativë, ditëlindja dhe vendlindja e paguesit dhe kodi i identifikimit të subjektit juridik, ose në mungesë të tij, çdo numër unik identifikimi i barasvlershëm. Për përfituesin e pagesës, informacioni i domosdoshëm i kërkuar është emri dhe mbiemri i përfituesit ose emri i personit juridik të përfituesit; numri i llogarisë së pagesës së përfituesit; dhe kodi i identifikimit të subjektit juridik, ose në mungesë të tij, çdo numër unik identifikimi i barasvlershëm. Përpara transferimit të fondeve, ofruesi i shërbimit të pagesave të paguesit duhet të verifikojë saktësinë e informacionit të kërkuar.

Procesi i verifikimit do të konsiderohet i kryer nëse identiteti i paguesit është verifikuar në përputhje me nenin 4/1 të ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” dhe informacioni i marrë nga ky verifikim ruhet në përputhje me nenin 16 të atij ligji. Këto dispozita zbatohen edhe kur paguesi është klient ekzistues. Ofruesi i shërbimeve të pagesave të paguesit nuk duhet të ekzekutojë transfertën e fondeve, pa siguruar përputhshmërinë e plotë me parashikimet e këtij neni. Megjithatë, rregullorja parashikon kërkesa më bazike për transfertat kombëtare dhe ndërkombëtare deri në 1000 euro, që nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën apo tranasferta të tjera fondesh.

Në këto raste, ofruesi do të kërkojë vetëm emrin dhe mbiemrin e paguesit dhe të përfituesit, ose emrin e personit juridik të paguesit dhe të përfituesit, si edhe numrin e llogarisë së pagesës së paguesit dhe të përfituesit, ose, aty ku është e zbatueshme, kodin unik të identifikimit të transaksionit.

Për shumat deri në 1000 euro, ofruesi i shërbimeve të pagesave të paguesit nuk do të jetë i detyruar verifikojë informacionin mbi paguesin, përveç rasteve kur i ka marrë fondet që do të transferohen në formën e parasë fizike (cash), kur ka baza të arsyeshme të dyshojë për pastrim parash ose financim terrorizmi, kur ka dyshime për vërtetësinë ose përshtatshmërinë e të dhënave të marra më pare, ose kur ka dyshime për mashtrim.

Rregullorja do të hyjë në fuqi pas miratimit të zgjerimit të shtrirjes gjeografike të SEPA në Republikën e Shqipërisë, nga Këshilli Europian i Pagesave. Ofruesit e shërbimeve të pagesave që janë objekt i kësaj rregulloreje duhet të marrin masat e nevojshme për përshtatjen e aktiviteteve dhe operacioneve të tyre me kërkesat e kësaj rregulloreje, brenda një periudhe prej 180 ditësh nga miratimi i zgjerimit të shtrirjes gjeografike të SEPA-s në Shqipëri, nga Këshilli Europian i Pagesave./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: