UNHCR, Agjencia e OKB-së për Refugjatët, njoftoi sot se Angela Merkel, ish-Kancelarja Federale e Gjermanisë, do të marrë çmimin e UNHCR Nansen 2022 për Refugjatët. Kështu lexojmë në faqen e vetë agjencisë së OKB-së.

Nën udhëheqjen e Merkelit, Gjermania mirëpriti më shumë se 1.2 milionë refugjatë dhe azilkërkues në 2015 dhe 2016, në kulmin e konfliktit në Siri dhe ndërsa dhuna e tmerrshme shpërtheu edhe në vendet e tjera, tha UNHCR.

Në atë kohë, Merkel konsideroi se ishte “një situatë që testoi vlerat tona evropiane siç kishte ndodhur rrallë herë më parë” dhe se “ishte as më shumë e as më pak një detyrë humanitare”.

Merkel u kërkoi homologëve të saj gjermanë që të refuzojnë nacionalizmin përçarës dhe në vend të kësaj u kërkoi atyre të jenë “të sigurt në vetvete dhe të lirë, të dhembshur dhe mendjehapur”.

Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, vlerësoi vendosmërinë e ish-kancelares për të mbrojtur azilkërkuesit dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut, parimet humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare. Çmimi Nansen, i dhënë çdo vit, u krijua në vitin 1954 për nder të Komisionerit të parë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, eksploruesit norvegjez të Arktikut dhe humanitarit Fridtjof Nansen (1861-1930). Merkel do ta marrë çmimin në Gjenevë më 10 tetor.

(Ansa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb