Për herë të parë që nga viti 2008, kur në stol ishte Fabio Capello, Anglia fiton dy ndeshje radhazi në një fazë kualifikuese, këtë e bën pikërisht Tuchel, kjo edhe për faktin se përballë kishte dy rivalë modest si Shqipëria dhe Letonia. Pas “thyen” kuqezinjtë, “Tre Luanët” kalojnë edhe Letoninë duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0.
Ndryshe nga Shqipëria, Letonia ishte më agresive duke vendosur jo pak në siklet ekipin e Tuchel. Për të hapur këtë sfidë mendoi James, me anësorin e Chelsea-t që realizoi një kryevepër të vërtetë nga goditja e dënimit.
Në fraksionin e dytë ishte kapiteni Harry Kane, me “bomberin” e Bayern që mori një assist të pastër nga Rice duke shtyrë topin në portën e boshatisur. Ky ishte goli i tij i 71-të me fanellën e Anglisë. Për të mbyllur llogaritë me Letoninë mendoi Eze, me mesfushorin e Crystal Palace që me një veprim personal shënoi golin e tretë.
5 gola në 2 ndeshjet e para janë shifrat që kënaqin trajnerin Tuchel: “Nuk ishte një ndeshje e thjeshtë. Pamë disa gjëra të bukura, krijuam disa raste të mira. Jam shumë i lumtur me sjelljen dhe energjinë që treguam, pak nga pak po vijmë aty ku dëshirojmë”, u shpreh Tuchel.
I kënaqur me këtë sukses u shfaq edhe kapiteni Harry Kane: “Mendoj se në ndeshjen ndaj Letonisë pamë më shumë skema loje, krijuam më shumë raste se sa kundër Shqipërisë, por sërish ishte e vështirë kundër një ekipi që mbrohet me 11 lojtarë. Në përgjithësi jemi të kënaqur me dy fitoret e marra, për më tepër që nuk pësuam gol”, u shpreh Kane.
Me Serbinë pushim, Grupi K kryesohet nga Anglia me 6 pikë të plota, e ndjekur nga Shqipëria dhe Letonia me 3 pikë.
(BalkanWeb)