NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Gjuha angleze në datën 24 qershor do të jepet si provim me zgjedhje nga 11 mijë maturantë. Ditën e djeshme, në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” u bë prezantimi i projektit “TOEFL Junior”, ku ishte e pranishme dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Gjatë prezantimit të këtij projekti, ministrja Nikolla ka deklaruar se ky lloj testi mat aftësitë gjuhësore deri në nivelin B2, në mënyrë të harmonizuar me kurrikulën e sistemit arsimor të mesëm të lartë.

Nëpërmjet kësaj deklarate, në mënyrë indirekte ministrja u kthen përgjigje edhe një grupi maturantësh që i kanë nisur një letër të dytë javën e shkuar, ku kërkonin sqarime për Maturën Shtetërore 2016 dhe në veçanti për anglishten me zgjedhje. Sipas maturantëve, në letrën e tyre ky lloj testi nuk përputhet me kurrikulën që ata kanë bërë në tri vitet e gjimnazit. Për herë të parë, 11 mijë maturantët që do t’i nënshtrohen testit ndërkombëtar “TOEFL Junior Standard Test”, ndryshe nga provimet e tjera me zgjedhje që në total kanë 20 pyetje, testi i anglishtes me zgjedhje do të përmbajë 126 pyetje me alternativa, në nivelin gjuhësor B2.

PREZANTIMI
Projekti-pilot “TOEFL Junior”, i cili u prezantua ditën e djeshme, fut një standard të mirënjohur ndërkombëtarisht të gjuhës angleze, në sistemin arsimor publik (K10 – K12). Për herë të parë 11 mijë maturantë do të marrin testin e “TOEFL Junior”, në kuadër të Maturës Shtetërore 2016 si provim me zgjedhje. Testi mat aftësitë gjuhësore deri në nivelin B2, në mënyrë të harmonizuar me kurrikulën e sistemit arsimor të mesëm të lartë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj deklaroi se ky proces është një tjetër hap në drejtim të standardizimit me kritere bashkëkohore që çon në forcimin e cilësisë në sistemin e arsimit parauniversitar. “Janë trajnuar 1.200 mësues të gjuhës angleze, janë paratestuar. Falë këtij trajnimi do të përfitojnë 120.000 nxënës, të cilët përfitojnë indirekt falë kualifikimit të mësuesve. 50 ekspertë të gjuhës angleze do të përmirësojnë kurrikulën e gjuhës angleze, falë dhe adresimit të problemeve që do të rezultojnë nga testimi i 11 mijë studentëve”, – tha ministrja Nikolla.
(Lajmin e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: