Një anije iraniane mallrash është fundosur në ujërat territoriale të Kuvajtit ndërsa janë gjetur trupat e tre nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të Iranit, Mehr News, Nasser Pesende, drejtori i përgjithshëm i Sigurisë Detare dhe Mbrojtjes së Organizatës së Porteve dhe Detërave, ka njoftuar se anija e mallrave “Ara Bahter Yek” është fundosur në ujërat territoriale të Kuvajtit.

Duke thënë se incidenti ka ndodhur më 1 shtator, Pesende ka deklaruar se kanë kontaktuar Qendrën Operacionale të Kërkimit dhe Shpëtimit Detar të Kuvajtit sapo kanë marrë lajmin dhe se menjëherë më pas ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi.

Sipas tij, në bord gjendeshin gjashtë anëtarë të ekuipazhit, shtetas të Iranit dhe Indisë, ndërsa janë gjetur trupat e tre prej tyre dhe po vazhdojnë kërkimet për tre të tjerët.

Zyrtari iranian ka thënë se informacione të detajuara në lidhje me incidentin do të publikohen më vonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb