Një anije katariane me vela ka nisur nga Turqia më 10 korrik 2019, turneun e saj “Fateh Al Khair 4” duke e filluar lundrimin nga porti Pipek në ngushticën e Bosforit në Stamboll.


Destinacioni i saj gjatë vitit 2019 do të jenë vendet e Mesdheut, dhe në dy vitet e ardhshme (2020 – 2021) do të ndalet në vendet e Afrikës së Veriut. Turneu detar “Fatah Al Khair 4” do ti përcjellë botës një mesazh kulturor nga Doha, pasi në vendet që do të vizitojë do të paraqesë civilizimin, kulturën dhe trashëgiminë detare dhe jo vetëm të Katarit, krahas promovimit të Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.


Institucioni “Katara” që organizon këtë lundrim, ka zhvilluar më parë edhe disa turne të tjera që nga viti 2013, por lundrimi aktual do të jetë i jashtëzakonshëm duke shënuar një moment historik në lundrimet e trashëgimisë, pasi do të hapë horizontet e komunikimit me popujt dhe kulturat e botës.


Lundrimi “Fateh Al Khair 4” për vitin 2019 do të zgjasë katër muaj dhe do të përshkruajë rreth 4400 milje, nisur nga Bosfori e deri në Xhenova të Italisë. Konkretisht destinacionet e tij për këtë vit do të jenë pesë vende të Mesdheut, përkatësisht Turqia, Greqia, Shqipëria, Kroacia dhe Italia.

1010b79a B5dd 4c60 950c 1572ae883ee1
1010b79a B5dd 4c60 950c 1572ae883ee1

Në Shqipëri, ndalesa e parë e anijes katariane me vela do të jetë Saranda më 20 gusht 2019, ku pritet të mbërrijë në portin e qytetit bregdetar shqiptar në orën 6 pasdite, duke valëvitur flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe të Katarit. Me këtë rast, do të organizohet një pritje e madhe në shëtitoren e qytetit. Banorët e Sarandës dhe të pranishmit në këtë pritje do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të shohin nga brenda anijen, ku do të njihen me vetë anijen si dhe me kulturën detare të Katarit. Atyre do t’i shpërndahen edhe suvenire që simbolizojnë Botërorin “Qatar 2022”.

Pas qëndrimit dy ditor në Sarandë, anija do të niset për në qytetin e Durrësit dhe do të arrijë në portin e tij më 24 Gusht në orën 6 pasdite. Edhe në këtë qytet të lashtë të historisë dhe kulturës shqiptare, do të ketë një pritje dhe disa aktivitete argëtuese me banorët e qytetit dhe vizitorët e plazhit.

Më datë 25 gusht, aktivitetet e lidhura me lundrimin “Fatah Al Khair 4” do të transferohen në Tiranë. Për tre ditë, në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit dhe tek parku i liqenit, do të zhvillohen disa surpriza të këndshme dhe do të organizohen aktiviteteve kulturore dhe sportive në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
Këto aktivitete do të jenë të hapura për të gjitha grupmoshat, gjatë të cilave do të shpërndahen dhurata dhe suvenire me logo të Botërorit “Qatar 2022”.

Anija katariane me vela është e pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme, si furnizimet me ushqime ujë etj, mjetet mjekësore dhe të ndihmës së shpejtë, e deri tek dokumentet dhe pajisjet e duhura të lundrimit.

Anija e cila ka në bord 15 marinarë katarianë, ka dy vela dhe është e llojit “Boom Safari” e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë, dhe ka kapacitet mbajtës prej 200 tonësh. Kjo anije konsiderohet një muze në miniaturë që pasqyron trashëgiminë detare të Katarit. Gjithashtu ajo është e pajisur me ekrane të mëdha për të prezantuar stadiumet dhe përgatitjet e tjera të infrastrukturës sportive ku do të mbahen ndeshjet e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb