Anija “Saranda Expres” me flamur shqiptar, e cila bën linjën Sarandë – Korfuz rreth orës 16:45 ka pësuar defekt në sistemin e drejtimit dhe ka dhënë sinjalin SOS. Ajo është zhvendosur në afërsi të zonës së Kasiopit, në veri të ishullit të Korfuzit.

Gazetarja Shpresa Dine raporton për “Balkanweb” se pranë anijes “Saranda Express” ka shkuar edhe anija tjetër e linjës Sarandë -Korfuz, anija REINA 2 për të asistuar apo ndihmuar. Në anije ndodhen 27 pasagjerë dhe 2 automjete.

Kapiteneria e Portit Sarandë ka komunikuar me anijen dhe autoritetet e portit Korfuzit, të cilat po dërgojnë rimorkiatorët për ta tërhequr drejt portit të Korfuzit.

Bëhet me dije se nuk ka asnjë dëmtim apo problem për pasagjerët që ndodhen në anijen “Saranda Express”. Gjithashtu, anija do t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë nga inspektorët e flamurit dhe regjistri detar për shkaqet e defektit.

Ndërkohë, administratori i anijes “Saranda Express” Shpëtim Muho, pergënjeshtron lajmin e dhënë në media.

Ai thotë se e vërteta qëndron në faktin se anija “ Saranda Express” nuk pati asnjë defekt për çfarë është bërë publike, por gjithçka është një disinformim dashakeqes. Kapiteni i anijes pë shkak të dallgëve ka ulur shpejtësinë.

Muho tha se përsa i përket sinjalit SOS që ai ka lëshuar, kapiteni do të penalizohet. Anija “Saranda Expres” shkoi vete drejt portit të Korfuzit.

Për të, ky njoftim është një disinformim dashakeqës që ndodh në sezon dhe që vjen  nga konkurrenca. “Jam i gatshëm të pres kontroll nga kushdo ekspert qoftë. Veç një gjë është e vërtetë si drita e diellit: anija e linjës Sarandë -Korfuz,  “Saranda Expres” nuk kishte asnjë  defekt në sistemin e drejtimit. Faleminderit”, u shpreh Muho.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb