Presidenti Andrea Anjeli shoqëroi në konferencën për shtyp trajnerin Masimiliano Alegri, ndërsa sqaroi pozicionin e tij dhe të klubit në vendimin e përbashkët për të ndërprerë marrëdhënien me teknikun livornez. Pas Del Pieros dhe Bufonit, ky është largimi i tretë më i rëndësishëm në epokën e Anjelit si president i bardhezinjve.

“Sot nuk do të flas asnjë fjalë për emrat e mundshëm që mund të drejtojnë Juventusin, pasi jemi këtu për të respektuar Alegrin. Na dha 5 herë radhazi titullin kampion. Më kujtohet kur në maj të 2013-ës ishim për të parë finalen e Championsit mes Bajernit dhe Dortmundit, aty ishte edhe Alegri, i cili i shprehu dëshirën Paratiçit për të na u bashkuar. Tregoi kurajë dhe atribute të larta. Kemi kaluar 5 vite të bukura bashkë, të mbushur me trofe. Së fundmi kemi banuar edhe në një zonë dhe kemi darkuar shumë shpesh bashkë”, u shpreh presidenti.

Nuk mund të mungonte dhe një koment për Ligën e Kampionëve. “Pas ndeshjes me Ajaksin isha i sinqertë kur thashë se dua të vazhdoj me Alegrin, por këto kohë kemi reflektuar të gjithë. Nuk ka pasur vendime të emrave të përveçëm, por një analizë e përbashkët”, sqaroi Anjeli.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb