TIRANE-Moderatorja e njohur prej më shumë se 13 vitesh në ekran, Anjeza Maja, ka konfirmuar largimin e saj nga televizioni ku punonte që nga sezoni i kaluar, “Agon Channel”. Anjeza ishte pjesë e stafit të ri që në hapjen e këtij televizioni, ku moderonte programin “Hit Play”. Bëri përshtypje largimi i moderatores në mes të sezonit, një ditë pas festës që stafi i këtij televizioni organizoi në Milano (Itali), ndaj në rrjetet sociale pati shumë komente.

E pyetur nga gazeta “Panorama” për arsyen e largimit, Anjeza thotë: “Thjesht jam larguar për pak pushim e shkëputje nga televizioni. Këtë muaj do ta bëj pushim. Nga janari kam dy projekte biznesi, që nuk kanë lidhje me televizionin. Kaq mund të them për momentin”. Vitin e kaluar, pas një periudhe largimi nga ekrani, Anjeza u rishfaq me një trup superelegant dhe të tonifikuar. Në studion e zhurmshme ku luante një DJ, me praninë e shumë të rinjve që kërcenin dhe bënin tifo, të ftuarit VIP të Anjezës nuk hezitonin të flisnin për hobe të ndryshme dhe frekuentimin e jetës së natës. Anjeza Maja, e cila e ka filluar karrierën televizive që në moshën 16 vjeç, provoi të shkëputej para dy vitesh nga ekrani, por nuk i rezistoi gjatë tundimit për të qenë pjesë e televizionit të ri “Agon Channel”. Të shohim se cilat do të jenë zgjedhjet profesionale të saj tani e në vazhdim.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb