Një samit tjetër, i përqendruar kryesisht tek Siria dhe që do të mbledhë drejtuesit e Turqisë, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së madhe do të zhvillohet në shkurt në Stamboll, theksoi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, cituar nga media.

Një takim i parë i këtij lloji mes drejtuesve të katër vendeve u mbajt të martën në Londër në kuadër të samitit të NATO-s, ku ata morën pjesë.

“Ne kemi rënë dakord për të zhvilluar një samit katërpalësh të këtij lloji, të paktën një herë në vit. Samiti i dytë do të zhvillohet në Stamboll në muajin shkurt”, theksoi  Erdogan, sipas agjencisë shtetërore Anadolu Agency.

“Takimi i Londrës ka qenë shumë i dobishëm, por nuk mundi të heqë të gjitha paqartësitë”,  theksoi presidenti francez, Emmanuel Macron, ndërkohë që kancelarja gjermane Angela Merkel e gjykoi të mirë dhe thelbësor.

Tensionet mes Turqisë dhe Perëndimit janë përkeqësuar nga ofensiva turke e ndërmarrë në muajin tetor në veri të Sirisë kundër forcave kurde të YPG-së, konsideruar si terroriste nga Ankaraja, por që luajnë një rol kyç në luftën kundër xhihadistëve të grupit të Shtetit Islamik.

Macron theksoi gjithashtu se nuk kishte “konsensus të mundshëm” mbi përcaktimin e terrorizmit me Turqinë, që kërkon që YPG-ja të klasifikohet si një grup terrorist.

“Ashtu si ne marrim seriozisht kërcënimet për sigurinë kundër Aleancës, të gjithë aleatët duhet të marrin seriozisht shqetësimet tona për sigurinë”, konfirmoi Erdogan.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb