Shumica e qytetarëve në Republikën e Irlandës do të deklaroheshin për bashkim me Irlandën e Veriut nëse votimi do të mbahej sot, sipas një sondazhi të kryer nga televizionet irlandeze RTE dhe TG4.


Në sondazh, i cili u zhvillua të premten në qendrat e votimit që votuan për PE, u pyetën 3,000 qytetarë, të cilët iu përgjigjën pyetjes “a do të votonit për ose kundër Irlandës së bashkuar nëse votimi për këtë do të mbahej nesër”, transmeton Politiko me seli në Bruksel.


Rezultatet treguan se 65 për qind u përgjigjën me “po” dhe 19 për qind me “jo”, ndërsa ata që nuk dëshironin të zgjedhin ose refuzonin të votonin ishin 15 për qind.


Sipas marrëveshjes së Belfastit nga viti 1998, e cila i dha fund konfliktit shumëvjeçar midis unionistëve pro-britanik dhe nacionalistëve irlandezë, Irlanda e Veriut ka mundësi të largohet nga Britania e Madhe përmes referendumit dhe të bashkohet me Republikën e Irlandës.

Pasi Britania e Madhe votoi për t’u larguar nga BE në 2016, qëndrimet për bashkim kanë ndryshuar, pasi Brexit nuk kishte mbështetjen e shumicës në Irlandën e Veriut, gjë e cila kërcënon të provokojë paqëndrueshmërinë ekonomike dhe rivendosjen e kufijve të padëshirueshëm në ishull.

Një tjetër anketë, e kryer në Irlandën e Veriut, tregon se mbështetja për qëndrim në Britani varet nga rezultati i Brexit. Në rastin e Brexit pa një marrëveshje, ideja për një Irlandë të bashkuar ka shumicën, ndërsa qëndrimi në Britani është më popullor nëse Brexit nuk zbatohet. Sondazhi tregon se nëse Parlamenti britanik miraton një marrëveshje për Brexit, të dyja idetë do të kenë të njëjtën mbështetje.

(BalkanWeb)